Profeti





Më 23 shtator 2015, teksa ishin në Reality Show “Parlamenti”, që jepet të enjteve nëpër media, Kryeministri i vendit bëri një deklaratë, që në atë kohë u cilësua si një pjesë e bagazhit të gjërë të batutave dhe anekdotave që Rama nuk i ka kyrsyer ndonjëherë, por edhe u përdor nga opozita si një kërcënim i pastër i Edit të qenit Kryeministër. Për kujtesë, opozita në atë kohë, ishte një stoli protokollare, një kravatë që plotëson veshjen formale, pa ndonjë funksion domosdoshmërisht utilitar – një lloj spalete simbolike pra, tek uniforma e një gjenerali, i një ushtrie tashmë të vdekur.

“Nuk keni parë gjë akoma, absolutisht. Ju siguroj për këtë. Çfarë do të shikoni kaq vite sa do të rrini në opozitë, do të habiteni edhe vetë.” cit. Edi Rama (Këtu, fq. 15)

Si një mashkull (pothuajse) i ri, i pasur veç në dyshimet e mia dhe në aspiratat për veten, i mësuar të jetoj në vetminë e botës time ose në oazet shoqërore (gjithnjë e më të pakta) - apo siç thotë Pessoa “Nuk jam kurrgja. S'do jem kurrë asgja. S'mundem me dashtë me qenë diçka. Por veç kësaj, bart në veti andrrat e tanë botës.” - ndonjëherë rri e vras mendjen (dhe ndonjëherë rri e shkruaj) për shkaqet e fukarallëkut dhe maskarallëkut që (në përgjithësi) mbizotëron në fushat e ndryshme të jetës shqiptare sot. Varfëria materiale (ekonomike); mentaliteti; varfëria, vulgu  dhe boshllëku shpirtëror; migrimi dhe emigrimi si kërcënim për atë palo të ardhme që demek na pret; paranojat e përditshme të konspiracioneve (faleminderit Xhaxhi Enver për trashëgiminë); ekonomia e tregut, pluralizmi politik/partiak, demokracia parlamentare – të gjitha të adoptuara me ngut dhe me gjasë artificiale për kushtet e Shqipërisë; prona private dhe publike etj.

Unë nuk pretendoj të gjej zgjidhje të kësaj krize që na ka pushtuar. Për këtë, teknikisht duhet të kishte politika të mirëmenduara afatshkurtër dhe afatgjatë. Mua thjesht më bën çudi se si kaluam nga optimizmi i 1991 – ku mbizotëronte bindja se "e keqja" ishte diçka sipërfaqësore, si një nga ato puçrrat me qelb që të del ditën kur ke ndonjë intervistë apo takim të rëndësishëm, i shëmtuar dmth, por lehtësisht i kurueshëm; dhe pas do të vinte natyrshëm dekomunistizimi i ekonomisë, i politikës dhe i kulturës, e vendi do ta gjente vetvetiu rrugën drejt prosperitetit dhe mirëqenies, madje edhe pa u munduar shumë njerëzit vetë; pra, si kaluam nga aty, tek ky palo realitet, të një Shqipërie si një shtet relativisht (shumë) të trazuar, ku kufiri midis të mbarëve dhe të paudhëve shpesh është i padukshëm.

E nisëm mbarë. “Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmen, me besim te Zoti dhe/ose te vlera të tjera universale, me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare, me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, si dhe për prosperitetin e të gjithë kombit, për paqen, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror, me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar, me bindjen e thellë se drejtësia, paqja, harmonia dhe bashkëpunimi ndërmjet kombeve janë ndër vlerat më të larta të njerëzimit,”

Problemi është, që diku, jo vetëm që ngatërruam rrugën, por kemi ecur edhe shumë anash. Flaka e skandaleve që e ka përfshirë në mënyrë konstante skenën tonë politike i ka rrënjët – për mendimin tim – te mungesa e politikave, ideve dhe identitetit politik. Ato janë përballje mes klaneve, grupimeve apo individëve që nuk kanë asnjë diferencë ideore apo politike. Për pasojë, i vetmi “as nën mëngë” që përdoret është ajo e moralitetit: Unë jam i ndershëm, ti je i korruptuar.

Avancimi teknologjik i deritanishëm, ku optimizmi të bënte gjithnjë ta shihje nga kahu i përfitimit për shoqërinë, u kthye në fakt në një kërcënim e në një rrezik. Rreziku tanimë real i pranisë së një mikrofoni ose mikrokamere pas çdo kravate llamburitëse, jake këmishe, tabloje të varur në mur, ose busti ceremonial të heroit kombëtar e shkatërron mirëbesimin. Pa këtë mirëbesim, njerëzit nuk janë më njerëz, por aktorë në një skenë teatri, që thonë në mënyrë të vetëdijshme një skript të parashkruar.

Kur gjysmëperënditë e Rilindjes u hodhën me eufori drejt pushtimit të universit, shpërtheu një paradoks i tmerrshëm (që ishte mbarsur shumë vite me parë): çnjerëzimin e njerëzve, ku bën pjesë edhe njeriu, jo më njeriu konkret dhe individual, por njeriu-masë, ajo qënie e çuditshme ende me pamje njerëzore, me sy dhe lot, zë dhe emocione, por, në të vërtetë, ingranazh i një makine anonime e vigane.

Akti i fundmë i zhveshjes, na bëri të kuptojmë se:

- Plotësimi i pakufizuar i të gjitha dëshirave nuk favorizon mirëqenien, nuk mund të jetë rruga drejt lumturisë ose, madje rruga për përfitimin e maksimumit të kënaqësisë;

- Ëndrrës për të qenë zotër të pavarur të jetës vetjake i erdhi fundi, kur filluam të kuptojmë se ishim bërë ingranazhe të makinës burokratike dhe se mendimet, ndjenjat dhe shijet tona i manipulojnë qeveria, industria dhe mjetet e informacionit masiv (që ndoshta ndodhen nën kontrollin e tyre);

- Progresi ekonomik ka patur të bëjë vetëm me një numër të kufizuar njerëzish të pasur dhe hendeku midis njerëzve të pasur dhe atyre të varfër sa vjen e zgjerohet gjithnjë e më shumë;

- Vetë progresi teknik ka krijuar rrezikun për mjedisin rrethues.


Disave, u duket vetja si Camys:

"Pa dyshim, çdo brezi i duket vetja si i përzgjedhuri i fatit për të rindërtuar botën. Të paktën imi e di se nuk mund ta bëjë një gjë të tillë. Po detyra e tij është ndoshta më e madhe; qëndron në ndalimin e shkatërrimit të botës. Trashëgimtar i një historie të kalbur, ku molepsen revolucione të dështuara, teknika të çmendura, perëndi të vdekura e ideologji të shteruara; ku pushtetet mediokre, që sot mund të shkatërrojnë gjithçka, nuk ia dalin të bindin; ku zgjuarsia poshtërohet deri në atë pikë sa vihet në shërbim të urrejtjes dhe shtypjes".

Të tjerë, si Percy Bysshe Shelley, që në disa vargje profetizonte: "Një popull vdes nga uria, nëpër fushat e lëna djerrë".

Të tjerë, përfunduan Kryeministra.


0 komente:

Post a Comment

My Instagram