Inteligjenti


Kujdes, leximi i këtij shkrimi i ndalohet fëmijëve të pashoqëruar me prindër, por vetëm nëse këta të fundit janë fondamentalistë politikë që nuk dinë të arsyetojnë.

Prej kohësh, përpara se Endemol të bëhej e famshme me formate leshi të reality show, në Shqipëri ekzistonte një format i tillë. Për hir të së vërtetës, formati është ruajtur me fanatizëm deri ditët e sotme.

Shumë prej jush e njohin thjesht si “Parlamenti”, por në fakt, loja është më interesante se kaq.

Inteligjenti, një person me IQ përtej parametrave normalë që njerzimi njeh deri më sot, është infiltruar mes 140 përfaqësuesve të zgjedhur (lol) nga populli.

Kaq i suksesshëm është ky format, saqë menjëherë u vodh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën siglën “Inteligjenti VIP”: një luftë e egër mes dy kandidatëve (Trump dhe Clinton), që mbajti të mbërthyer miliona teleshikues nga e gjithë bota. Por në Amerikë, publiku është i mësuar me formate të tilla, dhe menjëherë i çorri maskën inteligjentit, duke lënë në lojë garuesin tjetër. Këtij tipit që fitoi (Ta quajmë Donald Inteligjenti?), sa për informacion, po i japim në dorë kodet e armëve atomike për të shkatërruar njerëzimin. Way to go US and A!

Pavarësisht ndryshimeve ndër kohë, rregullat janë shumë të thjeshta:

-          Inteligjenti nuk duhet t’i tregojë 139 lojtarëve të tjerë që është inteligjent, përndryshe duhet të largohet nga shtëpia
-          Votimi i publikut ndodh 1 herë në katër vjet, përgjithësisht sa për sy e faqe
-          Inteligjenti nuk është gjithnjë i njëjti person. Në varësi të situatës, ai mund të transferojë dijet dhe IQ-në e tij tek lojtarët e tjerë.

Ndër javë, banorëve të shtëpisë u kërkohet të përmbushin një sfidë. Javë pas jave, inteligjenti duhet të përshtatet me ambientin, si e si që të vazhdojë të jetë pjesë e lojës. Ai e di se mund të fitojë 3 lojë të njëpasnjëshme shahu me Kasparov dhe Karpov bashkë, ndërkohë që reciton përmendësh “Lahuta e Malcisë”. Por jo ai... Jo Inteligjenti.

Edhe pse i duhet të përballet me ofendime nga publiku, italishten e Berishës (se mos greqishtja më mirë) dhe Erion Braçen, ai, Inteligjenti, ia ka dalë të çajë përpara.

Në rend jo kronologjik, ja disa nga sfidat me të cilat janë përballur çunat e shtëpisë:


Buxheti 2017:

Pas fazës së parë të bashkëpunimit në shtëpi, dy klanet kryesore në shtëpi mezi prisnin të justifikoheshin përpara Alketa Vejsiut me frazën e famshme: “Po ky nuk është faji ynë. Fajin e ka qeverisja e mëparshme”. Gjithësesi, Kryetari i Shtëpisë e tha fjalën e vetë: “Shih, se unë për Buxhetin 2017 nuk kisha asnjë informacion”, ndërkohë që të gjithë Ministrat e Shtëpisë i tërhiqnin vëmendjen “Mos plako se këtë frazë duhet ta përdorje për dekriminalizimin e shtëpisë dhe hashashin në oborr”.

Asnjë tolerancë për evazionin fiskal. Miliarda Euro të hedhura dëm nga shitësit e preshit, të sallatës jeshile, të patateve të Kukësit etj. etj. nuk do të tolerohen më. Që Inteligjenti mos të demaskohej, propozoi që deputetëve të mos u rritej rroga. Të shkretët. Qindra mijëra qytetarë u solidarizuan e dolën në rrugë: “Aman, bukë nuk duam, veç deputetëve t’u rritet rroga se mendojnë për hallet e popullit” ishte lajtmotivi i lëvizjes. A do t’i jepet Inteligjenti protestave? Koha do ta tregojë.


Masat Sociale:

Inteligjentit i është dashur të përballet me disa sfida të rëndësishme në këtë pikë. Paga minimale në Shqipëri duhet të rritet, por nga ana tjetër punë-dhënësit mund të bëjnë sikur nuk e kanë lexuar këtë ligj. Si për dreq, Italia (që janë të këqinjtë që duan veç të na prishin punë), miratoi ligjin anti-punësim në Shqipëri (edhe pse ata legenat e mçefin muhabetin sikur e kanë me call center-at). Si u soll inteligjenti ynë? Çfarë bëri për të mos dalë nga Shtëpia?
E thjeshtë, fajin e ka opozita që blen europarlamentarë të huaj dhe lobon për shkatërrimin e Shqipërisë.

Disa media të liga vendase aluduan se paskërka pasur abuzime me ketch-up në shëndetësi. Kësaj here, inteligjenti nuk mundi ta përmbante veten: “U bënë këtë spurdhjakët të na tregojnë për transparencën e ketch-up-it, ndërkohë që e gjithë dynjaja e panë se sa e shijshme u bë znj. Nikolla me pak ketch-up”. Standing ovation.


Siguria:

Pavarësisht provokacioneve të ulëta, ca me vrasje, ca me vetëvrasje, pak a shumë në të gjithë Shqipërinë, Inteligjenti nuk e dha veten. Fraza e vetme e tij ishte: “Rrënqethem nga ngjarje të tilla”. Analogjia më e thjeshtë që më vjen në mendje, është kjo: Sa i afrohesh shtëpisë tënde, sheh që ka marrë flakë e po digjet. Dhe përballë shtëpisë, ndërkohë që çdo gjë po merr fund, ke një zjarrfikës, që sheh zjarrin dhe thotë “Pa shiko, pa shiko, paska zjarr. Duhet që të fiket nga dikush”.


Javën e fundit (që unë kam ndjekur), çunat e shtëpisë u vunë përpara zgjedhjes: Ose të ofronin një të ardhme më të mirë dhe dinjitoze për të ardhmen e Shqipërisë, ose të ndryshonin Kushtetutën për hir të reformës në drejtësi. Natyrisht, çunat zgjodhën një të ardhme më të mirë dhe dinjitoze, por kur e kuptuan që bëhej fjalë për Shqipërinë, zgjodhën të ndryshonin Kushtetutën. 140 me 0. E ku kishte vend për Inteligjentin që të fliste?


Mos harroni të na ndiqni. “Inteligjenti” mund të jetë çdokush....ok, thuajse çdokush.

“Inteligjenti”, reality show që ndoshta mund të mos mbarojë kurrë!


0 komente:

Post a Comment

My Instagram