21 Janari – Damka e turpit tonë


4 vite më parë, më 21 Janar, ndjehej në ajër që diçka e keqe do të ndodhte. Opozita e atëhershme kishte paralajmëruar për një protestë madhështore, e siç ndodh rëndom në këto raste, ishin nisur autobusa mbushur me përkrahës partiakë. Nga krahu tjetër i fushës së shahut, forca të shumta policie ishin mobilizuar, për të rrethuar me tre rreshta kryeministrinë, jo fort se ishte kryeministria, por se ishte zyra e Berishës.

Pas katrahurës që të gjithë e dimë që ndodhi, rezultati ishte tragjik. Ca nga kafshëria që edhe njëherë ne shqiptarët treguam ndaj njëri-tjetrit, ca (dhe ajo që mua më irriton më shumë) nga mungesa e përgjegjësive, atëherë dhe tani.

Dhe ky shkrim, i drejtohet opozitës së atëhershme e qeverisë së tanishme. Nëse deri dje, “Fajin e kishte Saliu”, pasi ai “kishte mbërthyer gjykatat dhe çdo institucion tjetër në këtë vend”; nëse deri dje, “çdo gjë manipulohej e të gjithë ishin të blerë”; nëse deri dje, rëndom tragjedia u kthye në diskutime tellallësh në parlament, ndërmjet lavireve të bulevardit dhe grupeve të puçistëve, po sot z. Kryeministër, çfarë po ndodh?

Sot ju jeni në krye të qeverisë, ironikisht me z. Meta – që ishte pikënisja e protestës (jo-videoja e famshme, që ishte jo-Meta duke marrë një jo-rryshfet të voçkël). Me të madhe u trumbetua shteti ligjor, shteti i së drejtës. Të ëmën e Konstandinit e nxorre në një show të turpshëm e poshtërues dorëheqjeje, për të treguar që këtu askush nuk është i paprekshëm (edhe pse motivacioni i znj. Xhuvani se nuk i shërbente dot më zonës elektorale që e kishte zgjedhur ishte pak i çalë për atë rast) ... bukur fort,atëhere çfarë të pengon për të vënë drejtësi për 21 Janarin? Mos vallë prapë “fajin e ka Saliu”? Mos vallë prapë “gjykatat janë të kapura nga tentakulat mafioze”?

Paranoja e mosbesimit tonë na bëri të bëjmë të gjithë analizat balistike, dinamikën e ngjarjes etj. nga ekspertë “të paanshëm ndërkombëtarë” ... pyetja ime vazhdon të ngelet: Po tani, çfarë të pengon z. Kryeministër?

21 Janari nuk është vetëm një tragjedi për ato 4 familje. Është një tragjedi e jona. Është një damkë që i kemi vënë vetes, si të shtypur që nuk do të reagojmë kurrë ...

Siç e kam thënë edhe më parë, nuk është koha e maskarenjve. Maskarenj jemi ne, që harrojmë e falim.


0 komente:

Post a Comment

My Instagram