Një ditë mes (Komunës së) Parisit


Ajo doli nga shtëpia e krekosur, siç bënte gjithnjë. Edhe pse jashtë binte një shi i zymtë dhe era e përkeqësonte edhe më shumë situatën, me delikatesë ajo veshi getat e saj të preferuara. Ato që i kish blerë shumë shtrenjtë në një butik andej nga Komuna e Parisit, ku punonte një shoqja e saj, të dyja të diplomuara dhe me master pranë Fakultetit të Drejtësisë. Getat kishin një dizajn të veçantë - një kullë Eiffel nëpër të, që i bënte edhe më ekzotike në një vend ku ndërtesa më e lartë ishte një kullë - element i lidhur fort në ndërgjegjen kombëtare për shkak të gjakmarrjes - në formë kaushi akullore, afër një ushtari, të panjohur.

Hijeshisë së getave i shtoi një fund të zi, të shkurtër e elegant, duke e kombinuar me një këmishë ngjyrë kremi, që edhe pse ish veshur nja tri-katër herë, nuk kishte njolla të dukshme a kutërbim djerse. Kaçurrelat me majë të djegur i lëshoi mbi supe dhe vendosi edhe një palë rruaza të kuqe të ndezura, për të krijuar atë kontrastin që duhej.

"Voila" tha me vete teksa veshi edhe këpucët, natyrisht dhe vetëm me takë "20çe". Edhe pse i vrisnin pak këmbët, e në darkë detyrohej të rrinte për dy orë me këmbët më legen me ujë të vakët e kripë të blerë shumë shtrenjtë në një dyqan importi pranë një restoranti dhe një ëmbëltoreje (Te Rossman dmth), ato taka e tregonin shumë seksi. Dhe shkonin shumë me getat për më tepër.

Hapi perdet për të parë kohën për herë të fundit përpara se të dilte. Nga hapësira që ndërtesa e re e Avdiut, komshiut të saj përballë, e lejonte të shihte, vuri re një shi të dendur. "Perfekte për çadrën e kuqe" mendoi, edhe pse ajo kishte një logo banke - aty ku kishte marrë overdraftin - të stampuar në të.

Hodhi parfumin e saj të preferuar që e kishte blerë shumë shtrenjtë diku andej nga Brryli dhe doli. Mbylli derën dy herë me bravën e poshtme dhe dy herë me atë të sipërme. Kohët e fundit ishin bërë nja dy vjedhje në lagje (ca saraçineska, nja dy brava hekuri dyersh për skrap dhe tri herë shtëpia e Benit, por ai kish lekë e nuk e çante kokën). Zbriti pesë katet e pallatit të vjetër pa ashensor duke përshëndetur përzemërsisht plakat e lagjjes që qenë ulur duke bërë dallavere e duke tjerrë lesh në shkallët e katit të dytë.

22 minutat e para - koha që i duhej për të dalë në rrugë kryesore - i morën mëndjen gropat që duhet të evitonte, copat e pllakave ku duhet të shkelte si dhe pusetat pa kapak (edhe këto të vjedhura për skrap). Edhe ato dy puseta që kishin kapak, mund të ishin një kurth vdekjeprurës për shkak të vrimave ku mund të ngecnin takat.
Në 22 minuta dëgjoi 6 fishkëllima të ndryshme, 3 "o të hënksha zëmbrën moj", 4 bori makinash dhe 2 motorrë papaq.

Edhe pse vizualisht shfaqi shenja nervozizmi dhe bezdie (ca nga baleti mes baltes e ca nga epshet e lëshuara si pa të keq rrugës), brenda vetes po ndjehej mirë. Ajo tashmë kish vëmendjen e rrugës së lagjjes. Kjo tregonte se jo vetëm ajo ish perri mbi perrie, por edhe se ish veshur më bukur nga ç'mendonte.

Doli më në fund në rrugën kryesore e po priste të vinte Tirana e Re. Do të ikte në Laprakë për të pirë një kafe me një mikun e saj që kishte servis makinash në atë zonë. Ishin njohur në Fejsbuk. Ky i kishte komentuar një foto. Kjo i kishte bërë një lajk tek një foto ku ishte ky me një kartmonedhë 500€ dhe një pistoletë. Kaq mjaftoi që të shpërthente një dashuri e fortë. Dashuri nga ato me shikim të tretë a të katërt, sa të mësohesh me pamjen e tjetrit/ës.
Autobusi ishte plot. Njerëz që shtyheshin. Fatorino që bërtiste herë "Më shpejt, më shpejt. Hajde më shpejt", hërë "Lëviz nga mesi të lutem". Ca me brryla e ca me forcë, u bë edhe ajo pjesë e turrmës që do të bënte xhiro rrugëve të unazës së re, ku gjithë qejf mund të shijosh masakrën e betonit.

Me Xhinon e servisit nuk kishin shumë që flisnin. Dukej çun i mirë. Të dy ndanin pasionin për motorrat si dhe dëshirën për të bërë një jetë luksi, kryesisht të shoqëruar me check-in tek Mumja, Lolipopi dhe lokalet e reja që hapeshin, ku vente vetëm ajka e shoqërisë.
Mendimet e kësaj jete të lumtur, që po i shoqëronte në mënyrë instiktive me një buzëqeshje të kufizuar (që të mos ekspozonte kariesin që kishte në dy dhëmbët e sipërm), u ndërprenë zhurmshëm nga një debat që një udhëtar po bente me fatorinon. Udhëtari donte biletë dhe po i thoshte që është evazion fiskal. Fatorino nga ana e vetë po i shpjegonte se ishte zgjuar që në 6 të mëngjesit dhe nuk kishte kontrollorë gjatë rrugës.
"Kafshët" mendoi me vete. "Këta sikur dalin t'i prishin punë njerëzvë që punojnë mo. Po ç'të ka bërë fatorino i shkretë? Leqë ça e do kot biletën njëherë".

Zbriti në stacionin e Laprakës. Semafori për të kaluar rrugën ishte veç 25 metra më tej, por të gjithë kaluan aty ku ndaloi autobusi, madje përpara këtij të fundit. Fundja, kështu e bënin të gjithë. Edhe Bashkia ja kishte futur kot. Po bëje mër vlla semaforin aty ku do të kalojë robi. Po ata janë të gjithë të korruptuar, prandaj nuk ecin gjërat në këtë vend.

U takua me Xhinon te Bar Lapraka, në kat të dytë, në fund, pas shtyllës. Se duhet çik intimitet në këto raste. As vetë ajo nuk e di se si ikën dy orë duke dëgjuar historitë e sherrit të Xhinos me njerëz që i kishin rënë më qafë, se Xhinua vetë ish çun i mirë që nuk bënte padrejtësi në jetë.
E në ato pak orë që ndejtën bashkë, ndërkohë që ai i fërkonte ca shalën, se çun ishte në fund të fundit, ajo mendonte se si kishte humbur kohë më parë me meshkuj që as te maja e thoit nuk i afroheshin Xhinos. E kështu vijoi të thurrte ëndrra mbi të ardhmen e tyre të lumtur.
Pa orën e shqetësuar. I duhej të lëvizte sa më shpejtë të ishte e mundur, sepse shoqja e saj, Roberta, po e priste. Nxitoi të nxirrte protofolin, por princi i kaltër kishte paguar tashmë, kur kjo kish ikur në tualet për të kontrolluar grimin e për të vënë ca më shumë rouge në mollëza. Buzëqeshi e ndrojtur dhe nxitoi të dilte përpara nga lokali, se helbete ç’do thoshte njerëzia po t’i shihte bashkë.

Rrugës për te Roberta, pasi kaloi Bar Restorant Mezeri “Pirro Buzë Rrugës”, iu hap oreksi nga era e qofteve që vinte nga lokali. Pa e menduar gjatë, u fut në Fast-foodin e parë që gjeti. Punonjëset u habitën ca, se kish kohë që nuk hynte njeri aty. Gjithësesi, i përgatitën një sufllaqe me të gjitha, pa qepë dhe pa salca, të standardeve më të larta që ofronin. Sepse klienti ka gjithmonë të drejtë!

Nxitoi të kalonte rrugën dhe takoi Robertën në lokalin poshtë punës. Roberta, që në të vërtetë emrin e kishte Novruze (sepse kishte lindur ditën e Shën Novruzit), njihej ndryshe edhe Xela, por vetëm nga shoqet e saj më të mira. Pas një kafe të gjerbur shpejt e shpejtë, duke dëgjuar hallet e Xelës me prindërit që nuk i dërgonin lekë nga Përroi i Vërsidollit në Devoll, ku jetonin tashmë prej gjithë jetës së tyre, u ngjitën të dyja lart në punë. Supervizori i katit as nuk u la kohë gocave të vendosnin kufjet, se filloi menjëherë të bërtiste “Dai ragazze, dai. Contrati oggi e, mi racomando”. Sa i lig që ishte mër për Zotin. E kishte rrogën vetë nja 1 milion, prandaj bënte ashtu. Se nuk e dinte i shkreti se ç’hiqnin gocat për të bërë atë punë.

Pas 6 orësh monolog “Ciao Signore. Sono Francesca e la chiamo da Roma”, turni u mbyll dhe gocat u sulën për të kapur përsëri autobusin për në shtëpi. Gjatë rrugës, përsëri të njëjtat muhabete, ankesa, zëra të lartë. Këta njerëz sikur nuk punonin mi xhane. Zbriti në lagjje dhe nxitoi të bënte rrugën pak më shpejtë, se ishte errësuar. Shyqyr që kishte smartphonin e vetë, ku hapi 0.facebook.com që të shihte nëse Xhino i kish bërë ndonjë mesazh a jo. Edhe pse pak e mërzitur, e justifikoi me veten “Do ketë qënë i zënë i shkreti”.
Përshëndeti përsëri plakat e shkallës së dytë që nuk kishin mbaruar as me dallaveret as me leshin e tjerrur dhe hyri në shtëpi.


Më në fund, pas një dite intensive, hoqi e lehtësuar këpucët dhe filloi të mbushte një legen me ujë të vakët. Pasi u ndërrua e veshi rrobat e shtëpisë, hodhi një batanije sipër e filloi të rrotullonte kot stacionet televizive. TVSH – Tirana TV – TV Klan – Ora News – News 24 – Top Channel – Albanian Screen – NTV – BBF... asnjë gjë interesante. Edhe “Haberet e Darkës” te Tirana TV nisnin më vonë.
E ashtu siç ishte, ndjeu se gjumi po e merrte dalëngadalë ... në fund të fundit kishte pasur një ditë intensive ... dhe nesër do të ishte një ditë e re për të mes (Komunës së) Parisit...


0 komente:

Post a Comment

My Instagram