Unë, 1990-a dhe Komunizmi.


Më ka ndodhur shumë shpesh të futem në debate, rilevante ose jo, me njerëz të ndryshëm përsa i përket sistemit komunist dhe atij kapitalist. Për ironi të fatit, shumica e atyre me të cilët kam edhe kundërshtimet më të forta, janë njerëz që kanë lindur pas viteve 1990. Them “për ironi”, jo se unë kam një kujtesë të gjallë e të përjetuar plotësisht të komunizmit, por sepse më duket absurde që një person që nuk e ka përjetuar atë sistem në vetëvete, të mund të gjykojë në mënyrë objektive. Rezymetë gazetareske e dëshmitë e personazheve të kohës së atëhershme kurrësesi nuk mund të pasqyrojnë një të vërtetë, që, për mendimin tim, veç mund të përjetohej në psikikë, e jo të përshkruhej.

Shqipëria vuajti një komunizëm të llojit të vetë gjatë viteve 1945-1990. Komunizëm besnik ndaj marksizëm-leninizmit arkaik, i frustruar dhe alergjik ndaj çdo fryme liberale të mundshme – për aq sa mund të flasim për liberalizëm të paktën. Në dhjetor 1990 filluan protestat (e famshme) studentore, të cilat ishin një përgjigje ndaj varfërisë ekstreme që kishte mbërthyer vendin, mungesës së lirisë politike, lirisë së mendimit, lirisë së të shprehurit, lirisë së të besuarit në Zot, Allah etj. Zgjedhjet e Marsit 1991 shënuan edhe zgjedhjet e para pluraliste të Shqipërisë post-diktaturë.

Nuk ka konfirmim zyrtar për shifrat e mëposhtme por vlerësohet se gjatë rregjimit totalitar në Shqipëri, rreth 5 000 burra dhe 450 gra u ekzekutuan; 34 135 njerëz u burgosën (kryesisht për agjitacion propagandë – famëkeqi Neni 55) dhe rreth 1 000 veta vdiqën në burgje. Është (aimé) ende i lartë numri i familjeve që janë ende duke kërkuar për eshtrat e të afërmve të tyre të ekzekutuar.

Për mendimin tim, problemi qëndron, se idealizimi i komunizmit ka ndodhur për marketing kapitalist. Komunistët më të devotshëm që unë njoh aktualisht, janë ndër kapitalistët më të suksesshëm. Por, duke u rikthyer te aspekti “moshë” që më ngacmon më shumë, injoranca masive (injorancë në sensin e injorimit të fakteve) ka sjellë një aprovim të jashtëzakonshëm (aprovim fals dhe i inflacionuar ndër të tjerash) ndaj komunizmit. Shumica e të rinjve që nuk simpatizojnë, apo në rastin më të keq urrejnë Berishën, e shohin zgjidhjen tek komunizmi. Ndërkohë, socialistët (nostalgjikët e vjetër e jo vetëm) e advokojnë komunizmin (dhe socializmin – e parë kjo nën aspektin teorik dhe aspak pragmatik) si sitemi më i mirë i mundshëm.  “Ajo që të rinjtë shqiptarë dinë sot për periudhën 1945-1990 është që një grup njerëzish me në krye një diktator vranë e prenë gjithë dynjanë pa asnjë arsye teksa vetë jetonin për shtatë palë qejfe te Blloku” (Ermal Hasimja – “Enveri i Fevziut dhe komunizmi i Marksit”).

Një problem serioz, është se njeriu harron shpejt. Madje është edhe mosmirënjohës. Për shembull, ne harrojmë që vetëm pak vite më parë interneti wireless ishte një luks i paimagjinueshëm (në fillimet e veta, abonimet kabllore të internetit kushtonin diçka rreth 200$ në muaj, shifër që vetëm institucione a ambasada të huaja mund ta përballonin), ndërkohë që tani, (paturpësisht) ne rrudhim buzët, e madje e lëshojmë edhe një “lokal koti” nëse në kafene nuk mund të lidhemi në internet. Shembujt e Kinës që censuron informacionet në Google e më gjërë, apo raste më ekstreme si Koreja e Veriut (që me të drejtë mendoj se mund të krahasohemi për periudhën ’45-’90) duken patetike, pikërisht sepse të rinjtë nuk i kanë përjetuar.

Mendohet se në botë, komunizmi ka shkaktuar rreth 95 milionë viktima (65 milionë në Kinë, 20 milionë në Republikën Sovjetike, 2 milionë në Kamboxhia, 2 milionë në Korenë e Veriut, 1,7 milionë në Afrikë, 1,5 milionë në Afganistan, 1 milionë në Europën Lindore, 1 milionë në Vietnam etj.) – shifër kjo më e lartë se çdo lëvizje tjetër politike (përfshirë edhe nazizmin). Lufta e Parë Botërore dhe ajo e Dyta sëbashku nuk e tejkalojnë shifrën e 105 milionë të vrarëve (shifër e përafërt). Pra, thuajse e barabartë me komunizmin.

Mendoj se, përpara se çdo njeri, e veçanërisht ata që nuk i kanë përjetuar horroret e komunizmit – internimet, torturat, dhunimin psikologjik etj. – të gjykojë mbi komunizmin, të marrë mundimin të lexojë, të vlerësojë e të kuptojë.


2 komente

My Instagram