Po(r) … unë (nuk) jam budalla…!

Të them të drejtën, për herë të parë që unë mbaj mend (të paktën), këto janë zgjedhjet e para ku unë nuk jam i angazhuar emotivisht. Më parë, në fushatat e mëparshme dmth, me zell të madh rrija e lexoja çdo lajm të mundshëm, kronikë, intervistë, shpifje a ç’të ishte... Sepse politikëbërjen, vendimmarrjen, gjobëvënien dhe kërcënimet – çdo gjë që përbën politikën me pak fjalë – unë e kam qejf. Çuditërisht më josh. E megjithatë, diçka ndodhi kësaj here ...

Në fakt, duke e gjykuar në retrospektivë, krisja e madhe që u pasua me një thyerje të madhe, ka ndodhur më parë. Nuk po them që në ’96, ku u premtua fushë me lule e na futën gishtin një vit më vonë. Jo jo. Mendoj që ajo pika që boni namin, ishte Likja. Iliri. Meta pra. Ai tipi që ishte me figurë dhe zë në një video (mos të harrojmë edhe bllokun e shenjtë “Bakshishet sipas Metës”) ... e megjithatë, Gjykata vendosi. Ai që është Meta, me zë e figurë, në fakt nuk është Meta.
Unë nuk di të them se çfarë shijesh artistike kanë pasur gjykatësit e çështjes, por me siguri, René Magritte duhet ta kenë pasur qejf shumë ... (http://upload.wikimedia.org/wikipedia/en/b/b9/MagrittePipe.jpg)

E do s’do, fillon të kesh ca dyshime me veten. Ore, mos vallë unë (nuk) jam budalla? Se .. mendja kokërr gruri thonë që është (për të përforcuar urtësinë kombëtare, jo se është me vërte)... E megjithatë, prapë, ke një fije shprese e optimizmi brenda vetes që në fakt nuk je budalla. Ndoshta ai ishte me të vërtetë Meta ... ndoshta.

E provova. Për shumë kohë e provova. Të jesh optimist... nuk e ke idenë sa bukur që ishte. U zgjova, pashë veten në pasqyrë dhe i thashë: “Ti sot je optimist!”. Gjërat kishin ndryshuar, Meta nuk ishte Meta, Berisha (ai që kishte dhe ka fajin për çdo gjë) nuk ishte më. Basha bënte sikur ishte Berisha dhe Majlinda Bregu vazhdonte të ndjehej se ishte Ministre e Shampos dhe e Flokëve. Çfarë mund të shkonte keq?

Ditë e bukur, me diell. “Po bëj një xhiro me makinë” i thashë vetes.


E di çke? Më mirë! Më mirë që është rritur, kështu që do eci me këmbë. Të mban në formë, Sazan Guri do jetë i lumtur se nuk do dëmtoj ambientin ... plus edhe me parkimet nuk është se është kaq e thjeshtë ...

Po bëj një dush të shpejtë dhe po i bëj një telefon Redit, shokut tim, të dalim për qejf nëpër Tiranë...


Po kujt po i bëhet vonë po hë! Nuk po e bëj fare një dush, madje madje, po dal vetëm, që të shijoj ca Tiranën
http://www.mapo.al/2015/05/ndotja-akustike-ne-tirane-ne-nivel-kritik-ja-zonat-me-te-prekura - 80% më shumë se sa norma e lejuar ... – Ndoshta për shkak të rritjes pesë-shifrore ekonomike të shënuar nga kjo qeveri, të gjithë kanë blerë një makinë dhe një bori të re, që e përdorin vend e pa vend, thjesht sa për t’i nxjerrë qejfin e diçkaje të sapo-blerë ...

E di çke? Po rri fare në shtëpi më mirë!


Pra, uji më shtrenjtë, telefoni më shtrenjtë, nafta më shtrenjtë, shtëpia më shtrenjtë ... pse mos të vras veten më mirë?

https://www.youtube.com/watch?v=1BWqEZGH5TE – 4-10 pensione mujore për vdekjen tënde ...

Nuk e di dmth ...

Megjithatë, unë jam optimist!

* * *

Femrat, socialistët dhe trapi

Bazuar në Facebook-un tim, që nuk është se është ndonjë studim shumë rigoroz (por kush e ka bërë ndonjëherë ndonjë studim rigoroz këtu në Shqipëri), ka një paralele të hollë që mund të hiqet mes femrave dhe socialistëve.. të dyja palët nuk e dinë ça duan nga vetja ...

Kujtojmë, për socialistët, prej periudhës 2005 – 2013, nëse i pyesje “Me kë parti je?”, përgjigja ishte standarde: “Jo jo, unë nuk merrem me politikë. Unë jam me popullin.”. Pas 21 Qershor 2013, përgjigja ndryshoi në: “Ju dhamë 1’000’000 shuplaka ju dhe shpellarëve të Salës”. Nuk po them që kjo është koherencë politike, por ...

E mund të dërdëllis gjërë e gjatë për këtë fenomen, për shembull për Erin (të cilit do i dedikoj më pas një paragraf vetëm për të!) që në 2005 pështynte PS-në e sot është kandidat i PS-së; për Ramën që po prish me INUK-un ato shtesa që vetë i legalizoi gjatë qëndrimit në bashki; për Blushin, që kur nuk flet kundër PS-së është rob’ zoti, por kur del kundër parisë është një matrapaz politik, qelbësirë, madje madje i blerë nga Berisha (që mos të harrojmë, përveç se ishte dhe është fajtor për çdo gjë në Shqipëri, gjithashtu ka gisht në çdo pisllëk që ndodh në mëmëdhe); për Tomën që ishte çelësi i fitores historike në Shkodër e tashmë është veç një vegël e Birishës ...

Se, përtej të gjithave, këta politikanët tanë, bëhen të fortë kur i prek, e janë të qullët kur nuk i intereson gjë ... e gjëja e parë që mua më vete në mëndje është pikërisht trapi (Jo ai që i plas Çilit) ... që në fund, e hamë unë e ti si qytetarë të ndershëm që paguajmë taksat ...

* * * 

Kë të marr e kë të lë? Natën gjumi nuk më zë ...

Siç e deklarova në fillim – jo si Gjin Gjoni, Tom Doshi apo Andis Harasani pasurinë – këto zgjedhjet nuk ma kanë ngrefur fare. Po fare fare.

Siç do të thoshte Ahmet Shqarri, nga njëra anë e ringut qëndron sfidanti Halim “Kam parë gjëra qëju njerëzit nuk mund t’i besoni” (Blade Runner - 1982) Kosova dhe nga ana tjetër, Erion “Kam shitur fiq tePazari i Ri” “Moma ime është bose” Veliaj.

Çuditërisht, ose ndoshta fatmirësisht, asnjë nga të dy nuk ma ngref. Po fare fare. Edhe pse jam optimist. Jo për ngrefjen, por që do të bëjnë ndonjë gjë të mirë për Tiranën dhe për njerëzit që jetojnë në të. Nuk e di pse, jam i bindur që pasi të na puthin duart e të na bëjnë të mendojmë që jemi me të vërtetë të rëndësishëm për ta, të na fusin gishtin. Që në fakt, është e vetmja gje që na ka ngelur... konsiderohet optimizëm ky?

Siç e premtova, ky paragraf është vetëm për të, njëshin, figurën, të madhin, të pakrahasueshmin, atë që nuk bën kompromise, ai që nuk ka turp për të kaluarën e tij, atij që është i varfër si të gjithë ne ... Erin. Er Veliajn dmth. Një shprehje, që rastësisht ma zuri syri në një njoftim tek Balkanweb, që për mendimin tim, përmbledh të gjithë esencën e këtij vendi ku jetojmë: “Tirana është i vetmi qytet ku llumi shkon sipër, ndërsa paria shkon poshtë.”. Dhe kjo e thënë nga dikush që është sipër, aty, mes kastës së sipërme që ne, paria e poshtme e votojmë … e kjo, shkon përtej Ps-së, PD-së, LSI-së e më gjërë…

* * *

Miku im! Ç’po të plas trapi për zgjedhjet, për Erionin apo për Halimin? Po ta them hapur, futu në ndonjë tender, vidh diçka, merr ndonjë gjë nga buxheti i shtetit, pi “një kafe” me atë që do t’i japësh një vënd pune pa lidhje me fushën akademike të kandidatit ... bonus nëse e ke shtëpinë në kat të dytë me oxhak ...

E megjithatë, unë jam optimist, se gjërat do të ndryshojnë!

Fitore! - ak


1 komente

  1. Ti ke humbur kot per komedian, o cun!!

    ReplyDelete

My Instagram