Pothuajse


 

Në gjuhën shqipe, të them të drejtën, ka shumë fjalë që mua më bëjnë për të qeshur. Për mënyrën se si shqiptohen, për atë çka nënkuptojnë, për kontekstin që përdoren, por, më kryesorja, për ata që i thonë e i përdorin këto fjalë. Por kjo ndoshta është një histori më vete.

Megjithatë, sot nuk dua të flas për fjalë komike. As për bërxollë, as për gjellë, apo për sufllaqe pa qepë të lutem. Sot do flas për fjalë të trishtueshme. Të mërzitshme. Dëshpëruese. Siç është fjala pothuajse.

Për mendimin tim, edhe sikur të përpiqeshin të gjenin ndonjë fjalë më të keqe se sa pothuajse, nuk do t’ia dilnin dot... Më lini t’iu sqaroj për çfarë po flas (Unë kohë kam, po ti?)



Jemi pothuajse në demokraci: Dmth që mund të kemi ndonjë problem të vogël me demokracinë, me mënyrën e interpretimit të ligjeve, me domethënien që u japim institucioneve dhe me mënyrën se si e përkthejmë demokracinë në terma të gjërë, por ama, ne jemi në pothuajse demokraci...

 Jemi pothuajse të lirë të themi atë që duam: Dmth që ndoshta një pjesë e madhe e njerëzve kanë frikë që të thonë atë që duan në të vërtetë të thonë, nisur nga Braçja dhe rrahja e Majit 1996, Rama dhe 1997, por kjo nuk do të thotë që ne nuk jemi pothuajse të lirë të themi atë që mendojmë; pothuajse të lirë të shprehim mendimet tona, larg presioneve të punëdhënësit (kryesisht në administratën mamuthe publike) për të dhënë një imazh që jo domosdoshmërisht na përfaqëson... me pak fjalë, ne jemi pothuajse të lirë ...

Jemi pothuajse të pavarur nga politika: Dmth, nuk është se ne na detyrojnë që pothuajse të pasqyrojmë çdo gomarllëk të qeverisë që na ka punësuar, sikur është një sukses që nuk është parë ndonjëherë në kozmos ... jo, përkundrazi. Ne jemi pothuajse të pavarur, saqë shumica e diksutimeve nëpër institucionin e ndershëm dhe të pavarur të kafenesë, përfundojnë me pothuajse jo sherre dhe mirëkuptim. Madje, madje – biles, biles – ne pothuajse nuk ngelim në llo(goret) që na ka përcaktuar partia...

Jemi pothuajse të pasur: Dmth, ndoshta mund të kemi nja dy-tre probleme të vogla përsa i përket shpërndarjes së barbartë të të ardhurave, pasurimit të pajustifikuar të një pjese të shoqërisë apo mungesës së hetimeve përsa i përket pikërisht mënyrës së pasurimit, megjithatë, ne jemi pothuajse të pasur... Sinqerisht, ne pothuajse ja dalim të shtyjmë një muaj me rrogën që marrim.

Jemi pothuajse në punë: Dmth, ndoshta kemi 25 vjet që dëgjojmë premtime mbi punësimin dhe rritjen fantastike të të punësuarve dhe megjithatë vazhdojmë të vuajmë numrin e lartë të të papunëve, kryesisht tek të rinjtë e sapodiplomuar, megjithatë, ne jemi pothuajse në punë ... Çfarë? Ndonjë politikan (nuk po them që është Meta) ka bërë vizitë në një fasoneri dhe ka thënë që kjo është e ardhmja e punësimit në Shqipëri? Po ti qënke shpellar i Saliut mer qen... si nuk të vjen zor nga vetja! Unë po të them që ne jemi pothuajse të gjithë të punësuar, ti më bën dër-dër kot ...

Jemi pothuajse të sigurtë: Dmth, mund të kemi ndonjë shpërthim të vogël të paparashikuar C4 nëpër rrugët e Tiranës apo te farmacia e babait të Ministrit të Brendshëm, por dreqi ta hajë, ne nuk tolerojmë, ne jemi pothuajse të sigurtë dhe këtë nuk e luan as Topi (jo Bamiri).

Jemi pothuajse të bindur: Dmth, mund të duket sikur tek video e famshme është Meta me zë e figurë, por në fakt nuk është ai; mund të duket sikur Berisha ka shitur një copëz të vogël territori, por në fakt nuk është ashtu; mund të duket sikur Lulka ka bërë namin me Rrugën e Kombit, por në fakt nuk është ashtu ... dmth ne jemi pothuajse të bindur ...

Jemi pothuajse jo budallenj: ... ok, këtë nuk e besoj as unë. Ne nuk jemi popull debilash. Nuk jemi budallenj. Përtej militantizmit që pothuajse mund të kemi, a të jemi vërtetë kaq të verbër përpara asaj që po ndodh? Po ç’fitojmë vallë? Përse durojmë? Përse nuk çojmë në të s’ëmës një kastë të tërë politike që tall trapin me ne? Përse jemi kaq naïvë që mendojmë me të vërte që diku ka mazhorancë e diku opozitë?

Herës tjetër, do t’ju flas për “The avash-avash” culture ... ku të gjithë, në fakt, jemi ekspertë, pothuajse ...


0 komente:

Post a Comment

My Instagram