L’etat c’est moi!


Duke parë trendin e qeveriut dhe të kapitenit të modh të anijes, meqë edhe kishnjëm ca kohë të lirë me veten, thashë të qëndisja një skenar hipotetik (a ndoshta jo), nga ato të tipit ... “Well, that escalated quickly”.

Në çdo deklaratë, qoftë edhe tek portali i të vërtetës (transparenca.al), qeveriu përdor gjithnjë togfjalëshin “Për herë të parë në 25 vjet”, apo “Në kohën e qoftëlargut”, apo “Jo si në qeverinë e mëparshme”.

Here we go: (në kllapa shënuar sevdaja me zë që ka pop’lli për kapitenin)

* * *

Gazetari (e lëmë me kompromis që të jetë Çim Peka? Please?): Zoti Rama, ju lutem, na thoni diçka për arritjet e qeverisë tuaj...

Edi: Çim djali, që shpresoj që mos të jetë shkurtim për Çimkë. Nuk dua të zgjatem shumë, as të përmënd atë, Qoftëlargun, por që ta dish ti Çim, penicilinën, e sollëm ne në Shqipëri (salla duartroket. Një nga pionerët e FRESSH çohet e bërtet me të madhe “Po, Edi e solli!”). Përpara se të vinte kjo qeveri, shqiptarët shkonin e yshtnin fëmijët e sëmurë në Lushnje, te fallxhoret. Madje detyroheshin edhe të pinin një palo kafe pesmilekshe...

Çimi: Por jo, zoti Rama ...

Edi: Or ti Çim, mos mu bë si ata të Shqup-it, që ç’i thotë ai qoftëlargu, rrinë e riprodhojnë si të kenë zorrën e trashë nga goja ... më lër të mbaroj...

Zanoret, dhe veçanërisht zanoren “ë” (ta vë) në Shqipëri, e sollëm ne. Për herë të parë në 25 vjet, më në fund, shqiptarët mund ta shkruajnë “Shqipëri etnike pa armë kimike” dhe jo “Shqprtnkprmkmk”. E di ti Çim se sa të gjatë ishin të gjithë vëllimet e “Lufta dhe Paqja” përpara se ne të sillnim zanoret në Shqipëri? 3 faqe Çim, 3 faqe, nga 1 225 që është kryevepra “Война и миръ. Ne i sollëm dinjitetin Shqipërisë, shqiptarëve, Tolstoyt, Rusëve dhe Putinit.

Çimi: Në fakt zoti Rama, gjatë kohës së qeverisë Berisha ka pasur zhvillime të rëndësishme...

Edi: Unë nuk e di ça ke ti sot. Këto muhabete kafeneshë ik e bëji me Fevzon a me Preçin, se nuk është as serioze as profesionale kjo që po thua ...

Për herë të parë në 25 vjet Çim, ne sollëm elektricitetin..

Çimi: Po elektrifikimi ka 40 vjet që është bërë ...

Edi: Jo, po mashtron! Ti gënjen. Përpara nesh, shqiptarët nuk e dinin ça ishte elektriciteti...dilnin dhe shpenzonin muaj të tërë në verë, ku është dita më e gjatë, duke vrarë balena, të cilat i konservonin më pas në shtëpi dhe u përdornin dhjamin si qiri gjatë pjesës së ngelur të vitit or Çim.
Qelqi, është meritë e qeverisë tonë. Gjatë kohës së atij qoftëlargut, qeveriu i vajmedetit, njerëzit kishin vetëm vazo guri dhe dritare me plastmas, se nuk kishte xhama.
Të thashë që në krye të herës, që nuk dua të zgjatem shumë Çim djali. Por nuk mund të mos lë pa përmendur arritjet e kësaj qeverie ... Kalendarin e sollëm ne. Më parë shqiptarët bënin viza në mur për të shënuar ditët, e takimet i linin “Takohemi te viza e gjashtëmbëdhjetë, ora 11?”. Barutin dhe tritolin, e sollëm ne. Më përpara C4 e hanin ose e përdornin si sapun, se nuk shpërthente. Ishim ne dhe çunat e Tahirit që u mësuam çunave të tjerë se si bëhen këto punë. Protezat i sollëm ne. Më përpara pleqtë i lidhnin me pe nga brenda dhëmbët që mos të iknin e të kishin mundësi të përptypeshin. Po ja, si mendon ti Çim, kush i solli prizat në jetën e shqiptarëve?

Çimi: Po ju i bie...

Edi: Po. Madje, më pare, përdornin Ed Ndocajn e shkretë që të hidhte telat e zhveshur të korrentit nëpër shtylla si Deda, jo për të kapur Zanën prej beli, por për një lavatriçe të qelbur mër Çim…
... rrotën në Shqipëri, e sollëm ne... në qeverinë e vajmedetit, shqiptarët përdornin rrota trekëndëshe. Problemi nuk është se u dilnin sytë apo gurët e veshkave nga vendi, por fakti që na dëmtonin rrugët, se kështu i ka mësuar Saliu, të shkatërrojnë ça është e shtetit ....
Gramatikën mër Çim…e sollëm ne. Më parë naçut (jo ata Bravot e Tahirit) në bllok, bëjshin namin. Meqë nuk kishte rregulla për pikësimin, “a do pallohemi” kthehej nga një pyetje/kërkesë e thjeshtë në një fakt kobzi për çupëlinat ...

E që ta mbyll, e fundit, por ndoshta më e rëndësishme...frymënxjerrjen në Shqipëri, e solla unë. Më parë shqiptarët vetëm dinin të merrnin frymë por jo ta nxirrnin atë. Ecja rrugës dhe shihja njerëz që pëllcisnin vetëm ngaqë fryheshin me ajër or ti shoku Çim... pasha kishën e Laqit ...

Ti Çim kujton se unë jam i lumtur që udhëtoj me një makinë shkërdhatë si Jaguar-i? Po për të mirën e këtij vendi e bëj ... po kush ta njeh hallin thuaj ...

Çimi: Po ik mër pallë andej...




1 komente

My Instagram