Përsëri


Përsëritem (apo përtërihem?) në ndjesitë e mia. Luaj brenda lëkurës sime, e megjithatë jam i bindur që nuk është rigjenerim, e as ndonjë rast (kurioz) Feniksi. Duhet të jetë ndonjë fenomen i rëndomtë, të paktën për mua, por as kjo nuk më bind (...edhe pse, më duhet të jem i sinqertë, më duket sikur bindjet e mia tashmë janë tretur / përpunuar / përshtatur / përthithur / alter(n)uar nën horizontin e skepticizmit, që, dreqi ta hajë, nuk është kurrësesi absolut.).

Është ndjesi e papërcaktuar, amorfe, e pangjyrë, e paerë e ndoshta edhe e pajetë ... E megjithatë ajo ndodh. E ndjej. E di që është aty. Kërkoj veç një emër; një etiketë; një nocion apo diçka të ngjashme.

Më duket sikur gjërat kanë humbur kuptimin e vetë, rëndësinë a thelbin. Kjo mund të jetë ama thjesht normalizim, standartizim a patetikisht rutinizim (i imi). Të paformtat forma më rrethojnë të shndërruara në kuçedra, hidra a kafshë të ngjashme – vazhdoj të jem indiferent, e kjo, jo “për të qënë interesant”, thjesht apatia qënka më e thellë nga ç’mendoja ...

Përhumbem në ty, e ti pabesisht (e më lejo, edhe paturpësisht) merr forma e emra të ndryshëm, duke më bërë më skeptik në skepticizmin tim, edhe ky jo absolut. Përhumbem në tymin tënd, që shpesh shoqëron abstraksionet e labirinteve të mija mendore; përhumbem në viskozitetin tënd, që ti si lavirë e pamoralshme (po, ka edhe lavira të moralshme) e ndryshon, e duke mos u mjaftuar veç me kaq, etiketohesh me emra të ndryshëm.

Më duket se një individ përjeton diçka tragjike në momentin që shtypet nga pesha e ekzistencës së vetë, e megjithatë ai moment vjen gjithnjë shumë herët, si një këmbanë alarmi a si një epifani. Impakti është i jashtëzakonshëm. Humbet ndjesitë, mendimet, perceptimet. Ato çka “burrërisht” i propagandoje si strategjitë fituese të jetës tënde, shkrumbohen nën vellon e zhgënjimit totalitar. Rindërtimi nuk është një alternativë e vlefshme; në fund të fundit ç’vlerë do të kishte nëse do të rishkrumbohej? Kjo spirale negative destruktivizmi është e paevitueshme, në të mirë e në të keq, deri sa vdekja të na ndajë ...

E ne, s’na ngel veçse një mut.



1 komente

  1. "when u think more than u want/your thoughts begin to bleed" ;-) {Society-E.Wedder}

    ReplyDelete

My Instagram