Shqipëria On/Off


 
 
E nisa vitiriun 2016 me drogën më të keqe të mundshme. Ca televizor shqiptar. E për ta rënduar më tej, e nisa me Fevzon dhe Opinionin e titulluar “On/Off”.
Pak gjëra mund të komentohen mbi ato që shihen e dëgjohen aty. Natyrisht, madje e kotë deri diku të përmendet, që përzgjedhja e atyre imazheve “off” nuk ka qenë shumë e rastësishme. Një ekip i tërë editorësh ka qenë nën kërkesat dhe (ndoshta) urdhrat e Fevziut dhe/ose eprorit të tij (i.e. Sandri i famshëm), që të përzgjidhen pikërisht ato imazhe dhe jo të tjera, ca audio të mbahen veçmas se nuk i dihet se ç’ndodh më vonë, të nxirren ca shalë të ftuarash (se mishi shet) edhe të nxirren nja 2-3 fjali “të forta” nga pjesëmarrës me peshë (politike), demek si pa mendje, apo sikur nuk e kanë ditur se na paskërkish kamera që regjistrojnë në çdo moment.
Do të ishte shumë naïve që të mendoje se pas më shumë se një dekade që transmetohet Fevzo dhe nja 5 vjet që del kjo “On/Off”, të ketë ende njerëz që venë në atë studio, që nuk e dikërkan për këtë çimkën 24 orëshe. Veçanërisht këta VIPsat tanë, që u është rregjur lëkura jo vetëm me studio, por edhe me çimka që rëndom i përdorin kundra njëri-tjetrit.

Gjithësesi, revolta ime më e madhe nuk është shumë për këto teknikat “finoke” televizive. Për mendimin tim, kjo është shumë normale për një televizion (përzgjedhja e imazheve, audios si dhe teknikat e paraqitjes së një informacioni, në linjë me “politikën” (dmth urdhrat) e “redaksisë” (dmth pronarit)). Madje, në Shqipëri, ende përdoren ca teknika të trasha, lehtësisht të kapshme/identifikueshme për një sy kritik apo një person të përfshirë/që ka informacion nga kjo industri. Revolta ime lidhet me këtë “On/Off” si një marrëdhënie tashmë pjesë e të përditshmes.

“On” jemi ne. Të gjithë ne që na del bytha vendit gjatë gjithë javës, duke punuar jo më pak se 8 orë në ditë, që bëjmë kompromise me veten tonë, me integritetin dhe dinjitetin, për të marrë në fund të muajit një rrogë qesharake, me të cilën me pak fat e shumë privim, ia dalim të mbyllim muajin pa (shumë) borxhe. “On” jemi ne. Ne që mërzitemi dhe frustrohemi çdo ditë mbi Shqipërinë, mbi jetën, mbi sigurinë, mbi pastërtinë, mbi kulturën dhe edukatën që bashkëkombasit tonë shfaqin dhe mbi pocaqillëkun që po u lëmë trashëgimi në mënyrë të fajshme fëmijëve tanë (një lloj vendimi për dënim me vdekje i mendjes, ende i pa-ekzekutuar). “On” jemi ne. Ne që ende shpresojmë se diçka e mirë do të ndodhë. Që ka dritë në fund të tunelit. Që nëse të gjithë përpiqemi (ndër ato pak raste që ne i rikthehemi ndërgjegjes kolektive jo-destruktive), gjërat do të ndryshojnë për mire, për të gjithë ne. “On” janë ato pjesë të politikë-bërjes që janë për ne. Për popullin. Për më mirë.

“Off” janë ata. Ata që sistematikisht e kanë përdhunuar Shqipërinë. Ata që kanë ardhur (a janë gjendur) post-komunizëm, për të vjedhur edhe ato pak ç’ka ngelur. Qeliza që kanë vazhduar të shumohen në mënyrë të pakontrolluar, e ato pak që janë bërë nga “On”, kanë gjetur gjithnjë mundësinë që t’i fagocitojnë. “Off” janë ata që nuk janë munduar ndonjëherë që të sigurojnë muajin. E në janë munduar, e kanë bërë për ndonjë djallëzi. “Off” janë të gjitha ato rrugët e mistershme që kanë sjellë një sipërfaqje të pasur, por me një kosto të jashtëzakonshme të brendësisë. “Off” janë të gjithë ata që kanë nxitur ndarje, sharje, urrjejtje, përçmim, blloqe “ne dhe ata”, kanë nxitur debil-llëk, injorancë dhe modele të gabuara (por të mirëmenduara)...

Unë jam agnostik, e si i tillë nuk mund të them në do të ketë apo jo një gjyq “hyjnor” për këta “Off”-ët tanë... por edhe në mos pastë, ka një gjyq që zhvillohet çdo ditë. Është ndërgjegjja. Për ata të shkretët të paktën që janë “On”.

Si përfundim, që të ndjehem ca më mirë me veten, përgatita një master-plan. Do bëhem heroi i këtij vendi dhe i njerëzimit. Për këtë më mjaftojnë nja dy bomba me hidrogjen. Ku t’i gjej? T’i jep ky tipi këtu. Në këmbim, mjafton Olta Gixhari dhe një berber i mirë...

2 komente

  1. perdorim shume perfekt i fagocitozes dhe i olta gixharit :)

    ReplyDelete
  2. Dikur edhe atyre qe tani shesin p*r&$e u ka dale by#%@ vendit. Po ja qe ky eshte rregulli i natyres 'duhen bb te dala per te bere pp te medha. Keshtu qe hec puno aty e mos u anko kot :P

    ReplyDelete

My Instagram