Nja dy fjalë për vitiriun


Siç ndodh rëndom në këto raste, në ditën e fundit të vitit, përgjithësisht bëhen bilancet për një vit që po lëmë pas. Gjithashtu, po përgjithësisht, jepen urime e bëhen premtime. Premtime ndaj të tjerëve dhe sidomos ndaj vetes, i bindur që "këtë vit i ka vdek nona kësaj pune".

Meqënëse unë gjithnjë e kam zhgënjyer veten me premtimet e pambajtura ndaj vetes time, dhe ngaqë nuk i kam shumë qejf këto betime e premtime me të vdekura, po limitohem në disa urime të shkurtra.

Duke lënë mënjëanë politikën (Këtu njerëzit bëjnë politikë dhe politikanët bëjnë biznes), në këtë Shqipërinë tonë asimetrike, uroj që pak gjëra, kryesisht detaje, të ndryshojnë në 2015...

Kështu, uroj që në 2015 ne shqiptarët të jemi ca më të ndjeshëm në komunikimin që kemi me njëri-tjetrin. Ne jemi një popull verbalisht shumë agresiv dhe që as nuk marrim mundimin të kemi parasysh bashkëfolësin. Krahas frustracionit të përgjithshëm seksual që bart komunikimi ynë i përditshëm (donte të ma fuste me çmimin, ik mër pallosh andej, si dhe gama e gjërë e dëshirave seksuale që përfshin që nga pragu i shtëpisë e deri te lista e dasmës), ne kemi një predispozitë të përgjithshme që tjetri do "të na e fusi", ndaj duhet të jemi vigjilentë gjatë gjithë bisedës dhe "t'ja fusim" sapo të na jepet mundësia e parë. E kjo është e vlefshme edhe për komunikimin jo verbal, që ne kapadaitë e gjelat e krekosur i kemi shumë qejf. Donte gomari të bënte pordhën sa të kalit dhe iu shqye bytha. Kështu që me mënd në kokë dmth.

Uroj që në 2015, secili prej nesh të kuptojë, pranojë dhe të jetë i ndërgjegjshëm për vendin që ka në shoqëri. Mungesa e mirëfilltë e specializimit dhe pikërisht ky ndërgjegjësim i munguar - që personalisht mendoj është një nga pengesat më të mëdha të modernizimit të Shqipërisë - ka derivatet e veta, që nisin që nga taksistët dhe berberet që të bëjnë muhabet që nga midhja e deri tek sistemi i tatimit progresiv; tek shitësja e furrit të bukës, që edhe pse nuk keni folur kurrë bashkë, di saktësisht kush je, nga je, "të ka dalë fati apo jo", çfarë pune bën, sa e ke rrogën bruto si dhe sa vajza ke shoqëruar në shtëpi që kur ke ardhur në lagjje.
Gjithashtu, një tjetër aspekt është mungesa e etikës dhe profesionalizmit (nuk po marr fare në konsideratë administratën mamuthe shtetërore që kemi) në zyrat që ofrojnë shërbime të ndryshme. Si taksistët, gjen rëndom njerëz që kanë për borxh të të flasin gjithë ditën për punët e tua, proceset që menaxhon apo edhe mënyrën se si merr frymë në zyrë, por kur vjen puna tek punët e tyre, gjëja më e mirë që dijnë të bëjnë është të luajnë ping-pong dhe t'i ngecin punët te ndonjë budalla i aftë që punon me ndërgjegje.

Një tjetër urim, që realisht shpresoj të plotësohet në 2015, ka të bëjë me perceptimin tonë pervers për atë çka është private dhe publike. Do të ishte një hap galopant për ne, nëse na çrrënjoset nga koka që ç'është e shtetit është e jona dhe mund të vidhet, të shkatërrohet, të pshurret apo që duhet medeomos të abuzohet.

Meqënëse 2014 ka qënë një vit i zymtë e tragjik, me humbje të shumta e të dhimbshme - siç vdekja është - si përfundim, por padyshim më e rëndësishmja, ju uroj të jeni pranë të dashurve tuaj, me energji, pozitivitet, ngjyra e ndjenja dhe optimizmin që e nesërmja do të jetë më e mirë. Mos harroni fjalët e bukura dhe të shprehni gjithnjë dashurinë që keni.


Deri atëhere, Gëzuar Vitin e Ri! :)


0 komente:

Post a Comment

My Instagram