Rrofsh sa malet o Tigri i Viçidolit!


Nuk do e kisha marrë mundimin minimal të shkruaja ndonjë rresht, për më tepër përpara zgjedhjeve e akoma më shumë për Bacën. Më ngacmoi një "konflikt" që do ta quaja banal me një person që njoh dhe e vlerësoj, pikërisht për arsye politike.

Më duhet të them që në fillim, se ne shqiptarët - në pjesën më të madhe - jemi shndërruar në atë shoqërinë Orwelliane, që edhe pse sy më sy i bëjnë një mijë e një të liga, ka vetëm atë 5 minutëshin e urrejtjes ndaj Emmanuel Goldstein-it, armikut, të keqit, atij që donte të sabotonte të ardhmen dhe sistemin... (Për kuriozitet, Emmanuel do të thotë “Zoti me ne”).

Për mua, si një i ri me parime ideologjike liberale të djathta, është shumë e vështirë të flas me të tjerë, qofshin me PD a me PS. Për arsye parimesh, brënda këtij kazani ku mungojnë parimet, nuk po përfshih LSI Sh.p.k., që është çik si Kina - pa lidhje as me komunizmin as me kapitalizmin.

Kur bie muhabeti - dmth sa herë ulesh në tavolinë, në çdo tavolinë qoftë - e pyesin për partinë politike që mbështet (merret e mirëqënë që çdo njeri mbështet një parti), nëse thua "Jam liberal i djathtë", reagimi i parë është "Iiiii, qënke me Salën mo? Edhe ti me malokët? Çudi, se je dhe Fierak"

Në shkrimin e tij, "Veriorët", E. Tupe shpjegon në mënyrë të shkëlqyer një skemë të mirëmenduar të kësaj ndarjes “malok” e jo “malok”.

Vështirësia më e madhe është që të bindësh bashkëbiseduesin (nga t'ia nisësh më parë dmth) se:
- Malok nuk ka lidhje vetëm me Veriun
- Malokët nuk janë vetëm me Berishën
- Fierakët nuk janë vetëm të majtë

Po doli koha, çoç përpiqesh t'i sqarosh se liberal i djathë dhe Berisha janë si pastërtia dhe Tirana, dmth pa lidhje me njëra-tjetrën. E si përfundim, vjen ai komenti që t'thyen në mes: "Aha, po ti qënke socialist dmth"

Sepse për ne, o je me Berishën, o je socialist. Se nuk bëhet ndryshe. Dhe meritë për këtë ka pikërisht Berisha, që krahas një polarizimi të tejskajshëm të krijuar enkas, ka bërë gjithnjë të flasë për veten. Çdo muhabet që bëhet për PD, përfundon te Baca. Çdo gjë e lidhur me ekonominë, sigurinë, rendin, konçesionet, pazaret politike, korrupsionin, median, terrorizmin e ça të duash ti, përfundon te Berisha (Sala, Xeni a Gita).

Nëse Berisha bën një pordhë në zyrë, ka rreth 100 analistë, të majtë të djathtë a të pavarur (pse, kemi?!) që analizojnë impaktin e saj, ç'ka dashur të thotë Baca, sinjali që opozita po jep, pozitat e Bashës brenda partisë, paralajmërimi/ultimatumi që po i jepet qeverisë ... e kështu me rradhë. Sepse Berisha shet. Faktorizon. Rrit atë 5 munutëshin e urrejtjes ose thellimin e besimit ndaj tij.

Mbi të gjitha, të paktën nën këndvështrimin tim, polarizimi do të ishte “i pranueshëm” nëse do të kishte ngelur në lëmin e ideve/ideologjisë apo thjesht në leksikun/diskursin politik.
Jo jo. Nuk jemi ne nga ata. Po shave Berishën ti e ke personale, je futur në gjak me mua. Po je me Berishën, je një psikopat që do shkatërrimin e Shqipërisë dhe unë nuk të flas me gojë. Sepse ne na frikëson e ndryshmja. Nuk mund të jemi shokë, nëse mbështesim dy parti të ndryshme. E këtu po flas për ata që bëjnë politikë, dmth njerëzit e thjeshtë, sepse ata që janë në Parlament, merren me biznes.


A do kishte PS pa Salën?

Po e them që tani mendimin tim: Jo.
Sepse po Sala e krijoi opozitën, duke luajtur (jo dhe kaq mirë në fakt) me kartën e kuçedrës komuniste. "Ata janë pasardhës të Enverit" ishte moto e PD deri në '97, ndërkohë që veç metoda jo-komuniste që nuk ka pasur në atë periudhë (dhunë, terror, kontroll, manipulim).
E pasi e shkatërruam njëherë Shqipërinë, u kuptua që karta e komunizmit nuk pinte më ujë. U luajt (në 2005) me kartën anti-korrupsion atëhere. Seriozisht e kishte Sala këtë muhabet? ...

Sot,fatkeqësisht, Sala ende shet. Është ende në treg.
"Jemi të varfër sepse kështu e la Berisha buxhetin"; "Jemi të pasigurtë sepse janë bandat e Saliut ende"; "Nuk gjykojmë dot korrupsionin sepse janë njerëzit e Salës në gjykatë" ... e kështu me rradhë ... Por nëse socialistët duhet të mësojnë një gjë, është se Karta Sali do të përfundojë shumë shpejtë si Karta Komunizëm që përdorte pikërisht Sala. Nuk mund të ketë aksion politik me sloganin "Fajin e ka Saliu".

Me ç'kuptoj unë, përtej të gjithë mangësive thelbësore që ka kjo politikëbërja jonë në Parlament, sa të jetë Baca (dhe Likja së fundmi), do vazhdojmë në mënyrë ciklike të vetë-shkatërrohemi në mënyrë të pashpjegueshme e të palogjikshme...sepse ata të dy, ngjajnë çik si ajo kuçedra e përrallave që na tregonin kur ishim të vegjël: Kur i prisje kokën, mbinin dy të reja, që e bënin edhe më të fortë... E ky cikël viktimë – xhelat – ish-viktimë – ish-xhelat.. ka nja ca vite që vazhdon.

E deri atëhere, nuk na ngel veç se të themi "Rrofsh sa malet o Tigri i Viçidolit"


0 komente:

Post a Comment

My Instagram