(Pa)Ndjeshmëria Kombëtare

Kohët e fundit s’ka ngelur njeri pa shkruar, folur e komentuar për të ashtëquajturën “epidemi” të rasteve të dhunimeve/ngacmimeve seksuale të të miturve. Me këtë rast, thashë të them edhe unë ndonjë fjalë. Jo nga seria “Kujtimet e mia me Prrenjasin” apo “Si përdhunoi 10 vjeçarin” ... le t’ja lëmë medias sonë të nderuar, super-profesionale, të përgjegjshme dhe për më tepër të ndërgjegjshme mbi atë çka shkruan. Që e bën keq, ndër të tjerash.
 

Pa dashur të shkaktoj shumë polemika – nëse do të ketë të tilla – mua nuk më bëri kaq shumë çudi rasti specifik i Prrenjasit, apo më gjërë kjo “epidemi”. Si gjithnjë, më shumë çudi më bëjnë reagimet. Nuk më bëri çudi, jo se nuk është rast ekstrem, jo se nuk është rast rrënqethës, as se nuk e konceptoj dot për sa kohë nuk jam në kushte të vlerësoj rëndësinë e të pasurit një fëmijë. Por ka një vazhdim logjik (shpesh e quajnë traditë) në teoritë (dhe praktikat) biheivorale të një populli. Kështu, Naimi (e shokë), që gjithë qejf e mbajmë në 200 lekësh, që në #Rilindje kanë shkruar gjithë epsh për barinjtë 12-13 vjeçarë që kullosin, apo për çupëlinat që mbushin ujë në kroin e fshatit. Një nga fiction më të pëlqyera në Shqipëri është Gjino, që u bë dhëndërr që 14 vjeç. Apo pabarazia gjinore nuk lejon ta klasifikojmë këtë rast? Apo do të flasim për martesa të stisura mes femrave 13-15 vjeç me burra 30+ vjeç?

Në këtë kontekst, nuk ka përse të jetë singularitet rasti i Prrenjasit. Apo mungon shpirti poetik i përshkrimit, ndaj duhet të nisim një lincim popullor?

Po në të njëjtin kontekst, edhe homofobia jonë si popull (reale apo e supozuar) nuk bën sens në vetëvete. Në momentin që gjuha jonë është e mbipopulluar me shprehje dhe fjalë homoseksuale (“palloshi”, “donte të ma fuste”, “ia futa”, “pallova (topin)” etj. si këto), apo rituale të nderuara të maskuara nën petkun e respektit (si përshembull puthja e meshkujve në takime shoqërore), është çudi në vetëvete që të mendosh Shqipërinë si një kuti homofobësh.

Një çudi tjetër, në nivel ndoshta pak më makro, është pikërisht ndjeshmëria jonë. Si popull, jemi gati të djegim me benxin Klodin e Big Bradhër për shkak të prirjeve të tij seksuale, apo t’i vëmë flakën qendrës së internetit ku është parë për herë të fundit “mostra” Prrenjasi, por nuk jemi të gatshëm të bëjmë një lincim popullor për klasën politike që na përdhunon – tashmë prej 22 vitesh – në mënyrë sistematike. Hamë bar e parime nuk shkelim, por (llo)goret politike nuk i braktisim kurrë.

Mua, përveç fjalës “TURP”, nuk më vjen gjë tjetër në mëndje.

Paçim kujtesën e shkurtër e harrofshim ç’po i bëjmë vetes.

* * *
2 fjalë për Median e për “Epideminë”

Media supozohet të informojë. Në mënyrën e duhur. Pa qënë një përdhunues tjetër për veshë e sy të lodhur tashmë. Një vështrim i shpejtë çdo mëngjes i titujve kryesorë të bën të kuptosh, që Shqipëria nuk është rasti i një “Pushteti të Katërt” që përmbush atë çka duhet të përmbushë. E me vete thua “Në djall të vejë”.

Epidemia: Ekziston në sociologji një teori e quajtur “Tipping Point”: Një pikë në të cilën një grup – ose një numër i madh anëtarësh të një shoqërie – në mënyrë shumë të shpejtë dhe drastike ndryshon sjelljen duke adoptuar një praktikë të hershme por jo masive. (Lexo më shumë)


0 komente:

Post a Comment

My Instagram