Papjekuria e një proteste të pjekur





"Janë  thjesht një tufë me studentë të pakënaqur. Ç'është më e keqja që mund të ndodhë?"
Ramiz Alia



Në asnjë moment të historisë, asnjë demokraturë nuk ka ditur të reformojë veten. Të paktën, jo në mënyrë të vetëvetishme. E nuk është se ndonjë nga ne priste në fakt, që një ditë dhjetori me diell, Edi Rama të çohej nga vila e Surrelit, e t’i thoshte vetes duke u parë në pasqyrë: “Sot ke për të ndryshuar mër qerrata”. Po përjashtoj këtu atë kategorinë “E pse të ndryshojë? Shumë i mirë është që iu bëftë nëna”.

Në këtë kontekst, protesta, ishte mëse e mirëpritur në shumë aspekte. Sepse në të, të gjithë, lamë çik ato gjynahet e apatisë së përditshme. Si ata tipat që pasi hanë një dopio-cheeseburger te McDonald’s dhe 3 pako patate të skuqura, dhurojnë 6 cent për fëmijët në Afrikë.

Të gjithë ne që nuk ditëm e nuk dolëm kurrë të protestojmë, nga frika se mos na hiqnin nga puna; që nuk u ngritëm kurrë për çmimet dhe koston e jetesës, edhe pse nuk arrijmë dot të mbyllim muajin me rrogën që marrim; që nuk u bashkuam kurrë me ata që protestonin për çmimin e naftës (edhe njëqind e kusur taksa që e ndiqnin nga pas), me justifikimin se nuk kemi makinë e nuk kemi ç’na duhet. Ashtu siç nuk jemi ngritur as për taksën e arsimit të Lali Erit (sepse ende nuk kemi fëmijë), as për taksën e biznesit të vogël, as për kulla e kasolle që po ngrihen ca nëpër trotuarë e ca nëpër qiej. E shumë e shumë kauza të tjera – qoftë andej, qoftë këtej. Shkurt, The Silent Majority.

Por gjithashtu, na bëri edhe njëherë të kuptojmë që asnjë sistem, asnjë person e asnjë forcë nuk është i pamposhtshëm. Numrat kanë pushtetin dhe kjo dihet. Njerëzit, edhe nëse nuk i kuptojnë mirë problemet e arsimit, e ndjenë padrejtësinë. E këtu, falë fukarallëkut të përgjithshëm, maskarallëkut po ashtu të përgjithshëm si dhe zhveshjes përfundimtare nga ç’patëm, kushtet për një protestë qenë pjekur, me kohë madje.

Megjithatë, në disa aspekte, protesta ishte/është e papjekur. Sepse shumë gjëra nuk ishin menduar paraprakisht. Mua dy më duken më kryesoret:



1)    Kush është kush, bën çfarë, kur e bën dhe si e bën

Meqënëse, siç e kam përmendur edhe më parë, “Shpresa e opozitës (së radhës) është që, meqënëse (eventualisht) njerëzit janë varfëruar dhe iu ka ardhur në majë të hundës me KokëMinistrin (Tosi/Sala/Edi), do t’i bashkohen opozitës.” Ishte e pritshme pra, që opozita aktuale t’a përdorë protestën e tanishme, në funksionin e vetë politik.
Duke qënë se jemi në Shqipëri, kësaj pjese i duhej paraprirë. Nuk mund të jap një sugjerim shterues, që e zgjidh përfundimisht pa lënë gjë të patrajtuar a të pasqaruar, apo që i trajton të gjitha anët dhe në thellësi, por ndoshta secili fakultet/shkollë/njësi që po merr pjesë në protestë, duhet të kishte përcaktuar paraprakisht një grup përfaqësuesish. Mund të jetë “Këshilli”, “Sindikata” etj., por e rëndësishmja është që të jetë larg atyre që me politikën e tyre shkatërruan sistemin arsimor në 28 vitet e fundit.



2)    Ja iku Rama! Po pastaj? (“The Day after Tomorrow” me pak fjalë)

Në këtë pikë, jam i dyzuar. Sepse nga njëra anë, nuk është shkruar a thënë gjëkundi, që automatikisht Kryeministri që gabon, sado rëndë (përjashto shkeljet shprehimisht e parashikuara kushtetuese), delegjitimon votën popullore që ka marrë partia apo partitë e koalicionit qeveritar. Përpara opsionit të zgjedhjeve të parakohshme, partia e shumicës ka të drejtën të nxjerrë një kryeministër tjetër nga radhët e saj (rasti në Shtator ’98, pas grushtit të dështuar të shtetit nga Birisha, që u pasua me dorëheqjen si kryeministër të Tos Nanos, por nuk u bënë zgjedhje të parakohshme). Pra, precedenti është.
Problemi është që, protesta, që gradualisht po kthehet në revoltë të gjërë, mund të çojë në degjenerimin e mëtejshëm të situatës, e nëse precipiton në një 1997 të dytë, në vend të kaosit dhe ushtarëve italianë – Misioni Alba, hipotetikisht i takon ushtrisë shqiptare të bëjë një grusht të voçkël shteti, të rrëzojë Ramën dhe të deklarojë zgjedhjet e parakohshme. Por para se të vemi tek të gjitha këto hipoteza – plotësisht teorike – kemi ende evolucionin e protestës për të ndjekur.

Nga ana tjetër, nëse konkretizohet largimi i Ramës, duhet domosdoshmërisht një grup intelektualësh dhe qytetarësh të besueshëm nga studentët që t’u bashkohen dhe të mendojnë e formulojnë një platformë se ç’do bëhet pas Ramës. Sepse gropa më e madhe që kjo protestë po na tregon, është pikërisht mungesa e një artikulimi të gjërë politik e gjithëpërfshirës, i armatosur nga fuqia e numrave. Ajo është protestë e studentëve, por nuk po manifeston dot ende mesazhe të elitës (intelektuale).
E në u dashtë që të gjendet ky “Grupi”, pjesa ime pesimiste, më thotë që do rrëshqasim, once again, në një spirale edhe më të zymtë nga ajo ku jemi.
Jam i vetëdijshëm që në Shqipëri nuk ka për t’u bërë dot shkencë, se shkenca kushton (në rastin më të mirë, do eksportojmë talente të reja). Gjithashtu, as kemi për të pasur inxhinierë hapësinorë, por mund të ketë një hov cilësor në mesataren e kapitalit njerëzor – në kontekstin e formimit dhe zhvillimit, dhe për këtë, universiteti (si institucion) luan rol kyç.

Deri atëherë, studentët (dhe jo vetëm), do të vazhdojnë të kërkojnë këshilla ... këshilla si të largohesh jashtë Shqipërisë…

Për t’a përmbledhur, mos harroni fasadën.

Because of the culture of fake life. It doesn’t need to be real, it needs to be “perfect”, even if it’s unreal.

That’s the spirit, comrades, that’s the spirit.

1 komente

  1. Casino City | MapyRO
    Casino City. Casino City is a 김포 출장마사지 large casino located 경기도 출장샵 in the city centre. It has a casino, sports, arcade, bar, 군산 출장안마 nightclub, 대전광역 출장샵 and many other facilities.Casino type: Land-basedNo. of rooms: 611 안동 출장샵

    ReplyDelete

My Instagram