Sa kushton një alternativë?



Në prill 2010, 203 burra e gra, deputetë (të opozitës së atëhershme), njerëz të thjeshtë (dhe të përbërë) vendosën të hyjnë në grevë urie, në një çadër përballë godinës së kryeministrisë.

Në shkurt 2019, burra e gra, edhe këta deputetë (të opozitës së tanishme), të ndjekur nga njerëz të thjeshtë (dhe të përbërë), vendosën të braktisin Parlamentin, duke dorëzuar/djegur/lënë/braktisur mandatet.

Në të dyja rastet, ishin veprime të panevojshme.

Sepse – për protestën e vitit 2010 – nuk është se na duhej Edi Rama dhe mbështetësit e tij për të kuptuar që Berisha po keq-qeveriste, po vidhte, po ndihmonte (ekonomikisht) një grusht të vogël njerëzish, po përdorte çdo kleçkë ligjore e pushtet të mundshëm (eksplicit apo implicit) për të mbrojtur “të tijët” (siç ndodhi më 2012 për shembull, ku Ilir Meta dhe Dritan Prifti që çoç bënin ca pazare 700 mijë euro, por, na doli në fakt, që Ilir Meta nuk ishte Ilir Meta). Të vetmet që u dënuan ishin mbërtheckat e Pangos.

Po aq – për protestën e vitit 2019 – nuk është se na duhej Lul Basha dhe mbështetësit e tij për të kuptuar që Edi Rama po keq-qeveris, që kjo qeveri e ka shumë të vështirë të gjejë një Ministër të Brendshëm që nuk ka lidhje me drogën (unë kisha sugjeruar që të vinte Batman si MB (pa familjarë të korruptuar, pa vllezër të përfshirë në trafiqe, çun serioz etj), por Edi zgjodhi Sandër Lleshin), apo që formula magjike Partneritet Publik Privat, është magjike për xhepat e “oligarkëve” që ua shton, dhe po aq magjik edhe për ne, taksapaguesit e ndershëm, që na i heq po aq saç është oreksi i bosave të mëdhenj... 

E kështu me radhë.


S’kemi frikë nga bora, s’kemi frikë nga shiu

E unë dyshoj që të kemi frikë apo të trembemi për ndonjë gjë.

Sepse pak gjëra na kanë ngelur (ende) pa parë. Jemi mësuar me çudira e magji (të zezë). Jemi mësuar me atë zonjën që nuk donte as ujë, as drita e as bukë, veç shoku Ilir dhe shokuFatos të mos ziheshin. Jemi mësuar që, edhe pse komunizmi demek ka mbaruar më 1990, në fakt triumfon vullneti i njëshit, i kryetarit, i të fortit, e në daç të ecësh përpara, duhet të kesh tope mëndafshi (që dmth të bësh si i forti i lagjjes sa nuk është njëshi verdallë, ama kartonin për votim do e ngresh si të ta kërkojë Ay). Jemi mësuar që kryeministrat (e hapi udhën Tos Boss Nano), prezantohen me formulën e famshme “Më quajnë Filan Fistëku, e mbrapa më vjen historia”. Po kështu të mos harrojmë edhe Magjistar Ristanin, që i jepje 10 vota, e t’i nxirrte 70. Magjistar Ponin (ndjestë pastë) i çertifikatave në periudha zgjedhjeje. Maestro Rama, që në fillim na magjepsi duke bredhur rrugëve të Tiranës me sëpatë në dorë, e më pas duke na treguar me radhë “Bashkinë që duam”, “Policinë që duam”, “Shqipërinë që duam” ...

Unë veç një gjë pres në këtë dynjanë e pistë të politikës tonë: Cetto La Qualunque. I vetmi që do ta votoja pa hezitim.


Ne dhe Greku!

Unë nuk di si ta përkufizoj the love and hate relationship që kemi ne me Greqinë. Në të mirë e në të keq, me ulje e ngritje, ngrohtë e ftohtë, por kemi qënë aty, bashkë. 

Ndërkohë, ka diçka më të fortë, më të thellë, më të rëndësishme që na lidh ne shqiptarët me grekët.

Është tragjedia greke. E shpikur/krijuar nga ata, por ama pjesë integrale e të përditshmes tonë.
Ne shqiptaret nuk bëjmë dot pa një çik tragjedi greke në jetë.

Është prishur printeri i zyrës? O burra shpejt të mblidhen 34 shefa departamentesh, në 11 mbledhje, ku të dalin 15 pika se çfarë hapash duhen ndjekur, të ngrihen 8 komitete ad-hoc, të gjenden 3 fajtorët që kanë dashur që në fillim të kohëve që të sabotojnë punën (e printerit) si dhe të lajmërohen instancat më të larta që ekzistojnë, mbi këtë gjëmë të madhe që pllakosi punën ... e si mund të vazhdohet më tej në këtë mënyrë?

Deri sa, pa dashje, kalon ndonjë punonjës që e kupton që thjesht printeri ka nevojë për letër. Ose jallah për toner. Gjithsesi, jo ndonjë gjë me zarar.

Ose:

-          Mirë puna?
-          Uaaaa...Vdiqëm, nuk po marrim dot frymë. Nuk e ke idenë sa shumë punë kemi.

E kështu, tragjedi kemi për çdo gjë. Çdo ditë ne desh vdesim, desh gjymtohemi, desh masakrohemi... e të gjitha këto në përfitim të tjetrit...ndërkohë që realiteti tregon një forcë punëtore ineficiente (siç qe edhe Greqia deri para pak kohësh shteti që punonte më shumë, ndërkohë që ishte në krizë të thellë e recesion ekonomik).

Ne ama jemi nona për të treguar fajtorin me gisht, luajmë madje edhe sportin kombëtar “Gishtabythash”, por për të zgjidhur hallet? Aha, nuk merremi ne me atë muhabet.


Po ne, ç’na ngelet?

Nuk e di. Sinqerisht. Unë nuk shoh ndonjë alternativë përsëbrëndëshmi. Çdo vit, për 30 vite tashmë, kemi humbur pranverat.

Të zhveshur, me zemër të lodhur, shihemi në pasqyrë, në një andërr ku nuk e dimë a duhet të puthemi a t’pështyhemi...

Nuk jam kurrgja.
S’do jem kurrë asgja.
S’mundem me dashtë me qenë diçka.
Por veç kësaj, bart në veti andrrat e tanë botës.

Me pak fjalë Shqipëri, ti nuk më meriton!

0 komente:

Post a Comment

My Instagram