Akti i fundmë i zhveshjes



Spoiler alert: ky shkrim nuk ka ndonjë zhveshje të madhe në brendësi. Jallah nja dy herë mund të përmendet fjala "cica" ose "byçë" (se jam çun me kulturë). Nëse nuk je i interesuar për gjëra të mënçme, ke atë X-in e kuq lart në cep djathtas (✌)



Zhveshja, ndër të tjerash, sipas Fjalorit të gjuhës shqipe, është t'i heqësh dikujt të drejtën të mbajë një rrobë që është karakteristike për një profesion a për një detyrë(si për shembull: shkarkoj dikë nga një detyrë e caktuar; Ia zhveshën uniformën ushtarake.); t'i marrësh dikujt me forcë a me dinakëri diçka; ta grabitësh, ta vjedhësh, ta plaçkitësh. (E zhveshën hajdutët. Pushtuesit e zhveshën popullin. Fajdexhiu i zhvishte pak e nga pak.); dhe ajo që mua më pëlqen më shumë: Që është pa ndonjë qëllim e pa përmbajtje, i zbrazët, i kotë. (Jetë e zhveshur.)

Nëpër këto 27 vitet e fundit, edhe pse e nisëm udhën tonë të keqveshur (fizikisht), por jo të zhveshur, ne shqiptarët kemi përjetuar një striptease të çuditshëm, për më tepër, nën ritmin e tangos së demokracisë tonë (1 hap para, 2 hapa mbrapa).

Më 1991, patëm ca burra e gra të mençur që na përfaqësonin. E që për më tepër, dolën nga ai Parlament ashtu siç hynë: një hyrje 1+1 parafabrikat në ndonjë zgëqe të Tiranës, rroba të Dolce Gabi-t dhe jallah ndonjë lek të vënë mënjanë nga Bonot e Privatizimit (ca letra format gjysmë-çarçaf për ata që nuk i mbajnë mend).



Spektakli i zhveshjes

Që nga ai moment, filloi një eskalim i frikshëm zhveshjesh:

Terapia e shokut qe e para, që na zhveshi (ndoshta) nga koncepti dhe nga vetë prona kolektive, por na veshi në këmbë një gjyle që ende mezi e tërheqim;

Ligji 7501. Dhe këtë po e lë me kaq. Nëse ka ndonjë që nuk është keqprekur nga ky ligj, të ngrejë dorën (✋)

Vefa & friends, që na zhveshën nga shumë gjëra: nga kursimet e deriatëhershme; nga besimi në institucionet e mirëfillta financiare (i.e. Banka / Unione); nga të kuptuarit e marrëdhënies publike - private (i.e. I kërkonim paratë Berishës, ndërkohë që i kishim vendosur në firma private. Për shokët kamunistë, mbikëqyrja nuk është "marrëdhënie kontraktuale" - i kontrollon, por nuk i garanton); nga besimi në shtet (e kishim?) - e këtu ka shumë "nënbesime" të shkatërruara, që vështirë të rikthehen (më e thjeshta: besimi në institucione, dhe jo në vetëgjyqësi).

Demokracia një kakë: Pas një pompimi adrenaline të disakohshëm, kuptuam në fakt që edhe ky sistem që po na shitej si demokraci, ishte në fakt një hoax. E humbëm kështu, u zhveshëm me pak fjalë, nga ai besimi se "Shqipëria do të ishte si gjithë Europa".

E filluam kështu, gradualisht, të hiqnim një nga një petkat që mbanim në shpirt. Aty ku strehoheshim kur kishim ftohtë nga ça po shihnim, frikë nga ça po ndjenim, mllef nga ça po përjetonim. Tashmë ato rroba ishin veç një thes i vjetër rrobash nostalgjike. Nga ato që nuk t'i bën zemra t'i hedhësh, edhe pse e di që as të bëjnë as nuk do i veshësh kurrë, po gjithësesi...le të jenë aty...

E kjo, mbyll "Ciklin e Preshit", që me Tan Shehun, ahimè, e provuam të gjithë nga njëçik. (për fair play, unë nuk e di nëse historia e preshit është e vërtetë. Këtë do e dinë vetëm populli prezent aty, Tan Shehu si dhe preshi.)



Spektakli - versioni 2.0

E si mund ne të mos ecnim me hapin e kohës?

Kohë të reja duan njerëz të rinj e formula të reja Spektakli. Pikërisht për këtë, ne zgjodhëm njerëz të vjetër (remember the new old fragrance "Toss by Hugo Boss"?), që të gjenin forma revolucionare të Spektaklit të vjetër.

KPD (Këshilli i Përgjithshëm Drejtues) i PS-së ato kohë na e sintetizoi shumë thjesht show-n që po ndodhte:

  1. Duhet herë pas here të ketë fraksione (të kontrolluara), që të mbyten më pas: remember Lëvizjen Katharsis? PDr? LMN? PSV91?
  2. "Ne nuk duam as ujë, as bukë, as drita... Vetëm ju shokë mos të përçaheni"
  3. We do care për barazinë gjinore: " Se ti Arta, e ke provuar fuqinë time"


Periudha moderne: Tope mëndafshi

Pas shumë e shumë zhveshjesh, thellë thellë kemi ngecur në atë që quhet "Tope mëndafshi".

E kam kryesisht me këta k@rdërrat që janë sot në politikë, e që lëshojnë demek mesazhe të forta të tipit "Shih se nuk ka vetëm Parlament këtu", apo "Kujt i thua për moldave ti mër k'lysh zonje të mirë, mër të q!*sh@ zonjën e mirë", apo për kërcënimin më serioz nga të gjitha kërcënimet e mundshme në botë: "Do bëhesh meme, sorry"...
Ama, në fund të ditës, të gjithë e ngrënë - kartonin e votimit - për atë, Krietarin. Liderin suprem që di gjithnjë ç'bën e ç'thotë.

E kështu, kemi ngecur në një loop të frikshëm, ku ç'thotë Berisha/Tosi/Edvini bën pop'lli, e ç'thotë pop'lli (nuk) bën Berisha/Tosi/Edvini, shpesh e shoqëruar me "new told lies" të tipit "Kur flet proletariati, burokracia hesht".



Përpara parafundit:

  • E kam thënë edhe më parë: Po ndërtojmë një minë me sahat. Po rrisim një brez, ku dominojnë debila e debile, që po zhveshin neuronet, e bashkë me to, po zhveshin edhe rrobat, se cicët e byçët shesin. (Meqë dhashë fjalën që do kishte cicë e byçë).
  • Emrin e politikanit vendose vetë. Thjesht bëj krahasimin me këtë gjënë këtu


E parafundit:

Nëpër tribuna shpesh e niste me "Ministri më i suksesshëm i qeverisë", por nuk na tha kurrë si përfundon barcaleta...



E fundit:

E kështu, zhveshëm mantelin e fundit. Atë që e ke pasur gjithnjë, në të mirë e në të keq: u zhveshëm nga shpresa.


Deri në një të ardhme më të mirë, Suksese në jetë! 🙈🙉🙊


3 komente

  1. Do behet me mire se me keq nuk ka ku te vej - e mban mend besoj ? :) :)
    E ke qare :)

    ReplyDelete
  2. Ani nje shkrim shume i mire! Komplimente per blogun tend!

    ReplyDelete

My Instagram