Një qeveri piroteknike



Prej ca kohësh, nëpër media, krahas lajmeve të trishtueshme (të tipit se si Gena preu flokët), qarkullojnë teza dhe hipoteza se çfarë do të bëhet me zgjedhjet e 18 qershorit. E meqë nuk ngeli njeri pa folur, thashë edhe unë të jap mendimin tim, edhe pse nuk do e pjerdhë njeri, edhe pse do shkoqitet ca si gjatë.

Që të jemi në të njëjtjën linjë, në atë që po tentoj të them, do më duhet të bëj nja dy sqarime, ose thjesht të tregoj se cilat janë premisat nga të cilat nisem.

Shqiptari mesatar
Shqiptari mesatar është një entitet ende i pa mirë-përcaktuar nga shkenca dhe shkencëtarët që merren me të. Në mënyrë të sintetizuar, shqiptari mesatar gëzon disa veti:
-        Çfarë është e mirë, është arritur vetëm në sajë të zotësisë dhe birkurvilliqeve që ka bërë shqiptari mesatar.
 
-        Çfarë është e keqe, është për shkak se njerëzit e këqinj nuk e kanë lënë shqiptarin e mirë të bëjë mirë. Kjo pjesa “njerëzit e këqinj” ha debat sa të duash, se ndryshon në formë e në përmbajtje, sipas narracionit të shqiptarit mesatar. Kështu, “njeri i keq” mund të jetë njeriu i lig që nuk e lë të mirin të bëjë përpara, po aq sa mund të jetë edhe njeriu korrekt që nuk e lë shqiptarin mesatar për të bërë zullume. Shkurt llafi, varet çdo gjë shpirti vllait. Ka nga ata shqiptarë mesatarë që madje kanë mësuar edhe emrin e Einstein, vetëm e vetëm që të thonë “Çdo gjë është relative, e ka thonë ene Eshtajni”. Ky është momenti ku një pjesë e vetes së atyre që çoç kanë investuar për veten, zhvishet, e pasi bën nderimin ushtarak ndaj njerëzimit, vret veten.
 
-        Shqiptari mesatar e do shtetin atëherë kur i duhet. Që lidhet çik me të mirën e të keqen që thashë më sipër. Që gjithashtu janë relative. Po praktikisht, kur ka ndonjë gjë që është në avantazh të shqiptarit mesatar, shteti duhet ta mbrojë. Kur ligjet, praktikat, normat etj. janë në kundërshtim me çfarë thotë e mendon shqiptari mesatar, atëherë fajin e ka shteti, që i bën ligjet tendenciozë, ku e ku “të pengojë njerinë e mirë të ecë përpara”. E kotë ta them, fraza mes “ është thënë nga shqiptari mesatar.
 
-        Shqiptari mesatar ka një kriter shumë të thjeshtë kategorizimi: çfarë është brenda tij – në formë e në përmbajtje - është e mirë. Çfarë është jashtë, është e keqe.
o   Ke ndonjë ide që mund të përmirësojë në mënyrë thelbësore jetën e shqiptarit mesatar? Atëherë je njeri i keq.
o   Ndërmerr veprime konkrete për të ndaluar praktika të gabuara që ndikojnë një pjesë (relativisht të madhe) të shoqërisë? Atëherë prapë je i keq.
 
-        Shqiptari mesatar ka gjithnjë të drejtë. Edhe në tregoftë përralla me mbret. Nëse nuk e beson, atëherë ti je i keq. Madje madje, antieuropian, kundra perëndimit, kukull e komunizmit dhe që nuk meriton të rrosh në këtë dynja.
 
 
Hajde luajmë një lojë
Ka një lojë në Shqipëri që ka jetë e mot që luhet. Quhet “Gishtabythash”. Parimi është i thjeshtë, dhe, hey, it’s so fun!
“Gishtabythash” luhet me dy ose më shumë njerëz, me aspak, pak ose shumë audiencë. Me pak fjalë, është loja ideale për të luajtur në çdo kohë dhe në çdo vend.
Me evoluimin e kohëve, loja ka marrë forma të ndryshme, por thelbi i vetë i shenjtë ka ngelur i pandryshuar: futja tjetrit, përpara se të ta fusë.
Kaq e institucionalizuar është kjo lojë, saqë e luajnë të gjithë. Madje madje, Murlan-i është veçse një kujtim i largët tashmë, sepse të gjithë duan të luajnë “Gishtabythash”.
Figurat këtu tek ne janë bërë si figura letrash bixhozi, ku ç'fiton në një dorë, e lë në dorën tjetër. Ç'griset e pështyhet nga një lojtar, puthet e përqafohet nga lojtari tjetër. Sepse e gjitha kjo, është pjesë e lojës. E “Gishtabythash” pra. Mos bëj kot tani sikur nuk e ke provuar.

WTF Albania
Unë për Shqipërinë kam folur ca si gjatë (i ke në homepage), kështu që do shtoj veç nja dy paragrafe ekzotike për këtë Shqipërinë tonë e shqiptarët tanë trim, trapa e të paepur.
Pranë Bulevardit Zogu i Parë, emëruar për nder të Mbretit të Shqiptarëve, Ahmet Bej Zogolli, gjendet Qendra Tregtare Toptani, që ndodhet në rrugën Abdi Toptani, e që në mendimin tim e ka marrë emrin prej Esat Pashë Toptani. Qendra Toptani gjendet afër sheshit Avni Rustemi, që ishte ai që vrau Esat Toptanin. Ndërkohë që Avniun e vranë njerëz të Ahmet Zogut, që kishin lidhje fisnore me Esat Toptanin. E ndërkohë që Abdiu e Esati nuk bëheshin me njëri tjetrin, edhe pse në fis, për çështje ideologjike...

Ky mish-mash i institucionalizuar, nuk është veçse një paraqitje e thjeshte e trashëgimisë tonë kulturore, që, normalisht, vazhdon të persekutojë shqiptarin mesatar.

Si thua sikur të flasim çik për komunizmin? Në mënyrë shumë të sintetizuar, në optikën time, komunizmi në Shqipëri ishte një ide e keqe, e zbatuar më së miri. Kasta të mirë-organizuara hierarike, nën petkun politik, që vranë e prenë e bënë çfarë të donin. Me këtë rast, meqë kishin mundësi, dizenjuan edhe disa pasardhës, që erdhën në pushtet, në mënyrë paqësore më 1991. Por ky nuk është problemi në vetëvete. Problemi është gjurma që ka lënë komunizmi tek ne. Vuajmë nga mania e persekutimit (revizionizmi amerikan dhe ai englez që duan të na heqin qafe); vuajmë nga mania e teorive të konspiracionit (donte Edi, po i tha amerikani “jo shoku, nuk do e bësh kështu”. Se dihet ajo punë, po të dojë amerikani, bëhen të gjitha); vuajmë nga një injorancë masive (ndoshta ndoshta, deri diku, ja kemi futur dynjasë, se kemi qënë një hap përpara me post-truth-in) dhe më e frikshmja, për mendimin tim, është vigjilenca jonë për të luajtuar gishtabythash, në çdo moment. Se nuk i dihet.

 

The third way
 

Kush ka nerva të lexojë, këtu gjendet një pasqyrim i konceptit politik të third way. Unë kam dashur ta shoh në mënyrë paksa më ... shqiptare. Ngado që të fillosh numërimin, gishti i tretë është ay që i rezervohet popllit. Se të parin e kanë për vete, të dytin për rrethet e qokave, të tretin për sovranin. Dhe poplli ynë ka shprehje sa të duash për gishtat dhe përdorimin e tyre. “Ngeli me gisht në gojë”, “Dorën në qafe, gishtin nga poshtë”, “Pa vënë gishtin në plagë...” e kështu me radhë. Se sikur të zë edhe kallo muhabeti – le ta quajmë kështu – kur mësohesh me the third way.

* Shower thoughts: Rastësi që LSI-ja është forca e tretë politike në Shqipëri? *

Përtej gishtave dhe kallove, përtej Shqipërisë dhe shqiptarit mesatar, është e trishtueshme të shohësh fashizmin ku bota dhe njerëzimi po përqaset. Unë nuk kam një zgjidhje. Nuk di të them nëse ka ndonjë sistem apo përqasje më të mirë. Por ama nuk më pëlqen motoja “Ti je i lirë. Por deri në atë pikë sa unë, autoriteti (the authority) të them që je i lirë.”
Me kësmet, piqemi ndonjë ditë dhe e kuvendojmë gjërë e gjatë këtë pun(ë).

 
Who wants to be a demokrat?
 
Këtë lojën, e nisi fillimisht Ramizi. Jo ca pluralizma, ca partira të tjera, ca reforma ekonomike (i.e. glasnosti dhe perestroika shqiptare) e kështu me radhë. Pastaj ishte Tigri i Vuçidolit që i tha popullit “Prit, se unë jam më demokrat se ky”. Dhe bëri vetëm gjëra të majta. Pas 1996, në thelb gjithë historia jonë reduktohet në “Unë jam më demokrat se ai” dhe “Ok, ndoshta unë nuk jam demokrat, por nuk jam autokratik sa ai atje, kështu që i bie që unë jam i miri dhe ai i keqi”.
Përpos dilemës së famshme në do të kemi përfaqësim (që cënon stabilitetin), apo stabilitet (që cënon përfaqësimin), unë kam bindje që përtej shqiptarit mesatar, janë ata shqiptarë që ndjehen të braktisur. Por që ende besojnë. Ende shpresojnë. Ndonjëherë, edhe pse e dinë që nuk duhet ta bëjnë një gjë të tillë.
Deri atëherë, le të shohim një seri tjetër të “Who wants to be a demokrat” ;)
 
Qeveria Piroteknike

Se plasa deri sa arrita në këtë pikë. Shumë shkurt, Ramizi bëri kokëministër Tosin, që ia futi Berisha. Madje e futi edhe në burg. Por e liroi pastaj. Dhe Tosi me këtë rast i mori kokëministrinë (lexo: qeverinë). Dhe me këtë rast, meqë po luhej “Who wants to be a demokrat”, solli Edin nga jashtë dhe mbajti afër Liken. Mirëpo Likja u mërzit at a certain point, kështu që iku dhe bëri LSInë. Majko i mori kokëministrinë ndërsa Edi partinë. E Nanos së shkretë, i mbetur në pikë të hallit, nuk i ngelën veçse ca palo milionë euro lekë të fituar me djersë të ballit nëpër konçesionërëra, aeroporte dhe industrira naftërash. U lodhën që u lodhën çunat? Erdhi prapë Sala në 2005, bëri ç’bëri, e la në 2013, që e mori Edi me 1 milionë shpulla. Unë këtu dua të bëj një sqarim historik, se në fakt ato kanë qenë 999’999 shpulla, se Edi vetë nuk godet. Ai ka shuplakë institucionale. Jo më kot, për herë të parë në këto 4-500 vitet e fundit, po bëhet shtet më në fund. Për ata që janë ende të paqartë, erën e shtetit e ndjeni buzë urave të Lanës.

Nashi, në gjithë këtë situatë kaq romantique, kaq të ëmbël, kaq demokratike dhe kaq të qetë, a nuk kam të drejtë të kërkoj një qeveri piroteknike?

Se për qeveri teknike, nuk është ndonjë mundim i madh. Merr ca ministra, ca zëvendësministra, ca kokë institucionesh edhe u bë ky muhabet. Që në thelb është fashizmi i aplikuar (qeveriu i thotë pakicës: “Ti bëj çfarë të duash, por deri sa të të them unë”).

Duke parë këto dokumentarët dhe filmat revizionistë, që shesin ëndrra falas, më lindi edhe mua një dëshirë në kokë: Dream big!

Kështu që, unë dua një qeveri piroteknike. Nëse çunave u duhet barut, fitil, ndezës, ca benzinë (nuk i dihet asnjëherë), mund të sakrifikohem. Por i dua të gjithë bashkë, dorë më dorë, në të njëjtën sallë me spektaklin. Shtesë Erion Veliajn. Çështje personale.

Aty me të vërtetë që do e kishim parë Republikën e Re ...




1 komente

  1. C'te te them, e ke qare. Ne cdo germe qe ke shkruar. Bravo!

    ReplyDelete

My Instagram