Ndjesë



Çdo periudhë ka disa figura specifike, që domosdoshmërisht, në mënyrë të paevitueshme, madje deri diku edhe në mënyrë të kushtëzuar të asociojnë me atë periudhë. Vjen Vitiriu dhe ti e di që te TVSH-ja do ketë humor me Koço Devolen psh. Ose fillon sezoni i verës dhe fillojnë e dalin specialistë të të gjithë fushave, që lidhin specialitetin e tyre me diellin, temperaturën, vapën dhe rreziqet që i kanosen njeriut nga ky muhabet.
Momenti më epik është kur ri-shfaqen në TV dy personazhe legjendare: Maqo Lakrori dhe Gaqo Apostoli. Periodikisht. Çdo 4 vite. Vitet e madhërishme të fushatave elektorale. Periudha magjike ku punët e zvarritura për 47 muaj, mbyllen në kohë rekord gjatë muajit të fundit, inaugurohen 3 herë nga 3 duar të ndryshme, për t’u prishur përsëri sapo kalojnë zgjedhjet, po kujt i bëhet vonë në fund të fundit. Periudha magjike ku të gjithë kujtohen për të gjithë: romët, të pastrehët, lypësit, biznesmenët e vegjël e të mëdhenj, buzëqeshen, puthen e përqafohen, por kësaj here pa futur gishtat nga pas.
Nga podiumet përballë turmave të ekzaltuara e ideologjikisht të eksituara, politikanët lëshohen me një diarre verbale, duke premtuar mijëra kilometra rrugë, miliona pemë, qindra lulishte, 24 orë ujë e drita, mirëqënie, prosperitet, shpresë, ëndrra ... a thua nuk jetojmë në Trekëndëshin e Bermudës së Ballkanit, ku zhduken ëndrrat, shpresat dhe lekët e taksapaguesve.
Me pak fjalë, e ardhmja është e ndritur dhe të gjithë ne do të përparojmë nga fitorja në fitorje.

* * *

I velur nga pushteti, i rrethuar nga 1’000’000 shuplakat që shqiptarët i dhanë Saliut, komod në fortesën e gurtë, Shkëlqesia e Tij, Duka i Surrelit, Komandanti i Legjionit të Nderit, Mjeshtër i Madh dhe Kalorës Nderi i Principatës së Lazaratit, El Chapo Supremo, Führer Edi, ishte disi përhumbur atë ditë.
Dalja e Maqo Lakrorit dhe Gaqo Apostolit në skenë ishte sinjali se edhe Ai duhet të dilte, aty, në po atë skenë. Të thoshte një fjalë. Çoç të komunikonte, qoftë në ERTV, qoftë në Facebook, qoftë në kazanet e kadrinjve.
Përveç 2013, ku praktikisht Sala i dha një asist të thjeshtë për pushtetin, këto 6 vite kishin pasur andrallat e veta. Njëherë e kishte fajin shiu, një herë kinezët, herën tjetër Europa, gjithmonë Saliu, njëherë tepsia, një herë timoni, njëherë ish-Ministri më i Suksesshëm që u bë më pas një vemje e padenjë për racën njerëzore, herë tjetër një tufë njerëzish (Frroku, Ndoka & co.) që Führeri i shkretë i kishte besuar me naivitet, njëherë koka e marshit e kështu me radhë...
Por Ai ia kishte dalë.
E vërtetë që Saliu bënte rekorde noti çdo verë, por Ai, në 6 vite, “kishte bërë atë që nuk ishte bërë kurrë asnjë njeri më parë në këto 30 vite të marra së bashku”. Dhe kjo formula mes thonjëzash, kishte vlerë për çdo gjë. 300’000 vënde pune, rritje e çmëndur ekonomike, rritje pagash dhe pensionesh, indeksim të pagave të administratës sipas inflacionit, rigjallërim të çdo zgëqeje që Shqipërisë falë Rilindjes Urbane me sheshe me pllaka guri e me Lungomare, rigjallërim të 100 fshatrave që i ra lotaria, 1 miliardë euro për 3 rrugë, madje madje, biles biles, arriti edhe rekorde në vlerën e 1 kilometri. Sepse këtu ka standarde o zotëri, jo shaka. Nuk tha më kot Ai se “Nuk keni parë gjë akoma”.

* * *

“Merr në telefon të gjithë. Në orën 16:00 do bëj një konferencë për shtyp” i tha End Fugës dhe e mbylli telefonin. E me të vërtetë, të gjithë ishin aty. Sandri, që Führeri i bënte gjithnjë të fala kur ishte në opozitë, çunat e ndërtimit (part-time edhe pronarë TV-je), Vjollca (vjehrra e Ledion Liços), Mero B.-ja, dhe natyrisht çunat e TVSH-së dhe ERTV-së.
Gjatë rrugës me tyty, pavarësisht zhurmës së sirenave të gardës që hapnin rrugën për të, Ai mendonte me vete: “Po kësaj here, ç’tu them? Në të gjithë dynjanë njerëzit kanë frikë vetëm nga vjehrra, por këta lepujt e delet kanë frikë edhe nga uji që pijnë, nga buka që blejnë, nga domatet me çik ngjyrues, nga çdo njeri në çdo moment se mos i vret, kanë frikë se mos vriten padashje në atentat që i bëjnë atij që janë ulur në tavolinë.... Po pse o, faj kam unë që janë kaq frikacakë?”
Atë ditë, në orën 15:59, Shqipëria ndaloi. Të gjithë ishin me sytë nga TV. Nuk ekzistonte më asnjë gjë tjetër.
Me një hap ritmik, të ngadaltë por të rëndë, Ai po i afrohej podiumit. Në fytyrë nuk po shfaqte asnjë emocion. Tashmë i pozicionuar përpara mikrofonëve të vendosur rregullisht aty, pasi i pa në sy të gjithë ata që ishin prezentë, me një zë të thellë e autoritar (tip Batmani, që të kuptohemi), tha vetëm: “Mos e rruani k*rin”.

0 komente:

Post a Comment

My Instagram