Mos i fol shoferit

“Makina e mutit ka filluar të rrjedhë.”
Paolo Cohelo






  1. Politika

    Më duhet fillimisht ta nis me një premisë të thjeshtë: Në Shqipëri, është luks i madh të mos merresh me politikë. Përdhunimi - prej tashmë 73 vitesh – nga propaganda politike që është ulur gju më gju më popullin, e bën praktikisht të pamundur shkëputjen, dekonstruktimin e njeriut ndaj saj.

    Tani që u sqaruam, puna është shumë e thjeshtë: Gjërat nuk janë keq. Gjërat janë tmerr. Nga ai tmerri i keq fare ama.

    Siç e kam thënë edhe këtu, ne shqiptarët, njërëzit e mënçëm i kemi mbledhur të gjithë në Parlament. Puna është që kemi hasur disa probleme. Me jo-mburrje më duhet të them se ne kemi thyer çdo ligj të mundshëm statistikor, probabilitar dhe matematikor, pasi realisht është statistikisht e pamundur që përfaqësuesit e popullit (në sfond dëgjohet Berisha që thotë: Sovrani Vendosi!) të jenë kaq të cekët, të trashë në sjellje dhe të papërgjegjshëm – ose e thënë copë: debila. Gjë që është e çuditshme në vetëvete, pasi po të shohësh CV e ajkës së pop’llit, janë shumë të paktë ata fukarenjtë e gjorë që nuk kanë një diplomë juridiku, ekonomiku, ndonjë master a doktoraturë (doktor shkencash, ass. profesor [që uroj të mos jetë në anglisht], apo  profesor). Shqipëria, në letër, ka klasën drejtuese më të kualifikuar dhe më pro-akademike në këtë dynja...

    Ndoshta – larg qoftë e mos hyfsha në gjynahe – ky Parlamenti ynë është si ai niveli i ujit në një enë me vrima, që normalisht do të varet nga lartësia e vrimës më të ulët.

    Gjithësesi, në asnjë moment ne nuk e kemi humbur feeling me botën, pasi sot, në të mirë a në të keq, mendimi politik i Amerikës formulohet nëpërmjet 140 karaktereve të Twitter, dhe ndonjëherë, “e vërteta”, që ne duam aq shumë, vjen e përqëndruar. Di gjë njëri, iu dha ndonjë kuptim asaj covfefe?

    Nëse në dynja prej kohësh qarkullojnë hipoteza dhe teza për politikën-spektakël, ose për spektakolarizimin dhe mediatizimin e politikës, në Shqipëri procesi ka shkuar më tej: Aktorët tanë të këtij Big Show, as nuk bëjnë fare prova para pasqyre përpara se të performojnë. Sepse ata thjesht nuk kanë nevojë. Kanë një armë shumë të fortë: Batutat. I keni vënë re se si gajasen të enjteve duke bërë skeçe të denja për Hostenin?

    Problemi është se batuta asgjëson argumentimin, ndërpret komunikimin, devijon diskutimin, delegjitimon interlokutorin. Shkurt, vret politikën, atë të vërtetën, që duhet t’i shërbejë të mirës së përbashkët. Seriozisht.

    Provuam kështu të qisim (siç themi ne tironsit e vjetër) ca surrate të reja në skenë – se nuk është se ka ndonjë turnover shumë të lartë politika si industri.

    Provuam Lalin. Çun i mirë sa kohë ishte me Mjaftin, ose të paktën, kështu na bëri të besojë të gjithëve. Kishte një problem të vogël (jo të kapur në kohë) të natyrës së tij të lidhur çik me formimin evangjelist/kristian, ndërkohë që legjendat thonë, se në Shqipëri nuk do të kishte kurrë mundësi të lindte Jezusi, pasi nuk mund të gjendeshin dot njëkohësisht tri burra të mençur dhe një femër e virgjër.

    Gjithsesi, Veliaj – spolier alert: Këtu fillon pjesa serioze për këtë pikë - është kryebashkiaku që ka në dispozicion buxhetin më të madh ever që ka pasur ndonjëherë (krye)qyteti, por prapëseprape çdo 10-15 ditë dëgjojmë ndonjë shashkë politike mbi taksat e reja që do na vihen, se Bashkia është e varfër (që më raftë pika mua). E gjithsesi, në Facebook, pas një faze impenjative të pastrimit nga emojit, zbulon që ai është thjesht kryebashkiaku që punon më pa lidhje për Tiranën – një pemë aty, 2 rrugë këtu, një kënd i pjerdhur lodrash në ndonjë lagjje të pjerdhur dhe kaq. As vizion e as strategji (duke e folur gjithnjë nën këndvështrimin e të mirës publike, jo atë të xhepave të tij). Madje madje, biles biles, të krijohet ideja nga Facebook-u i Lalit, sikur Tirana tashmë i ka mbyllur me kohë çështjet e planifikimit dhe të vizionit strategjik për të ardhmen. Seriozisht e ka?

    Por e gjitha kjo është e mundur falë një strategjie shumë të thjeshtë: Llogoret politike. O me ne, o me ata. Dhe është me të vërtetë e çuditshme se si simpatia (në daç quaje parapëlqim apo njëanshmëri politike – e më gjërë, ideologjike), kthehen në fakt në një palë syze që e aberrojnë pamjen, imazhin, realitetin dhe përjetimet. E tufa të mirë-organizuara të hidhen në sulm në shafsh kryetarin, sepse ti ja bën muuu që qënke me shpellarin Sali.


  2. Shoqëria

    Për këtë pjesë, mendoj se realisht kam folur shumë. Por gjithsesi, nuk është faji im që gjithnjë ke çfarë mund të shtosh tek topthi i madh i të pa-mirës që është kjo shoqëria jonë.

    Unë nuk e di nëse është ndjekur apo jo ndonjë strategji eliminimi sistematike ndaj shoqrisë, por di që tani kemi përballë (e më lejoni ta thjeshtësoj punën) dy palë: ata pak njerëz të mënçëm me të vërte që fatkeqësisht mbyllin gojën dhe nuk i shprehin kurrë mendimet e tyre – deri sa vjen një ditë e pushojnë së menduari fare dhe vendin e të menduarit e zënë dërdëllitjet boshe. E nga ana tjetër, kemi një “Kardashianizim” të shoqërisë: Porno-yllka Instagrami që shprehjen e preferuar në jetë kanë “Ka kush punon për mua”, ose “Princesha e mamit dhe e babit” a më keq akoma, “Paradite pa punë, pasdite në gjumë”. Gjithësesi, epoka e internetit ka sjellë me vete edhe “demokratizimin” e dijes, a variantin e thjeshtë të premisës se “gjithsekush është i titulluar të ketë opinionin e vet.” – me pak fjalë, një lloj i çuditshëm triumfi i “post-truth”-it - “ti ke të vërtetën tënde, unë kam të vërtetën time.”

    Por në fakt, thellë thellë, ne nuk jemi të tillë. Ne mjaftohemi me pak gjëra, të tipit “Ja se çfarë i ndodhi Serbit”, apo “Shih se si u poshtërua Greku”. Pasioni ynë është “Dhëmb për dhëmb, e sy për sy”, ndaj kemi ngelur të verbër, se i kemi nxjerrë sytë njëri-tjetrit, nën emrin e një aventure romantike, siç është “Të vëmë nderin në vend”.

    Spoiler alert përsëri - pasi këtu fillon pjesa serioze për këtë pikë - Për një vënd si Shqipëria ku analfabetizmi funksional dhe varfëria për një pjesë të madhe të popullsisë janë kthyer në normë, duhet të imagjinojmë që edhe përqindja e atyre që nuk kontribuojnë dot në shoqëri të jetë shumë e lartë, e cila amplifikohet edhe nga fakti që ata që mund të kontribuojnë po e lënë vendin ditë për ditë. Me fjalë të tjera, ne shohim pemet, por kjo nuk na lejon të shohim pyllin.

  3. Po tani?

    Fashizmi, apo e thënë më ëmbël, demokratura, tashmë është një realitet i instaluar dhe i mirë-implementuar. Pak gjëra kanë ngelur për të thënë. Tashmë, të zhveshur nga ç’kishim, nuk na ngel veçse të urrejmë realitetin, por me pasion ama. E në besofsh në drejtësi, “Lex non distinguit” medemek, ose e përkthyer në shqip, drejtësia është qorre dhe sheh vetëm ata që do të shohë, pavarësisht vettingut.

    Pak fjalë më kanë ngelur. Siç thoshte ay, i madhi (jo Sala, tjetri më i madh se Sala, E.H.). më 1967:

    “Ky vit do të jetë më i vështirë se ai që shkoi. Por, nga ana tjetër, do të jetë më i lehtë se viti që vjen”.

    E më mirë se kaq, jallah vetëm Mareshall Artur da Costa e Silva mund ta ketë thënë:

    (citoj): “When the military took over, the country was teetering on the edge of a precipice, but now we have moved confidently forward”

0 komente:

Post a Comment

My Instagram