Kryeministri i (Gjuhës së) Luftës





Në luftë, vlen çdo armë – siç na mëson edhe Aristofani, me Lisistratën (Λυσιστράτη). Komedia tregon për misionin e jashtëzakonshëm të grave për të përfunduar Luftën e Peloponezit ndërmjet Athinës dhe Spartës, duke i mohuar meshkujve sekësin – e vetmja gjë që ata donin dhe dëshironin – për t’i shtrënguar që të fillonin negociatat e paqes. Nje strategji kjo e fundit, që thjesht acaroi më tej konfliktet ndërmjet gjinive/sekseve.
Edhe qeveriu ynë i nderuar, i gjendur në luftë me armikun e padukshëm që po bën gjëmën (përgjithësisht pas orës 13:00 ose 17:30, gjykuar nga masat e marra po nga qeveriu), vendosi (Faleminderit për bashkëpunimin e suksesshëm AKEP dhe znj(sh). Nazarko dhe z. Burrë i Martuar) që të bllokojë faqet e dashurisë për ne meshkujt e shkretë e të frustruar në këto kohë karavirusi. Por lufta i ka këto...

Tashmë prej më shumë se 6 javësh, çdo dalje e kryeministrit shoqërohet me togfjalëshin "Jemi në luftë" apo "Kjo është një luftë". Pak a shumë i njëjti fjalor bellum-i ka ndodhur edhe në Kinë për shembull, ku Xi “Winnie the Pooh” Jinping evokoi fjalët dhe shpirtin e Mao Ce Dun-it (Mao Zedong) ndërkohë që deklaronte “luftë popullore”. Më tej, në Francë, Macron vuri mantelin e Clemenceau-së (kryeministri i Luftës së Parë Botërore) duke deklaruar “Jemi në luftë”. Qershia mbi tortë, Trump – the very stable genius – e quajti koronavirusin një sulm të jashtëm (“Virusi Kinez”) dhe e shpalli veten “President në kohë lufte”.
Që Rama e ka për zemër Francën, kjo nuk është gjë e re. Për ironi, Clemeceau ishte mbiquajtur “Père la Victoire” ose “Le Tigre”. Një nga këto të dyja, Kryeministri ynë, të paktën, e ka deleguar (*cough cough* Ben Ahmetaj *cough cough*).

E megjithatë, unë nuk mendoj se jemi në luftë. Kjo, pjesërisht, ndoshta sepse "Lufta" ka qenë gjithnjë pjesë e diskursit politik shqiptar prej kohësh: luftë e klasave, luftë ndaj klerit, ndaj informalitetit, ndaj korrupsionit, abuzimit, krimit të organizuar etj. (ngelet për t’u shtjelluar se në fakt, pas viteve 90, pjesa më e madhe kanë ngelur në nivelin e Blitzkrieg të dështuar). Gjithashtu, pak paralele mund të hiqen ndërmjet COVID-19 dhe Luftës - për shembull fshehja e numrit të viktimave, që në të dy rastet do të demoralizonte luftëtarët e vijës së parë, përdorur me ose pa thonjëza, sipas situatës. Në nivel strategjie, numri i viktimave (fatkeqësisht) është vetëm një KPI (key performance indicator): një tregues se sa efikas (apo jo) është një politikë e caktuar qeveritare në përmbajtjen e përhapjes së virusit. Me pak fjalë, duhet ruajtur stamina popullore. Gjithashtu, Lufta ka një “protokoll” masash. Deri tani, masat e marra janë: “Rri në shtëpi, por shko në punë”. Duke u sajuar me kalimin e kohës. Njëherë ora 05:00 për të dalë, njëherë ora 17:30 për t’u kthyer. Ndihmojmë njëherë këtë shtresë të popullsisë. Pastaj këtë. Këta të tjerët nuk i ndihmojmë. “Edi jam. Përfiton nga paketa e dytë”. "Edi jam. Nuk do paguash qiranë këto tre muaj. Do e paguash dmth, por nuk do e paguash. Bini vetë dakord", "Edi jam. Kredia t'u fal për tre muaj. Nuk është se t'u fal dmth, se do paguash interesat për ato tre muaj, por u shty kësti. Besoj", "Mos të dalin mosha 65+, por vetëm të shtunën. Të nesërmen nënat me fëmijë". Mezi po pres të mësoj çfarë do të na sjellë e pasnesërmja...
Ne jemi thjesht në kushtet e një gjëndjeje të jashtëzakonshme, kundrejt një virusi të cilit ende nuk i dimë vaksinën. Për këtë të fundit do duhet kohë. Kjo e fundit, është ajo që do shpenzojmë të izoluar me sa të mundemi në shtëpi. Elementary Watson.

“Mbrojtja më e mirë është sulmi”. Një ithtar i verbër i kësaj strategjie është Kryeministri ynë i Luftës, që e ka bërë këtë moto modus operandi të jetës së tij. Kujtojmë se, Kryeministri i shkretë as nuk donte që të ishte në krye të kësaj lufte, siç e ka thënë vetë disa herë në komunikimet me ne hallexhinjtë e popullit. Por, i gjendur në atë pozicion, i shkreti, i bëri të qarta disa gjëra që në fillim: Opozita e ka fajin për çdo gjë. Fatkeqësisht ka kaluar shumë kohë dhe “Saliu e ka fajin” nuk pi më ujë, por gjithsesi fajin e ka opozita që mashtron për çdo gjë. Media nuk duhet besuar. Asnjë. Përveç ERTV. Vetëm ai jep të vërtetën, vetëm të vertetën dhe asgjë tjetër veçse të vërtetës (dmth tri gjëra të ndryshme). Gjithashtu, me një fjalor trump-esk të çuditshëm, në Shqipëri “kemi marrë të gjitha masat e nevojshme”, “kemi plot teste, aq sa duhen”, “kemi çdo plan gati”, “do ndihmojmë çdo shqiptar”...por jo ndonjë gjë konkrete dmth. Ndonjëherë të duket sikur dëgjon atë xhaxhin në fund të lokalit, të dehur me raki që në orën 11:00 të mëngjesit.

Nën madhështinë e PR të Goebbels-it (e kam fjalën për Ministrin e Propagandës, E. Fuga), “Lufta” ishte sebepi më i mirë për të dalë në TV në çdo moment. Ca për të bërë politikë qesesh (sesi Nëno Zylfia nga Balhaxhijasi i Tiranës mori ndihma nga dora e vetë Lali Erit), ca për të thënë “ja, e shihni, jemi këtu, me ju. Siç ishim edhe kur ra tërmeti. Me lekët tuaja – ato të pavjedhurat ende – jemi duke ju ndihmuar, por ju duhet jo vetëm të na jeni mirënjohës ne, por edhe të na falenderoni dhe të na votoni në të ardhmen”. E si të mos mjaftojë kjo, janë edhe ushtarët e tastierave dhe militantët, që kanë një strategji të çuditshme kundërshtimi, që vjen përgjithësisht në 5 valë:
-        Kryeministri nuk e ka thënë këtë gjë.
-        Edhe nëse e ka thënë, nuk e ka pasur me vërte
-        Edhe nëse e ka pasur me vërte, nuk e ke kuptuar ti tamam
-        Edhe nëse e ke kuptuar, ku është problemi këtu?
-        Edhe nëse ka ndonjë problem, Saliu, Luli, Mona dhe Meta kanë bërë më keq.

Përsa i përket atyre që janë nën varësinë direkte (ose jo) të Kryeministrit të Luftës nuk them dot gjë. E para, nuk është se mund të presim që ndonjë të dalë kundër Edit. E dyta, më mirë të gënjejnë e të kenë një rrogë për shtëpinë, sesa të gënjejnë e mos të marrin asnjë lek...

E ndërkohë, në këtë amulli, ndryshohen rregullat, ndryshohen ligjet, bëhen tendera të dyshimtë, vazhdojmë të mos kemi gjykatë ndërkohë që vihen gjoba, Fletorja Zyrtare tani është faqja e Facebook-ut të Kokëministrit etj. etj.

Kjo nuk është qeverisje (governing), por sundim (ruling). E ndaj, Kujdes Po, por Frika po shtohet që çke me të.

E për ta mbyllur, pak Johnny Cash:

There's a man goin' 'round takin' names.
And he decides who to free and who to blame.
Everybody won't be treated all the same.


0 komente:

Post a Comment

My Instagram