Po, edhe unë jam nacionalist

Përgjithësisht, unë nuk i rikthehem shkrimeve të mia, e aq më pak, të promovoj ndonjë nga to. Megjithatë, për të kuptuar sadopak histerinë kolektive që ne shqiptarët në përgjithësi kemi kur bëhet fjalë për nacionalizëm, lexo Nëntori i dymijëedymbëdhjetë-të.

Meqënëse kohët e fundit kjo historia dhe histeria jonë po përsëritet, për të disatën herë, thashë të them edhe unë ndonjë fjalë, se si gjithnjë në këto sebepe, nuk ngeli më njeri pa thënë një fjalë.

Që të bëhesha edhe më i besueshëm në ç’do përpiqem të them më poshtë, po jap nja dy përkufizime për nacionalizmin:

Fjalori i Gjuhës Shqipe (1986):  Ideologji dhe politikë reaksionare e borgjezisë së një vendi, e cila i vë interesat e veta të ngushta klasore mbi gjithçka, duke i paraqitur si interesa të të gjithë kombit, e quan këtë më epror ndaj kombeve të tjera dhe ndez përçmimin e armiqësinë ndaj tyre. 

Merriam Webster:
- a feeling that people have of being loyal to and proud of their country often with the belief that it is better and more important than other countries
- a desire by a large group of people (such as people who share the same culture, history, language, etc.) to form a separate and independent nation of their own

* * *

Vizita e Ramës në Serbi u karakterizua nga debate dhe komente të shumta. Paraprakisht, duhet të bëjmë ndarjen ndërmjet fushës së futbollit që parapriu këtë vizitë dhe fushës diplomatike, ku u zhvillua edhe spektakli mediatik. Diplomacia është një terren i pistë, ku duhet të jesh politikisht korrekt, sepse bëhet fjalë për marrëdhënie të protokolluara, e jo muhabetet e një mbasditeje pas pune, duke rrëkëllyer një birrë tek Iliria.

Egoja ime personale u përkëdhel shumë, kur Kryeministri shqiptar – praktikisht figura më e lartë shtetërore – i veshur me simbolet shtetërore, duke folur shqip, përmendi një temë të nxehtë siç është Kosova, në Beograd. Ishte një pështjellim emocional pozitiv, si një empati për atë çka edhe ne shqiptarët kemi përjetuar më 1999.
Megjithatë, tragjedia – krahas faktit që ishte një tragjedi e përbashkët, si për ne, ashtu edhe për serbët që humbën njerëz të dashur në konflikt – qëndron në faktin e mënyrës se si u përcoll politikisht ky mesazh nga z. Rama.

Personalisht mendoj se ishte një lëvizje naive, e një kryeministri riosh e naiv në kontekstin e diplomacisë ndërkombëtare. Paralelisht, duke u përpjekur të isha në rradhët e serbëve me mendime, mendoja se si do të ndiheshim ne shqiptarët nëse kryeministri grek do të vinte në Tiranë e do të thoshte se “Vorio Epiri është një realitet i pamohueshëm”?. Dhe nuk po analizoj hiç se si do të ndikohen marrëdhëniet tregtare, për një ekonomi shqiptare – dhe më gjërë ballkanike – plotësisht të brishtë.

* * *

Realiteti mediatik shqiptar, ai serb, tendencat e rrjeteve sociale në Shqipëri, konfirmuan edhe njëherë vulnerabilitetin e demagogjisë dhe qejfin tonë për tu bërë pjesë e ndonjë turrme që ndan një ëndërr a ideal të përbashkët. “Feeling shqiptar” ishte një status që vetëm nja 3-4 miq (nga 1522 që kam aktualisht) në rrjetet sociale nuk e vendosën.

Sot, kryetitulli i çdo gazete (përveç “Paloma” dhe “Intervista”) ishte “Rama poshtëron Beogradin”. Ndërkohë, në ato pak media serbe që pashë, s’kish veçse ndonjë kolonë të shkurtër, për këtë “mega-provokimin” që paskërkishim bërë ne shqiptarët.

E të mendosh se serbët janë më kokënxehtë se ne.
E nuk do e kalojnë lehtë këtë gjë.
Por do të dinë të sillen.
Në mënyrë diplomatike.

* * *

E fundit.

Nacionalizimi për mua nuk ka të bëjë hiç me këto gjëra. Nëse ti e do vendin tënd dhe do të ndjehesh krenar, fillo duke dhënë një shembull të mirë. Mos pështy në rrugë. Hidh mbeturinat në kosh – dhe jo! Mos e bëj këtë gjë nga kati i pestë i pallatit. Fillo përdor fjalët “Faleminderit”, “Të lutem” etj.. Fillo mëso fëmijën tënd që një libër është më mirë se iPhone 6+. Fillo trego shembullin se ndërshmëria shpërblehet dhe se ky vend ka nevojë për shembuj pozitivë drejtësie. Fillo të tregosh se mund të jetojmë në komunitet. Se publikja është po aq e rëndësishme dhe me vlerë sa privatja.

E të tilla, mund të gjej(më) pafund.


E fundit fare:


“Political language is designed to make lies sound truthful and murder respectable, and to give an appearance of solidity to pure wind.” – G. Orwell


0 komente:

Post a Comment

My Instagram