#JustAlbanianThings


Më duhet ta filloj këtë shkrim me një parantezë të shkurtër mbi kredot e mia në lidhje me ne shqiptarët. Ne jemi populli më i mirë, më i mënçur, më i zgjuar, më i bukur, më besnik, më trim, më liridashës, më nacionalist, më ... më ... më ... POR, gjithnjë na e kanë bërë me hile. Gjithnjë ka qënë Amerika dhe fuqi të tjera të mëdha që nuk na kanë lejuar të bëjmë përpara e t'i shpalosim botës gjithë brumin tonë. Gjithnjë na e kanë futur politikanët/udhëheqësit tanë, që jo se nuk i kemi zgjedhur ne, por ata kanë punuar nën rrogoz për armiqtë e jashtëm të Shqipërisë. Përveç Skëndërbeut, që ishte nona (cit. E. Rama).

Shqipëria është vendi më i bukur në botë, me pasuri natyrore që as në përrallat e Walt Disney-t nuk janë parë, që ka një begati e potencial zhvillimi më të lartë se GDP e Kinës dhe Amerikës të marra së bashku dhe që është vendi i shqiponjave (besoj diku andej nga masivet malore në Verilindje të vendit, se këtëj nga anët e mia në Myzeqe, korba edhe sorra kam parë vetëm).

Si vend mikpritës që jemi, më poshtë po i jap një guidë të thjeshtë dhe praktike për të gjithë miqtë shqipdashës që vijnë pe jasht shteti.



#Rakia 
Rakia nuk është një pije. Rakia është një institucion. Madje, ndër më të rëndësishmit. Këtë e dëshmon edhe aplikimi i gjërë që ka në jetën tonë:
- A do të testosh "namuzin" dhe "burrërinë" e një mashkulli? Jepi të pijë raki!
- Të dhëmb zemra (për arsye që variojnë nga një ftohje modeste deri tek pllaka arteriosklerotike)? Pi raki!
- U vrave pak dhe ke hemoragji? Fërkoje plagën me raki!
- Ke problemje me frymëmarrjen? Lyej një napë me raki dhe vendose mbi hundë!
- Do të nderosh një mik? Jepi raki të mirë të bome vetë ballkazani!
- Ke probleme me sekrecione në rrugët e frymëmarrjes? Pi pak raki esëll në mëngjes se i djeg mikrobet!


#Leopardato
Leopardato nuk është vetëm një veshje e pa(s)hijshme. Leopardato është një stil jetese. Ka nga ato që betohen e përbetohen që nuk janë ato që e zgjodhën leopardaton, por leopardato i zgjodhi ato. Pavarësisht se përpiqem të jem shumë korrekt dhe aspak paragjykues (frazë kjo që gjithnjë paraprin diçka shumë paragjykuese), për mua ka një asosacion të lirë ndërmjet leopardatos dhe kuçkave, bundrave, kurvave, buçeve. Kaq se nuk po më kujtohen më sinonime. E jo domosdoshmërisht buçllëk në vepra, por të paktën në shpirt.
Gjithësesi, siç ndodh rëndom me gjërat që bëjmë ne shqiptarët, gjithë bota (vlen të theksohet se kryesisht ajo Perëndimore) ngelën të habitur dhe të mbrekulluar nga kjo shpikje kryevepër e ne shqiptarëve. Zhan Pol Gutjeri, Luis Vitoni, Karl Lagerfilld, Donatela Versaçe dhe një rradhë e gjatë e këtyre tipave, jo vetëm që lanë kokën pas leopardatos, por po orientojnë gjithë botën drejt këtij modeli të suksesshëm.
Mos të harrojmë që leopardato nuk është vetëm për individin. Falë ekonomisë së lirë të kërkesë-ofertës, ju mund të leopardoni makinën tuaj si dhe të arredoni mjediset e brendshme të shtëpisë tuaj tek Klamizo, që ofron dyer me dru arre dhe veshje leopard.
E fundit, drejtuesit e Twitter konfirmojnë se hashtegu me trendin më të lartë këto vitet e fundit që ka njohur njerëzimi është #leopardato4life


#Cipa
Me njohuritë e mia të kufizuara, unë nuk njoh asnjë popull tjetër të ketë kaq shumë shprehje frazeologjike për individin e pacipë. I ka plasur cipa, i është bërë lëkura shollë, të lan e të lyen, me një dorë të fërkon me tjetrën ta fut ...
 Që të mos tregohem i njëanshëm, krahas individit, ne shajmë edhe veten. "Pis milet" është damka që i vëmë vetes.
Por kjo nuk ka rëndësi. Siç e kam cekur edhe më parë (po kush e ka vrarë mëndjen ta lexojë thuaj) komunikimi është një tabu në Shqipëri, po aq sa dinjiteti apo integriteti i individit. Figurat këtu tek ne janë bërë si figura letrash bixhozi, ku ç'fitoje në një dorë, e lije në dorën tjetër. Ç'grisej e pështyhej nga një lojtar, puthej e përqafohej nga lojtari tjetër.
Kështu, Filip Çakulli që denoncoi jo-Metën në një jo-video për një rast jo-korrupsioni, (me)nderohet po nga Meta një vit më vonë me çmimin (kësaj here zëri dhe imazhi nuk ishin të manipuluara) si "Gazetar i vitit". E lajme të tilla gjen pafund në media, e sidomos në politikë (Pollo ndahet nga Berisha, bashkohen më vonë; Meta ndahet nga Nano, bashkohet me Ramën, ndahet nga Rama, bashkohet me Berishën, ndahet nga Berisha dhe bashkohet përsëri me Ramën; P. Koçi ndahet nga Rama, bashkohet për tu bërë zv/ministër më pas; Kaç Islami ndahet me PK/PPSH për tu bashkuar me PS, ndahet me PS për tu bashkuar me PD; Ngjela ndahet nga PD për tu bashkuar nga PS, me të cilën ndahet më pas ... Pikëpyetjet e mëdha të sistemit janë vetëm Skënder Gjinushi dhe Nard Ndoka). E megjithë këtë skenar, që ja fut 100 herë Ridge dhe Brooke të "Beautiful", nëpërmjet jo-votës tonë, i përtypim dhe ripërtypim po të njëjtat figura, të paktën këto 25 vitet e fundit që mbaj mend unë. Ah po, ka hyrë Erion Veliaj si figurë e re, por ai është i shenjtë dhe është blasfemi të flasësh për të.


#L'etat c'est moi
Ne nuk duam udhëheqës. As menaxherë. Ne duam hyjni të zbritur në tokë që të kenë monopolin e së vërtetës, e të na e shpërndajnë herë pas here. Ne duam një factotum që i bën të gjitha për ne. E derivat i drejtpërdrejtë i këtij lideri, është toleranca.


#Toleranca
E kotë të thuhet për të disatën herë, komunikimi si njerëz është një tabu në Shqipëri.
Po ke mendim ndryshe, automatikisht ja ke futur vetes. Po ke bindje tjetër, prapë ja ke futur vetes. Ti je një dele në dorë të Perëndisë, e në këtë rast, Lideri Suprem është Perëndia jote. 

10 urdhëresat e shenjta janë shumë të qarta:

0. Partia nuk gabon asnjëherë, e aq më pak Lideri Suprem
1. Ti nuk do të kesh asnjë Zot tjetër veç Liderit Suprem të Partisë tënde
2. Ti do të marrësh pjesë në çdo manifestim elektoral, ceremoni, konferencë, simpozium apo party, kur Partia ta kërkon (të jesh aty për të mbushur rradhët)
3. Ti do të shpërndash në Fejsbuk çdo lajm që ka lidhje me Qeverinë dhe Partinë tënde, por vetëm nga ato media që janë pro Qeverisë dhe Partisë tënde
4. Ti do të angazhohesh në diskutime palaçosh në rrjetet sociale për të mbrojtur Partinë tënde
5. Ti nuk do të kesh kurrë një mendim ndryshe nga Partia jote
6. Mos e lakmo Liderin e Partisë tjetër
7. Çfarë thotë Lideri është gjithmonë e vërtetë. Edhe nëse nuk është akoma, do të bëhet shumë shpejtë.
8. Lideri është gjithnjë i varfër, sepse i shpërndan gjithnjë ato pak kacidhe që fiton me djersë, tek njerëz më pak fatlum se ay.
9. Lideri mendon gjithnjë për ty. Edhe kur ti mendon se Ay nuk po mendon për ty, e ke shumë gabim. Kaq po them unë.

Lexhendë* ngel Ay, i madhi, që ka thënë "Po po, partia tënde të arreston".

Por, ka dhe fusha të tjera ku ne shqiptarët jemi shumë tolerantë, madje ja përplasim surratit botës që ka ngelur e mbrekulluar nga këto, si për shembull veshja me jeshile të ndezur e Baba Mondit të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, mjekra e Janullatosit, pa-mjekra e Kryetarit të Komunitetit Musliman në Shqipëri apo Kryetari i Katolicizmit që është nga Saranda toleranca fetare. Ishte një shuplake kaq e madhe, saqë jo vetëm faqkat pariziene ë gjermane u skuqën, po u erdhi turp nga vetja që qenë aty, në manifestimin për fjalën e lirë, të mbushur me njerëz të pa-lirë. Është toleranca në komunikim ("Ça ke që sheh, mër zotëri jo-tolerant"; "Po ik mër jo-tolerant andej se po të %#%#+>"; "U kur u bë edhe bytha e këtij jo-tolerantit të mutit të më tregojë mua" etj. etj.) si dhe është toleranca në gjeste/komunikim jo verbal ("Ore, kujt i fryhet ai jo-toleranti aty?"; "Mos po ngacmon gjë gocat tona ai jo-toleranti, se nuk e toleroj dot këtë gjë" etj.)


#Nderi/Respekti
Siç mund të ketë kuptuar ndonjë lexues - shpresoj edhe ti - të gjitha tolerimet e jo-tolerancës më sipër çojnë në një konflikt të pashmangshëm verbal e më pas fizik. Por larg qoftë që të ndodhë sepse nuk ka tolerancë. Jo jo. Ndodh sepse një burrë që është burrë duhet të mbrojë nderin dhe respektin e vetë.

Më duhet të bëj një ndalesë shumë të shkurtër për të sqaruar dy gjëra:
A)   Koncepti i termit "burrë" në Shqipëri është pak ambig. Kështu, nëse i kërkon një mashkulli të moshës 12 vjeçare të bëjë një sforcim të vogël intelektual (për shembull të lexojë libra jashtë-shkollorë), përgjigja është "Po prit se është i vogël, ç'mund të presësh?"; nëse po i njëjti 12 vjeçar merr Kallashnikovin e rrëmbyer pa leje nga familja e tij në '97 nga depot ushtarake për të vrarë vrasësit e të atit të tij të implikuar në rrjet droge e prostitucioni, komenti është "Hë më të lumtë. E paska bërë si burrat. Ka mbrojtur nderin e familjes.". Natyrisht, shembulli është kaq banal, sa po më vjen edhe mua zor nga vetja që e shkrova, po iku kjo punë tani.

B)   Nderi dhe Respekti janë dy terma të ndryshëm por fort të lidhur me njëri-tjetrin, ndaj vendosa të jenë nën të njëjtin hashteg.

Për tu rikthyer në Guidën për njerëzit pe jasht shtetit, Nderi dhe respekti në kulturën tonë kanë rrënjë më të thella se dhëmballët e mia. Mendohet që para se Leka i Dukagjinëve të shkruante Kanunin e vetë. Siç e thotë edhe përfaqësuesi i lartë i kulturës tonë folkloristike dhe bashkëpunëtorja e tij, pra G Bani dhe Crazy Girl, "më respektove, të respektova / fole, të dëgjova / fola, më dëgjove", respekti shtrihet në çdo veprim të të përditshmes tonë. Nëse për vendet aspak të zhvilluara Perëndimore kjo "fole, të dëgjova / fola, më dëgjove" do të ishte thjeshtë normë apo etikë komunikimi, këta barbarë neglizhojnë faktin se, në fakt, ky është respekt.
Nëse vete për drekë tek një miku yt, pra i bën respektin që i pranon ftesën, ai të bën respektin duke të të shtruar një tavolinë plot me sëmundje kardiovaskulare gatime të mira. Dhe në këtë mënyrë ai të respektoi dhe doli i nderuar, por edhe ti je i nderuar se ke një mik që të bën respektin dhe të nderon.
Nëse ke një kushërirë të 12 në linjë gjaku, që e ke takuar vetëm një herë kur ke qënë 7 vjeç në një qokë familjare (ato rastet ku prezantohesh me 60-75 njerëz, që të gjithë kushërinj e që më pas nuk i takon më kurrë në jetë), dhe kjo kushërira ka zgjedhur rrugën e mutit duke shijuar jetën e saj private, ti që je burrë duhet t'i mbrosh nderin, duke detyruar të martohet me ndonjë të rraskapitur që rastësisht gjendet aty pranë. Tjetër punë se kushërira e 12 do vazhdojë jetën e saj me zgjedhjet e saj, e rëndësishme është që nderi i saj u vu në vend.
Si jashtëqitje e vogël, është rasti kur një mashkull kçk (kap ça të kapi) - duke konfirmuar burrërinë e tij tek shokët, fisi dhe kamarierët e pikës së basteve ku shtyn mbasditet - por nusen e do të virgjër ama, se nderi është nder.
Unë në fakt u bëra lëmsh me këtë nderin dhe respektin. Po kuptuat gjë deri tani, mirë. Po nuk kuptuat gjë, prapë mirë.


#Eksperti i midhjes dhe i pëshkut
Në disa shkrime të miat të mëparshme kam evidentuar disa herë shqetësimin tim mbi këta super-ekspertë që kemi në gjendje të lirë ose të keq-alokuar. Kështu, njoh nja dy-tre Kryeministra që fatkeqësisht janë bërë shoferë autobusash, katër presidentë që janë bërë berberë si dhe dy guvernatorë dhe një stomatolog që janë bërë taksistë.
Megjithatë, shyqyr Zotit që janë hapur këto Call Centre që po prodhojmë gjithnjë e më pak super-kuadro të përgatitur ... se vaj medet pastaj (cit. E. Rama) ku do të venim përndryshe ... 300'000 juristë, ekonomistë, arkitektë, inxhinierë dhe shpesh edhe mjekë, që pasi kanë dalë nga bankat e shkollës, janë duke ndjekur ëndrrën kapitaliste. Ata janë Rruzhdie, Manushaqe apo Abdurrahman në jetën e përditshme, po për botën janë Roberta, Giulia apo Matteo.
Herë herë, ndjej edhe unë një impuls të papërmbajtshëm të mbaroj PhD dhe të çoj një CV në këto kioska të mrekullisë, por nuk e di çfarë më përmbledh në moment.
Bonus: Taksisti im i lagjjes po më mbushtë mendjen se si uji me kripë është më i mirë se sa Amoksicilina për infeksionet e dhëmballës. Po, është i njëjti që ka thënë "I ra menopauzë në tru dhe vdiq i shkreti".


#O sa mirë të jesh shqiptar oe
Retorika e nacionalizmit është një spirale e frikshme dhe injorant-prodhuese këtu. Të kuptohemi drejt, ne e duam vendin tonë (për arsyet, shih intro), POR, le të themi që e duam më shumë kur ja fusim grekut e sërbit; kur kombëtarja fiton në futboll (që ndodh gjithmonë dy ndeshjet e para - dhe ndoshta me ndonjë skuadër relativisht prestigjioze por pa lojtarët më të mirë - dhe dhihemi në dru nga skuadra ordinere që futbollin e luajnë vetëm në plazh për të shtyrë kohën); kur provokojmë grekun dhe sërbin; kur shohim që greku dhe sërbi është duke vuajtur etj. Pra, për ta përmbledhur, edhe pse kemi nënshkruar Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë, nacionalizmi ynë lidhet në mënyrë përpjestimore (të drejtë) se sa keq është greku apo sërbi. E ndërkohë, rreth 800'000 shqiptarë punojnë (natyrisht jo të gjithë) në nyjet higjeno-sanitare të efendikoit si dhe i japim rreth 110 milionë € Serbisë nëpërmjet importit të mallrave të tyre.
Të fundit, janë ata që pasi janë bërë trima në Fejsbuk duke sharë parë e mbrapsht grekun dhe sërbin, ikin të pijnë një ouzo në ndonjë bouzuki, duke dëgjuar Genën apo Notis Sfakianakis me "Na haris".
“Me kaq shumë patriotë e nacionalistë sa ka prodhuar kjo ndeshje po mendoja se sikur të kishte patur ndonjë luftë mes serbësh e shqiptarët këto 20 vitet e fundit (supozojmë në Kosovë) do të kishim nisur nga Tirana një ushtri me 2 milionë kreshnikë dhe do ta mbanim turrin në Vojvodinë. Por ja që Zoti nuk na e dha mundësinë të dalim në mejdan e të tregojmë sa na vlen dashuria për flamur." (cit. Ermal Hasimja)


#For mi, dhis iz ëj mirrakëll ov fridëm
Historia e Shqipërisë ka njohur shumë miq e armiq me kalimin e kohës. Shih #cipën më sipër sa për të krijuar një ide. Megjithatë, çdo e keqe mbaroi kur Perëndia ynë suprem Sali Birisha solli demokracinë. Çdo e keqe mbaroi aty. U bëmë të lumtur e të pasur brenda ditës. Madje, kaq të pasur u bëmë sa vendosëm që një pjesë (më të madhen domethënë) t'ua falnim Vehbi Alimuçajt, Lefter Cenajt, Fitim Gërxhalliut dhe Maksude Kadënas, si varfanjakë që qenë e që nuk kishin një çap bukë për të ngrënë. Më pas, diku nga '97, nisëm sezonin e gjuetisë, e si popull plot pasione e epshe u përfshimë të gjithë. Pastaj u rishfaq Profeti Nano e me rradhë Baçi, Kaçi,Pandi, Likja, Edi etj.
Por vetëm Ay nr. 2, pra Birisha, na ka bërë njerëz. Na futi në NATO, që mua më bën krenar sapo zgjohem në mëngjes; na hoqi vizat me Evropën, që edhe pse na trajtojnë si plehra në pikat doganore, mua më bën të ndjehem krenar në drekë; e bëri gati marrjen e Statusit të vendit kandidat në BE dhe ja la Edi Ramës, se është shumë zemërgjërë, që mua më bën krenar në darkë. Edhe kështu ikën dita pra, fryrë plot e përplot me krenari.


Për ta përmbledhur për miqtë tanë pe jasht shteti, Shqipëria është nona. Ke ça t'dush edhe kur t'dush. Nuk ka au iu këtu të mbyllen dyqanet kur të thotë shteti apo të jemi nga ata njerëzit e ngurtë e aspak fleksibël që të bëjmë vetëm ashtu siç thotë shteti e ligji. Për të cituar një shokun tim (që për të ruajtur anonimatin, po i përmend vetëm një pjesë të emrit dhe mbiemrit: *ali *erisha, me iniciale S.B.), që me shumë të drejtë ka thënë: "Jemi të dytët pas Xhermanisë" (po ta aktualizojmë, rrezik jemi të parët, po mos t'i hapim andrralla të tjera Evropës dhe të mos shkaktojmë panik e cmirë tek të gjutha shtetet e tjera që janë xhelozë për ne).

Amin!

0 komente:

Post a Comment

My Instagram