The Silent Majority



Në këto ditë të nxehta vere, krahas disa titujve epshndjellës të të përditshmeve të elitës shqiptare (“E bën sërish! Bleona zhvishet në plazh”, apo “Vajzat në Tiranë bëjnë treshe” dhe – omëlcina në fund – “Zogu i Tiranës bën seks”), mua më fanepsen ca mendime, që jam i sigurt, i kam nga vapa.


Akti 1: Rrënjët totalitare

Në ato 45 vite diktaturë staliniste që përjetuam, është e vërtetë se u ngjizën disa elementë të njeriut të ri. Në retrospektivë, pas këtyre 45 vitesh komunizëm wanna-be, shtoji edhe nja 30 vjet never-ending tranzicion, kemi njeriun të ri (por jo shumë) sot:
  • Emancipuam kllasën punëtore. Në qeveri, asokohe, gjeje mjelëset e dalluara të komunës së Macukullit në Mat, apo të Përroit të Vërsidollit. Ndërkohë, njeriu sot, është i emancipuar. Në çdo qelizë të aparatit shtetëror sot gjen masivisht simpatizantë të partisë së radhës në pushtet. Meritokracia? Lol. Çuni/Goca e botës ka investuar për këtë ditë. Ka bërë 3 vite shkollë, 2-3 mastera, nuk di asnjë llaf në gjuhë të huaj dhe ka vështirësi të theksuar në ndërtimin e një fjalie të plotë dhe të qartë në shqip (analfabet funksional me pak fjalë). Por rëndësi ka, që në fund, truimfon tesera.
  • Realizmi socialist në art solli një frymë të re të paparë (lol) të zhvillimit të artit pamor në Shqipëri. Sot kemi një ushtri të tërë fotografësh, që dergjen rreth e rrotull liderave, e që në mënyrë spontane, plotësisht të rastësishme, qëllojnë që të jenë në vendin e duhur, në kohën e duhur (siç rastisi atëherë kur EV çoi një fëmijë rom në spital).
  • Mësuam me skuthllëk si të ruajmë privilegjet e kastës, qofsh magazinier, qofsh xhaxhi Enver. Idem sot, ku klikat në pushtet nuk bëjnë hiç fjalë për mbrojtjen e privilegjeve të tyre. Sepse kjo është “demokracia” e sotme, demokraci numrash. Fiton ai që ka sasinë/bollëkun (R.I.P. cilësia). Kjo është “demokracia”, ajo që del nga listat e bëra nga Kryetari i Plotfuqishëm, diku në ndonjë nga vilat dhe pallatet e pushtetit. E shyqyr që u ka vajtur mëndja të bëjnë një sistem elektoral sur-mesure, të zgjedhur nga klika vetë, për të gjetur mënyrën më të sigurtë për të ruajtur pozicionet e tyre, qoftë në pushtet, qoftë në opozitë



Akti 2: Diçka ndërmjet çorbës dhe kapsllëkut

Që pas Berisha 1 dhe vitit famëkeq 1997, skenari ka qënë shumë i thjeshtë: Shpresa e opozitës (së radhës) është që, meqënëse (eventualisht) njerëzit janë varfëruar dhe iu ka ardhur në majë të hundës me KokëMinistrin (Tosi/Sala/Edi), do t’i bashkohen opozitës.

E kështu, të gjitha palët bëjnë veç minimumin, duke u distancuar gjithnjë e më shumë nga ata që në fakt do të duhet të përfaqësonin. Politika në Tiranë është reduktuar në fushë betejë; prandaj s’është për t’u habitur, kur e vetmja formë komunikimi mes llogoreve është lufta. E përballë obsesionit të regjimit Berisha më parë, e Rama tani, që kanë me pushtetin si dhe mbylljen e çdo vrime komunikimi dhe dialogu ndërmjet institucioneve (ato pak që kanë ngelur) dhe shoqërisë, herë pas here, kemi shfaqje elokuente të zëmërimit popullor (21 janari, Kukës etj.).

Problemi është, se kemi gatuar një çorbë, ku, siç e përmënda edhe më lart, ai njeriu i ri i kllasës punëtore të emancipuar, ka për zot atë që i ka dhënë punën, e në momente krize (që për mendimin tim shteti ynë i ka të përditshme), janë pikërisht marrëdhëniet personale klienteliste dhe jo ato institucionale që dominojnë.

Shto këtu edhe një ndarje / polarizim, një vizion monokromatik “o me ne, o me ata”. Çdo gjë tjetër është herezi. Është ky fenomen polarizimi që krijon vazhdimisht një kontingjent social të varfër dhe të margjinalizuar që mund të përdoret nga çdo parti politike. E kush është i varfër (lexo: nuk ka bukë të hajë), u bashkëngjitet partive politike për të mbijetuar ekonomikisht, me koston që të shprehë në çdo moment dhe çdo rrethanë revoltën dhe urrejtjen ndaj atyre, të tjerëve. Ironikisht, ky kontigjent është ai që fiton më pak prej të gjithës.

Në tentativën tonë të fundit, këtë 30 vjeçarshin e tranzicionit me pak fjalë, bëmë ca copy-paste nga jashtështetit, se ata e dinë më mirë. Por, nuk ditëm kurrë t’i përtypnim e më pas t’i gëlltisnim frutat prej jashtetit. Na mësuan të gëlltisnim bananen e plotë, e tani vuajmë nga kapsllëku. Prandaj bota e qytetëruar, ajo që na eksportoi këto dhuratat, për vete ka krijuar disa mekanizma, që natyrisht mund të mos jenë të përsosura dhe gjithnjë funksionale, por të paktën shërbejnë si shina nga ku duhet të shkojë e ardhmja: zgjedhjet, votimet, vendimet e gjykatave, forumet publike (ose jo) ku palët argumentojnë këndvështrimet e veta, mediat që i reflektojnë etj.

Fillimisht duhet të mendojmë, pastaj të veprojmë. Por në Shqipëri praktika është e kundërt, në fillim veprohet, pastaj kërkohet arsyeja. Por ndonjëherë është vonë, e disa dëme, janë thjesht të pariparueshme…



Akti 3: Othello modern

Teatri ynë i të përditshmes tonë është një Othello, minimalist dhe çik më ndryshe, me Salën (Lulin) dhe Edi që janë në rivalitet për të fituar zemrën e personazhit të tretë, që deri vonë ishte Iliri. Othello ynë, një vrasës gjithnjë i qeshur, që tallet gjatë gjithë kohës me tjetrin; Jago, një zemërthyes i paskrupullt femrash (dhe jo vetëm), i njohur për akte imorale në publik. Desdemona jonë, që deri vonë i kishte falur zemrën Othellos buzagas, por për shkak të makinacioneve okulte dhe lojës së kulisave, përballet (dhunshëm) me Salën, pardon, Othellon e qeshur, që në një moment inati e sipër, e vret.

Mbi këtë kryevepër, çdo ditë dëgjon opinionistët tanë të nderuar që merren me domethëniet dhe interpretimet. Disa thonë që nuk duhet shkuar më në teatër për shkak të indeçencës. Dikush e pranon që nuk duhet shkuar në teatër, por thjesht sepse godina fizike ka disa të plasaritura dhe duhet pritur sa të ndërtohet i riu. Dikush tjetër i quan fajtor të dy, në mos, që vrasësi i qeshur dhe Jago zemërthyesi janë në fakt i njëjti person. E në gjithë këtë orgji ndjenjash, emocionesh dhe interpretimesh, vjen e enjtja tjetër, e sipari hapet përsëri, e në skenë janë të njëjtët aktorë: Othello, vrasësi gjithnjë i qeshur, që tallet gjatë gjithë kohës me tjetrin; Jago, zemërthyesi i paskrupullt femrash (dhe jo vetëm), i njohur për akte imorale në publik, por kësaj rradhe me një Desdemonë të re.

Por tragjedia më e madhe është mungesa jonë e kurajos morale dhe intelektuale, që, alibi pas alibie, iluzion pas iluzioni, mbrujtin besimin se asgjë nuk mund të bëhet, përveçse të ngushëllohemi duke qeshur me “cirkun e të enjtes”, apo duke folur pafund për “ndërkombëtarët” dhe “stabilitetin në rajon”, pa u marrë me lojën e aktorëve në skenë. Sot rrimë me veshët ngrehur për të dëgjuar se ç’do të thotë Europa, BE-ja, Ambasada Amerikane; i gjithë publiku shqiptar, politika in primis, ka filluar analizën tekstuale të nëntekstit të deklaratave: Çfarë kanë dashur të thonë me atë fjalë? Po me atë folje? Po mbiemri është përkthyer mirë? Po apostrofa aty duhej?

Panem et circenses:
Meqënëse e nisa me cicat e Bleonës, Zogun (e Bleonës dhe të Tiranës) si dhe simultanen e tresheve në Tiranë e gjetiu, natyrshëm të vjen pyetja: Nëse këto mediat tona elitare vazhdojnë kështu, edhe sa kohë do duhet derisa cicat të mos na bëjnë më përshtypje? Çfarë vjen pastaj, do zhvishen dhe nga mesi e poshte? Po më pas, do ketë konkurrencë mes Bleonës, Tunës dhe Zogut për parukierinë dhe formën ekzotike-pubike më të mirë? Kush do i vlerësojë? Do ngrihet (pardon the pun) një komision parlamentar? Edhe këtu me kar-tona (can’t stop the puns) do votohet?




Akti 4: A ta mbyllim siparin o mjeshtër?

Pasi kemi bërë gjithë këtë çorbë, kemi ngelur mes kaosit tonë. Më thjesht, çka pështymë në qiell, po na bie në kokë.

Ndërkohë që teatri politik vazhdon, audienca e sotme është e ndarë në: komunisti/nostalgjiku (PS), antikomunisti (PD), post-ideologjiku (LSI), apolitiku dhe i papërfaqësuari. Jashtë sallës na presin çunat e Kanunit si dhe ushtria e ­on-line.

Tri të parët janë të zënë duke parë Othellon. Të katërtit nuk i intereson fare çfarë bëhet. I pesti ndjehet i përjashtuar dhe i papërfaqësuar, ndërsa jashtë janë të iluzionuarit se mund ta kryesh detyrën tënde si qytetar në linjë; ndërsa pjesën jashtë linje të jetës t’ia rezervosh privates; si dhe çunat që mund të kryejnë krimet më të tmerrshme, por në emër të Ligjit të Maleve (në Mesjetë ishte Djalli që të detyronte të bëje gjëra të këqija – vrasje, vjedhje etj. – sot është Kanuni. Që le ta pranojmë, ngjan çik më fisnike si fjalë).

Nga ana tjetër e siparit, është shteti ynë kaps, por njëkohësisht shumë i zënë me diarrenë verbale europiane, ose e thënë më thjeshtë, me përpjekjen për t’i recituar sa më saktë formulat magjike që do na hapin më në fund portat dhe kasafortat e bankave të Bashkimit Europian.

Ndërkohë, komunikimi ndërmjet të dyve është veç një iluzion. Administrata nuk arrin dot (apo nuk do?) të komunikojë me qytetarin, përveçse nëpërmjet imponimit dhe faktit të kryer. Publiku nga ana e vetë gjen forma relativisht kulinare për të folur (ca me vezë, ca me miell, ca me salcë), edhe pse nuk shkëmbehen ide, as fjalë. Komunikim i Neandertalit.

Unë gjithnjë e kam dënuar dhunën. Dhe do të vazhdoj ta bëj. POR, nuk më duket gjë e keqe që herë pas here, këta baballarët e kombit tonë të qëllohen me vezë, miell, kos, gjizë. Të paktën, njerëzit do të nxjerrin mllefin (dhe ne shqiptarët kemi shumë), përpara se të akumulohet e gjitha (passive-aggressive society) e të shpërthejë me gurë, hunj a plumba. Provat i kemi dhënë.




E diku aty, në këtë çorbën e madhe, është the silent majority. The reason why we're silent, is because we're not allowed to talk.


0 komente:

Post a Comment

My Instagram