Reading
2
Comments
Ajo çka më shqetëson më shumë në Shqipëri, nuk është kriza/ngërçi politik, as zgjedhja e presidentit të ri - me gjithë respektin për postin e presidentit -, as importimi i plehrave, kriza ekonomike që pritet të na fundosë, inflacioni e probleme të tjera si këto, që rëndom i dëgjon në çdo media të mundshme. Më shqetëson që ne, shqiptarët, thjesht konstatojmë. Në mos, është gjëja më e mirë që dijmë të bëjmë.
Mjafton të hapësh televizorin, në çdo stacion qoftë, e sheh një emision - që me shumë gjasa është diçka bajate dhe e konsumuar -, me panele diskutimi - kështu i quajnë? -, mbushur me opinionistë, politikanë, psikologë, dietologë, e çdo gjë tjetër që mund të mbarojë me “logë”. Shtrohet në sofrën e ngrohtë të emisionit tema X, e aksh opinionist - që të mos ta hap debatin se sa shumë janë shtuar e sa shumë janë konsumuar ata ekzistues - bën një monolog të gjatë, shpesh herë pa kuptim dhe pa një impakt në një audiencë të gjërë, se si “Shqipëria është kështu”, “Shqiptarët janë kështu e kështu”, se si “Ne e kemi zakon të bëjmë këtë e atë gjë”. Me pak fjalë, nëse një fjali do të na përkufizonte, të paktën duke na parë së jashtmi, kam një ndjesi shumë të fortë që do të ishte: “Shqipëria - eksporti kryesor: Mendime/reflektime politike, filozofike, sociologjike, antropologjike ... “
Për një moment - të bekuar - le të lëmë mënjëanë opinionistët, politikanët, psikologët, dietologët etj. e të infiltrohemi tek demos-i, burimi dhe nxitësi - real apo i supozuar - i katrahurës mediatike. Çdo shqiptar/e i/e mundëshëm/me, në çdo moment, qoftë një shitës/e shkrepsesh, qoftë një pedagog/e ka një ndjesi - thuajse detyruese - që të konstatojë, se si “Nuk bëhen gjërat kështu”, “Do të ishte më mirë sikur ...”, “Po ku bëhet ky vend” ... e kështu mund të vazhdoj me shembuj të panumërt.
Pra, ne thjesht konstatojmë. Thjesht shohim se ç’ndodh dhe flasim. Me njëri-tjetrin. Por kjo mesa duket nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që flasim. Shprehemi. Konstatojmë. Të lumtur madje!
Të rralla janë rastet kur ne nuk jemi hipokritë. Fortësisht nuk mendoj se kjo është një normë shoqërore, edhe pse, ndoshta në mënyrë të pakuptueshme, në Shqipëri propagandohet e tillë. Ne kemi hipokrizi - e të më falni që thjesht po konstatoj - në çdo moment: në punë – e parë në çdo dimension të mundshëm, përjashto rastet kur shahet eprori, të cilin vetëm pak minuta më parë e ke përshëndetur gjithë përulje; në shtëpi - marrëdhënie diktatoriale ku diferenca e sistemeve është treguar më e egër se sa diferenca e moshës, ku çdo gjë jashtë mureve të shtëpisë shkëlqen, si një tablo e realizmit socialist; në shoqëri - më duket mediokre dhe e pavlerë të ndaloj në këtë pikë... etj.
Në fakt, hipokrizia, është energji. Energji që i përmbahet disa rregullave të thjeshta, për shembull ligjit të ruajtjes së energjisë, që konstaton se: “Energjia nuk shkatërrohet, as krijohet. Ajo thjesht ndryshon”. Energji të tillë gjen kudo mes nesh faktikisht. Akumulohet pambarimisht, në forma nga më të ndryshmet dhe po në atë mënyrë konfigurohet në aspekte sa më të ndryshme - shoqërore dhe jo vetëm – për të sjellë realitetin ku jetojmë, që nuk është gjë tjetër, veçse një shpërthim i madh i energjisë së akumuluar.
Të më falni, por ky ishte veç një shkrim konstatues.
2 komente
Me ke cmendur me keto shkrimet e tua! Jane perle,,,habitem si nuk je bere i famshem, pasi ke nje menyre te rralle te shkruarit! Kam hapur blog vetem per te te ndjekur dhe komentuar ketu!
ReplyDeleteFaleminderit, por komentet mund t'i beje edhe pa hapur blog ;)
ReplyDelete