A jemi gati për fjalë të lirë?



Prej pak ditësh po zhvillohet në Shqipëri një ping-pong intelektual ndërmjet dy grupimeve. Nga njëra palë gjejmë rreth 55 figura publike të fushave të ndryshme (pjesa më e madhe me tituj akademikë) dhe nga ana tjetër është alenca LGBT.

Nuk dua të hyj fare në diskutim se kush ka të drejtë mbi çfarë (nëse ekziston e drejta në këtë rast), sepse nuk mendoj se është diçka që mund ta përcaktojmë kaq thjeshtë. Mendoj se çdo grupim ka argumentimin e vetë sipas të cilit mbështet kauzën që mbron. E nuk është ndonjë çudi që të dy të kenë të drejtë, natyrisht, sipas të tyres.

Ajo që mua më shqetëson më shumë, është reagimi që njerëzit kanë pasur ndaj letrës së 55 njerëzve që kanë shprehur një opinion personal. Në një vend ku ne pretendojmë se duam që të jemi të lirë të shprehemi, po reagojmë në një mënyrë të çuditshme pikërisht ndaj të shprehurit.

Me pak fjalë, nëse aleanca LGBT del dhe manifeston hapur qëndrimin e vetë pro mbrojtjes së të drejtave të personave homoseksualë, biseksualë dhe transgjinorë, çdo gjë është OK. Por, nëse një grup njerëzish del dhe manifeston hapur qëndrimin e vetë kundër qëndrimit të aleancës, kjo nuk është OK. Dhe të më falni mua, por kjo më duket (dhe është) hipokrizi dhe standard i dyfishtë në vlerësim.

Jetojmë në një vend të lirë ku pretendohet të shprehim të gjithë mendimin tonë. Do të isha shumë dakord që të kishte reagime të ashpra nëse 55 figurat publike do të cënonin fizikisht anëtarët e aleancës LGBT. Do të isha shumë dakord nëse aleanca LGBT do të bënte raprezalje ndaj këtyre individëve. Edhe pse, të them të drejtën, aq më bën se ç’ndodh.

Edhe njëherë, shqetësimi im qëndron tek ky modernizimi ynë kaq i shpejtë dhe ndjeshmëria kaq e madhe që paskërkemi pasur (apo është thjesht peer-pressure nga B.E.?) në disa koncepte, për të cilat dy dekada më parë mund të pushkatoheshe. Për ta vazhduar çudinë, jemi modernizuar dhe sofistikuar shumë në aspektin e të drejtave të njeriut, por çoç kemi ngecur pak te politikë-bërja, vendim-marrja, bashkëjetesa në komunitet etj. etj. – me pak fjalë, gjërat më të rëndësishme.

Nëse disa Prof. Dr. duan të kenë një qëndrim të ndryshëm, ku është problemi? Nëse aleanca LGBT lobon për të drejta të pretenduara apo të munguara, ku është problemi? Nëse ke frikë se mos bëhesh gay, lexo këtu. Nëse mbështet aleancën LGBT e po vjell vrer ndaj intelektualëve, duke u fshehur nën tisin e intelektualit mbi intelektualët e mëparshëm, ndjesë, por ky shkrim nuk është për ty.


0 komente:

Post a Comment

My Instagram