Pak Tallava

Prej kohësh jam duke hulumtuar në disa arkiva sekrete ku dokumentohet bashkëpunimi i suksesshëm mes Institutit të Lartë të Kaninës së Epërme “Aurelius Gaçius” dhe Profesor Doktor Shtatlartmadhërisë së Tij ArMand von Nishtullenberg. Ky i fundit është edhe subjekt i bashkëpunimeve të tjera të rëndësishme në fushën përkatëse, si për shembull me Institutin Amerikan “Silva WhiteStone” etj.
 

Në këto arkiva, që ndjehem i bekuar që i kam prekur me dorë, përshkruhet në mënyrë të hollësishme dhe rigoroze plani konspirativ për pushtimin e botës. E di mor mik, edhe unë në fillim mendova se ish’ çmënduri. Por jo. Është një plan i mirëstudiuar. Një strategji ekspansive që ç’të të them.

Hegjemonia e Tallavasë bazohet në forca mistike (shpesh të kombinuara edhe me forca të errëta të stomakut, që triumfon mbi inteligjencën dhe racionalitetin, real apo të supozuar – si në rastin e Tortës së Pavarësisë – shënim i autorit). Është një fitore Orwelliane mbi ç’ka kjo botë. Por le të ecim dalëngadalë.


Zanafilla, siç pohojnë shumë studiues, nis në Ballkanin Qëndror.


E quajtën “Turbofolk”. Çoç menduan se ngjante më mirë. Lidhet me prejadhjen e hershme, reale ose të supozuar, me folklorin, që për vite, këtyre popujve të vuajtur u ish’ ngulitur në kokë nga marshimet diktatoriale, të përkohshme apo të përhershme. Si çdo paketë e suksesshme, Turbofolku u shoqërua me femra Barbie silikon me performancë soft-porn dhe jetë luksi pranë bobit që ofronte gjithshka.


E nuk është për t’u çuditur që pati sukses. Kush nuk do të donte të kishte një jetë të thjeshtë e të kollajshme? Pse të punosh në fund të fundit, të vrasësh mendjen e të mundohesh kur mund të gjesh një rrugicë për pasurinë? Në fund të fundit, mjafton të nxjerrësh (pa)hiret femërore publikisht, teksa po publikisht sillesh sikur çdo gjë është normale (në këtë botë të (pa)emancipuar). Gjithnjë nëse pranojmë që “pasuria” konsiston në këto gjëra.


Në këtë kontekst, u ndërtuan disa skema. Ponzi i kish’ ndërtuar shumë kohë më parë, por u tregua paksa naiv që nuk e patentoi. Ndoshta të drejtat e autorit do t’i kishin gjeneruar më shumë të ardhura. Luks për të tërë. Për 1 parà merrje 3 parà. Pa punuar. Thjesht duke ndejtur. E të gjithë u bënë matematicienë e kontabilistë. Hiq 3%, vendos 5%. Kalo 2% tek 6% dhe 4% investoje në 8%. Ëj mirrakëll ov fridëm. Sistem fagocitues i destinuar të jetonte për pak.


Por tashmë Tallavaja ish’ kthyer në një sistem viral. I lartëpërmenduri Bobi karakterizohej/t si i plotëfuqishmi i lagjes, “me hir a me pahir” – siç thotë edhe pop’lli ynë trim e liridashës. Shpërthyem ca (si shumë) depo ushtarake që të ndjeheshim më boba. Sepse ajo paskërkish qënë e vetmja mënyrë. E atëherë filloi tamam festa me (fishek)zjarre (në qiellin blu).


E gëlltitëm, në të mirë a të keq, atë çka vetë prodhuam e tentuam të “ecnim përpara”. Por nuk mund të linim ca huqe pas. E ndoshta nuk do t’i lëmë kurrë.


Tanimë, ne ecim, ngadalë. Të veshur me të kuqe, sepse shumë na ngjan. Por kryesorja, ne kemi lalin shpirt dhe kemi lalin xhan xhan. 

* * *

Bonus (pa lidhje – por meqënëse pate durim të lexosh deri në fund): Si të fitojmë në zgjedhjet e ardhshme elektorale



Si gjithnjë i rëndësishëm është planifikimi dhe koha e veprimit. Një lloj Blitzkrieg i veçantë.


Hapi i parë është lëvizja e heshtur dhe e fshehur e figurave mistike. Magjistarët e institucioneve – po, çdo institucion ka magjistarët e vetë – bëjnë një rotacion me njëri-tjetrin. Praktika bën perfeksionin, ndaj duhet që truke të caktuara të përdoren gjithëandej.


Hapi i dytë është hartimi i strategjisë fituese. Ndërkohë që vel pop’llin me tortë, ndërton një skemë të hollë e të mençur - ose diçka e ngjashme - për të garantuar suksesin. E thjeshtë fare. “Elementary, my dear Watson".


Hapi i tretë është baltosja e kundërshtarit. Siç e kam thënë edhe me parë, kjo ngjan si një lojë bixhozi, ku ç’fiton në një dorë, e lë në dorën tjetër. Ç’griset e pështyhet nga një lojtar, puthet e përqafohet nga lojtari tjetër. Media luan një rol thelbësor, pasi nuk mund të jesh pop-ulist pa qënë më parë pop-star mediatik.


Hapi i katërt dhe i parafundit, është “Faza Penelopë”. Çbën natën për të bërë ditën. Fazë që kërkon rigorzitet e kujdes, por sidomos shumë gërshërë dhe shirita inaugurimi, shumë asfalt dhe shumë parà për të “shpërblyer” (le të themi) simpatizantët. Jo se ka ndonjë gjë të keqe. E ku ka më simpatizantë vullnetarë, të themi atë që është.


Hapi i fundit është miksimi i kujdesshëm i të gjithë hapave të mësipërm, duke kënduar nën zë “The Final Countdown”.


Si fund i fundit, për të hequr çdo shpresë: Everything will be okay in the end. If it's not okay, it's not the end.


0 komente:

Post a Comment

My Instagram