Factotum


Factotum = Gjithçkabërës

Politika

Modelet që - fatkeqësisht - ne shqiptarëve na janë servirur a kemi kërkuar me injorancë, janë ato të liderit factotum. Në mos, një lider hyjnor. Lideri yne di të bëjë çdo gjë. Ke një problem ekonomik? Ta zgjidh lideri ynë! Ke një problem juridik? Ta zgjidh lideri ynë! Madje madje, lideri ynë factotum kujdeset edhe për arsimin, për shëndetësinë dhe kanalizimet e ujrave të zeza.

Shyqyr Zotit që dita ka 24 orë. Kohë e mjaftueshme që lideri ynë factotum të jetë në dispozicion të çdo qytetari të thjeshtë a të përbërë të Republikës së Lumturisë ku jetojmë.
Ka rradhë në bankomatin e bankës tënde? Telefono liderin factotum dhe numëro deri në 100! Problemi u zgjidh! Në(n)punësi i administratës refuzoi të marrë parà nën dorë? Mësuesi i fëmijës tënd nuk pranon që të bëjë kurse private? Drejtuesi i tenderit ngul këmbë si mushka që të jenë dokumentat në rregull dhe të zhvillohet konkurrencë e ndershme? Or miku im... Po ti qënke naiv fare! Këto janë hiç mos gjë për gjithçkabërësin lider tonë. Kur vjen puna ama që të përmirësojë mentalitetin e njerëzve, të rrisë ndjesinë komunitare, të rrisë përgjegjshmërinë për publiken apo thjeshtë të zbusë popullin... Epo miku im... Disa gjera...


Kutia idiote (TV)

Mos vallë 74 vite më parë një hardhucë gjigande doli nga vrima e halesë së komshiut dhe zaptoi 4 cm të oborrit të shtëpisë tënde - të ndërtuar pa leje (me ato pak kursimet e një jete ndër të tjerash) - dhe kjo padrejtësi shoqërore ende nuk është zgjidhur?


Po për atë pikën e gjakut gjerman që i ra në bluzë (stër)gjyshit tënd gjatë Luftës së Parë Botërore ndërkohë që i ngulte bajonetën e pushkës Hansit gjerman? Për këtë duhet të jetë vetë Merkel që mban përgjegjësi! Drejtëpërdrejtë! Gjithësesi, cilido qoftë halli yt, dil në Televizionin factotum dhe brenda pak orësh - përgjithësisht nga fundi i emisionit - halli yt u zgjidh! Bishti i hardhucës do të jetë prona jote, pas legalizimit ama, ndërsa Gjermania do të të dëmshpërblejë me lingota floriri.

Televizioni yne factotum ama është kaq i përparuar saqë përmbush edhe dimensione të tjera shpirtërore. Ti këndon nën dush dhe macja e komshiut pëson infarkt? Të pëlqen të mbash penelin dhe të bësh vija pa kombinim ngjyrash? Ke parë breakdance dhe mendon se di t'i besh ato gjëra edhe pse fiskulturen e ke marrë me mik që në 8 (9) - vjeçare? Mendon se baletin klasik mund ta kërcejë çdo njeri? – Ti  je tamam ai që kërkojmë në TV tonë factotum! Duhet vetëm të dalësh në TV factotum, të përdridhesh pak – në qofsh femër, një nxjerrje shale nuk bën keq asnjëherë! –, të bësh si artist ekscentrik që bota nuk kupton, të bësh si avantgarde, të lëshosh ndonjë pikë loti dhe të falenderosh pafund gjykatesit hyjnorë e poliedrikë që godasin çekiçin e vendimit mbi kokën tënde. Por, të paralajmeroj o shpirt i mallkuar, që nëse ajo çka bën është e ndjerë, është pasion, është e vërtetë dhe buron në mënyrë magjike e të pashpjegueshme nga thellësia e vetes tënde - ah mor maskara! Kutia e Pandorës u haptë mu tek pragu i shtëpisë tënde!

Televizioni ynë factotum ecën me hapin e kohës dhe mendon edhe për njerëzit në nevojë. Jo vetëm kaq, por, i mbledh madje nën të njëjtën çati e i lë të hanë kokat me njëri-tjetrin për nja tre muaj të mirë! Ah rrofsh o Televizioni ynë factotum që na jep bukën e përditshme.


“That's because they don't throw their garbage away, they turn it into television shows.” (W. Allen)

Mjerë ne! Kemi harruar veten... në mos, e kemi nëmur. Potencën e shpirtit tonë, sado pak qoftë ajo, e kemi dorëzuar në mënyrë të pakushtëzuar tek gjithçkabërësit dhe gjithçkafabrikuesit. Ata do të sjellin shpëtimin tonë. Ata shesin shpresë! Madje madje, ata kanë monopolin e të vërtetës dhe të shpresës.
Humbëm paturpësisht veten tonë, në përballje me po vetëveten. Turp!

0 komente:

Post a Comment

My Instagram