Reading
2
Comments
Në jetën time unë kam shumë pak gjëra të
sigurta: di me siguri që jam një mashkull, i rracës së bardhë kaukaziane; di që
jam heteroseksual; di që kam gjithnjë dhimbje koke. Çka më ka rrethuar përgjatë
jetës sime, o është hedhur poshtë, o ka qënë jo reale. Zhgënjimi më i madh ka qënë
të zbulosh që lëvizja drejtvizore e njëtrajtshme nuk ekziston në praktikë dhe e
dyta se një shtet nuk mund të falimentojë kurrë.
Gjithësesi, zgjohem në mëngjes me një dhimbje
të jashtëzakonshme koke. Deri këtu premisa është që do të jetë një ditë e
bukur. Jam i dehidratuar. Rum-i i natës së mëparshme paska qënë i ndonjë cilësie
të ulët. Pak rëndësi ka. I lutem Zotit e marr forcë për tu çuar nga krevati
.... një sekondë ... më duket se po e nis nga fundi.
Mengjesi im nis me wc-në. Vënd i përkryer për
të reflektuar, për të lexuar lajmet e për të bërë në kokë rendin e aktiviteteve
që të presin. Në sfond dëgjoj komshinjtë e mi rom, që krahas sfondit muzikor
Altin Shira, Andi Shkoza a më gjërë, bërtasin me ç’kanë në kokë me njëri-tjetrin
për punët që duhet të bëjnë. I justifikoj. Është mëngjes. Njeriu ka shumë
energji për të shpenzuar në mëngjes. Leqë është më mirë të bërtasësh, të çliron
atë energjinë negative që ne shqiptarët çoç e kemi në natyrë.
Hap lajmet. ““21
janari” Apeli lë në arrest shtëpie Prendin, ndryshohet trupi gjykues”; “ Tiranë,
zjarr i fuqishëm në një magazinë në autostradë”; “Pritet
të mbërrijë sot trupi i “Dëshmorit të Atdheut” Feti Vogli”; “Grabitja e Muzeut të Olimpias, të dyshuarit
shqiptarë”; ““Concordia”, gjenden 4 trupa,
mes tyre dhe një 5-vjeçare”; “Aksident në
Elbasan, plagosen rëndë tre të rinj”; “Rama:
Po dështon reforma zgjedhore”; “Siri, vriten dy gazetarë perëndimorë”; “Argjentinë,
aksident hekurudhor, 50 të vdekur”; “Berisha: Situata më e vështirë energjitike”;
“KLSH kallëzon penalisht 14 punonjës”; “Ngërçi në reformën parlamentare”; “Tiranë, sekuestrohet 1 kg heroinë”; “Vrasja e Elenit,
policia pranga të shoqit: Pagoi vrasës”; “Flet Poli: Gocat e Big Brother 5, aspak
tërheqëse”. Përfundimisht qënka një ditë e bukur,
në mos, një ditë normale.
Bëhem gati, vishem. Jam gati për të dalë. Si
rrufè në kokë më lind ideja që të marr iPodin me vete. Muzika është gjithnjë
një bashkë-shoqëruese e mirë e vetmisë së rrugës. Madje ndonjëherë të ndihmon
në momentet e sikletshme kur dikush që ti nuk do t’i flasësh të thërret për të
bërë një dorë muhabet. Në fakt, është vendim për të cilin do të pendohem më
vonë, megjithatë, i vendos kufjet që në shtëpi dhe përpiqem të fsheh telin e
kufjeve me lezet nën bluzë. Kështu ka dalë moda.
Dal jashtë, mbyll derën dy herë, me shpresën që
kur të kthehem, ta rigjej shtëpinë siç e kam lënë. Përshëndes me një lëvizje të
thjeshtë vertikale koke komshinjtë e mi, që, gjithësesi gjithnjë gjejnë diçka
me të cilën t’i bërtasin njëri-tjetrit. Përshëndes me një lëvizje identike koke
3 shitësit poshtë shtëpisë, i lumtur dhe krenar që nuk u kam ngelur borxh.
Nisem drejt destinacionit tim, në iPod është një këngë që më pëlqen (dhe s’ka
si të jetë ndryshe), dielli ka nxjerrë turpshëm kokën mes reve. Çdo gjë po ecën
shumë mirë.
Kryqëzimi i parë që më del rrugës. Është kryqëzim
lagjeje. Pak makina kalojnë. Gjithësesi, sigurohem, shoh rrugët majtas,
djathtas, drejt e nga pas. Nuk i dihet asnjëherë. Vazhdoj me sukses rrugën
time. Kryqëzimi i dytë është pak më i ngarkuar. Jo vetëm që kalojnë shumë
makina, por kalon edhe autobuzi i unazës, që nuk e di asnjëherë nëse e ka me
ngut a jo. Shoh majtas e djathtas. Çdo gjë në rregull, bëj të eci, kur nga
asfalti mbin një motorr, për më tepër në kundravajtje që i bie si i çmendur
borisë, edhe pse jam në vijat e bardha. Ndalon ai. Ndaloj edhe unë. Më duket e
paedukatë të mbaj kufjet ende në vesh, edhe pse muzika më pëlqen shumë. Ai heq
kaskën (që shyqyr që e kishte vënë).
- Hë mërr qorr, nuk e pe që po kaloja mër mut?
- Po jam në vijat e bardha (zë i brishtë dhe i
trëmbur ky i imi).
- Ik mërr pallë!
Këtu mbaron biseda. Fatmirësisht u mbyll mirë.
Justifikohem me veten time. Mund të kishte shkuar shumë më keq.
“Po marr unazën” mendoj me vete. Do të kem
mundësi të paktën të dëgjoj pak muzikë, pa e vrarë shumë mendjen se kush i
respekton rregullat e kush jo. Në stacionin e urbanit gjej rreth 7 veta. 3
meshkuj që po gjuajnë një femër, më duket rreth 15-16 vjeç. Një pensionist që më
sheh shtrembër sepse i kam flokët me xhel dhe mbaj çantë shpine. Një grua në
moshë, rreth 45 vjeç besoj, që bën poça me çumçakizin e saj dhe një burrë,
rreth të 50, o ndoshta shumë më i ri, por gjithësesi i rrudhur në fytyrë që veç
pështyn përtokë. Përpara se të dilnin lojët e avancuara kompjuterike (3D,
interaktive etj.) unë luaja shumë “Minesweeper”. Tani më duket se jam pjesë e
lojës. Gjej kutinë ku nuk do pështyjë 50 vjeçari.
Vjen autobuzi, pas një pritjeje prej 8
minutash, që më duket një përjetësi, ca i vënë në siklet nga pesnionisti që më
sheh shtrëmbër, ca nga pështymë-prodhuesi ekspert. Heq çantën e shpinës nga
shpina dhe e mbaj në dorë. Shtypem nga ata që kujtohen të fundit të dalin nga
autobuzi, që i bërtasin me të madh shoferit “Po mbaje çik mërr burrë”. Gjej një
cep. Me ç’kam kuptuar unë nga urbanët, e rëndësishme është të mos kesh kontakt
me njerëzit. Të tjerat zgjidhen.
Mbërrij tek stacioni im. Më shkelin 2 veta që
duan të zbresin. Me ç’duket, e kanë për ters të thonë atë frazën magjike për
shoferin. I justifikoj. “Të paktën nuk u vra njeri” them me veten time. Rruga nga
stacioni i urbanit deri tek lokali ku do të pi kafen e mëngjesit më ofron shumë
gjëra interesante: slalom mes makinave të parkuara me stilin “X5-ën e kam vetë,
parkimin e gjej unë”; fraza të kalimtarëve të rastit në telefon a shoqi-shoqit
të tipit “E o mirë o, takohemi nesër bre”, “Po jo pra jo, merre pak ti në
telefon se s’kam lekë për zile”, “Ik o pirdhu andej se kam tre orë që po të
pres” si dhe 2 plaka të shëndosha që ecin krah për krahu duke bllokuar gjithë
trotuarin. Futem mes rrugicash, demek për të fituar kohë. Në fakt, thjesht bëhem
me baltë.
Më në fund arrij në lokal. Përshëndetem me
kamarierin, e në varësi të humorit të tij shkëmbejmë nja dy batuta për sportin,
motin, politikën apo femrat. Porosis dhe ndez një cigare. Rreth e rrotull
lokalit janë ngjitur shenjat që tregojnë se nuk lejohet të pihet duhan, por
kamarieri tregohet i shkathët e më sjell një tavëll të improvizuar. Më vjen
porosia – gabim ndër të tjerash. Kam vënë re që shumë kamarierë nuk e dëgjojnë
atë pjesën “me gaz” pas fjalës “ujë” – dhe bashkë me të edhe dy kupona. Njëri është
kupon tatimor i dy ditëve më parë, tjetri kupon i brendshëm i lokalit me
porosinë time (të saktë). Filloj të gjerb kafenë ndërkohë që i hedh me të
shpejtë një sy gazetave. Nga mëngjesi deri tani, nuk paska ndryshuar shumë
realiteti. Po vrasje, krizë, ngërçe, dyshime, hetime, Big Brother dhe heroinë
gjej nëpër faqe.
Pas rreth 95 minutash ulur, mendoj se do të
ishte më mirë të lëvizja. “Po ku” them me veten time. Gjithësesi, paguaj faturën
bashkë me një 20-lekëshe bakshish (standart personal ky) dhe dal jashtë. Rrotullohem
kot nëpër Bllok. Bëj nja dy-tre telefonata me shpresë që do gjej ndonjë të
njohur rreth e rrotull, por të gjithë janë të ulur nëpër kafene pak larg nga ku
jam unë. Nisem për të marrë ndonjë byrek, koha është tamam.
Gjithnjë kam (pasur) dyshime nëse shitësi i
byrekëve është shtatzënë, apo reklamonte nëpërmjet barkut të tij vlerat e
pasura ushqimore të byrekëve që tregëtonte. Marr dy byrekë e eci ndërkohë, se
mos shoh ndonjë gjë interesante për të bërë. Asgjë.
Nisem për tu kthyer në shtëpi. I bie pak më
gjatë me dëshirën e mirë për të ecur pak. Thonë që është e shëndetshme. Mesa
duket, nuk kanë pasur parasysh rastin e Shqipërisë. Ndez edhe një cigare pas
byrekëve, edhe pse normën e blozës në mushkëri them se e kam plotësuar për sot.
Arrij në stacion. Shumë njerëz. Duhet të jetë
me vonesë urbani mendoj. Më mirë, se do të eci shpejtë të paktën. Kutia vjen,
sardelet futen. Me shumë fat gjej një vend të lirë dhe ulem. Filloj demek të
lexoj lajmet në celular, shumë i përqëndruar, që të mos të më kërkojë ndonjë
veteran lufte t’i liroj vendin. Përbri kam një mashkull, rreth të dyzetave, me
kallo në duar dhe rrobat me llaç të freskët. Diç ofshan duke parë shalët e
zbuluara të një zonjushe të (pa)hijshme që hiqet si indiferente ndaj vëmendjes
së të tjerëve. Mbrapa kam dy gra të shëndosha që i bërtasin me të madhe (mendoj
se janë diçka rreth 10 centimetra larg) njëra-tjetrës se si çmimi i vajit ka
vajtur 2300 lekë, se si ajo merr vetëm 138 mijë lekë në muaj nga shteti dhe se
si politikanët janë qenër që të gjithë. Çuditërisht të gjitha ato që ankohen o
janë të shëndosha, o janë të shëmtuara. Diku, dikush po aromatizon autobuzin me
aromën tradicionale “Flladi i Rakisë”.
Më në fund diçka interesante për të parë përtej
dritares: një makinë që ka në xhamin e përparmë një nga ato lëpirëset që përdorin
policët për të të ndaluar, që ishte përplasur me një makinë me targa greke, ose
targa Yzberishti. Emigranti grek a yzberishtas po kuptonte se ç’do të thotë “dora
e fortë e shtetit” a “toleranca zero”. Mungonin kokoshkat, se spektatorë kishte
plotë. S’e hapa që s’e hapa një kinema me këtë lloj reality-show.
Rrugës për në shtëpi, shoh një autokolonë. “Varrim”
mendova me vete, edhe pse nuk po e kuptoja simfoninë e borive të tyre. Në fakt
ishte thjesht një bisedë shoqërore e çunave të lagjes, që kishin ndaluar në të
dy korsitë e rrugës e diç po flisnin. Më tutje, 17 vjeçari te lavazhi i lagjes,
po lante gjithë qejf një Benz shumë të bukur, të cilit i kishte hapur të katër
dyert, i kishte ngritur volumin deri në fund një kënge diskotekash, e ndërkohë
që e pastronte, ngacmonte tek-tuk ndonjë femër që kalonte.
Futem në shtëpi. Refuzoj të dal më.
Kohë më parë, por jo shumë më parë, isha i
gatshëm të debatoja fort me çdo njeri që më thoshte “nuk bëhet Shqipëria”. Kisha
argumentë, që nuk e di se ku i kam humbur tani. Kisha ide pozitive, që janë kundërpolarizuar
tani. Kisha vizionin e Shqipërisë së bukur, që tani ka nevojë për syze optike për
tu parë.
2 komente
nice style
ReplyDeletenice...very nice indeed!
ReplyDelete