Reading
Add Comment
Unë
Përshëndetje! Unë jam Ani. Fatmirëkeqësisht,
siç e kam thënë edhe më parë, unë kam lindur në Republic of AlBanania – e njohur jo shumë se prodhon dhe eksporton
banane, por sepse konsumon banane të çdo tipi (europiane, amerikane, afrikane
etj.) në çdo vend dhe në çdo moment. E rëndësishme është të jenë prej jashtë
shtetit. Unë jam i lumtur në jetën time dhe në vendin tim. Natyrisht, mendoj se
tek-tuk ndonjë gjë e voçkël fare mund të rregullohet apo përmirësohet. Për
shembull, mendoj se shteti duhet të nxjerrë ndonjë ligj që aksesorë si litarë,
rripa, thika, kosa etj. duhet të sekuestrohen nga individi dhe t’i jepen
komshiut më të afërt, për shkak të numrit të lartë të vetëvrasjeve në vendin
tim, por ndoshta ky është thjesht një
teknikalitet.
Statistikat zyrtare në Republic of AlBanania tregojnë se ne jemi më mirë se Norvegjia për
nivel mirëqënieje; më mirë se Zvicra për nivel të ardhurash (falë kontributit të
Republikës së Pavarur të Lazaratit); më mirë se Londra për motin dhe madje
madje, jemi më mirë edhe së vetë Kina përsa i përket nivelit të urbanizimit të
përgjithshëm. Me pak fjalë, i themi “çkemi” çdo mëngjes Gjermanisë, se për
vendet e tjera, as na bëhet hiç vonë!
Në vendin tim nuk është hiç problem niveli i
kriminalietit; numri i vjedhjeve apo monopolet e përgjithshme të “tregut të
(pa)lirë”. Edhe pse shumica e njerëzve mendojnë se 70-80% e çdo aktiviteti të përgjithshëm
që ekziston në vend është nën kontrollin e Kokëministrit apo Ministrit të
Financave, unë vë dorën në zjarr që këto nuk janë veç shpifje të ulëta të
opozitës. Jazëk i qoftë – siç i thonë nga anët e mia!
Republika e (Al)Bananeve karakterizohet nga
disa elemente specifike. Për shembull, krahas disa insistucioneve që ne i
respektojmë dhe i adhurojmë çdo mëngjes (siç janë Prokuroria, Ministritë, Kokëministria,
Gjykatat etj.), dy institucione, me një influencë të jashtëzakonshme, shërbejnë
në këtë kohë moderne, si rregullatorë të aktiviteteve të përditshme të çdo
individi. Po flas për Institucionin e Shenjtë të Byrekut dhe Institucionin “i lëpifsha
këmbët” të Kafesë/Kafenesë. Edhe pse banale në dukje, në të vërtetë, shoqëria
shqiptare është shtresëzuar si një byrek. Kemi të bëjmë me një trekëndësh-piramidë;
përmbajtja më e shijshme gjendet në majë e përgjithësisht fundi hidhet poshtë.
Pak rëndësi ka nëse byreku është me gjizë apo me qepë. Në fund të fundit, të
gjithë do të provojnë preshin, për të fluturuar ose jo.
Kafeja/Kafeneja është e njëjtë në hierarki me
Ministritë, në mos, më e rëndësishme. Në fakt, çdo marrëveshje qeveritare, çdo
nënshkrim kontrate, çdo sukses apo dështim, domosdoshmërisht ka kaluar më parë
nëpër vrimën e hollë të filxhanit të kafesë. Përndryshe ratifikimi i
marrëveshjes nuk do të ishte veçse një farsë e pështirë!
Ne, as nuk na plas hiç për mirëqënien e përgjithshme,
sepse e kemi kaq të lartë nivelin, saqë na përshëndet çdo mëngjes Dalai Lama
nga Tibeti. Apo e ka Diabeti? Pak rëndësi ka. E rëndësishme është të jetë në
skemën e rimbursimeve.
Bashkimi
Europian
Bashkimi Evropian është i ndryshëm nga
Evrolloto. Këtë gjë më duhet ta sqaroj që në fillim, edhe pse e di se interesi
për këtë shkrimi do të bjerë drastikisht pas kësaj fjalie. Bashkimi i Avropës
(apo Baçi shkurt) është një Perandori moderne, që “kur i do bitha” të përkëdhël,
e kur nuk i do, të fshikullon bythëve. Karakterizohet nga një nivel i lartë
merkantilizmi. Mban Greqinë për sy të keq dhe bën sikur nuk i plas hiç për
Portugalinë, Spanjën, Italinë etj. Më mirë të mos ngatërrohemi me këto
muhabetet e shejtanit. E rëndësishme është që në e duam Avropën. E duam shumë
shumë. Aq shumë sa që çdo reformë zgjedhore, çdo reformë burgjesh, çdo
kanalizim i ri i ujrave të zeza apo çdo buzëkuq i ri për prostitutat në treg
varet nëse aprovohet apo jo nga Mëma Evropë.
Bashkimi Europian për ne është ëndrra më e
madhe. Më e madhe se çlirimi i Shqipërisë; më e madhe se Pavarësia e Shqipërisë
dhe e Kosovës e marrë së bashku; më e madhe se dëshira për të parë Blendi Fevziun
me flokë dhe më e madhe se dëshira që Ezeli të jetojë përjetë. Por, gjithësesi,
është ëndërr më e vogël sesa dëshira për përjetësinë e Kokëministrit, që Zoti
(apo ai vetë d.m.th.) i shtoftë ditët.
Perandoria e Avropës është shumë strikte. Po shumë
fare. S’të pranon nëse nuk e puth kriqin e shënjtë. Andaj edhe ne AlBananas-it sorrollatemi sa andej këndej
që të përcaktojmë një identitet. Problemi është se jemi përgjysëm, një shalë
andej e një shalë këndej. Shumë (meshkuj) thonë që ky është pozicion
strategjik. Unë nuk e di për çfarë e kanë fjalën, por di që më 17 Maj do të
kemi protesto-paradë anti represion. Edhe kjo me siguri e pranuar, madje madje
e financuar nga Baçi Europian.
“Ehu bre
lalkë, ku jemi ne ku jemi ata” – Dëshmia rrënqethëse e një emigranti nga
Boboshtica, i kapur nga autoritetet greke për mungesë dokumentacioni të
rregullt.
Lopët
Lopët në Shqipëri keqtrajtohen. Një femër që
nuk e nxjerr (“qit” siç i themi ne tironsit) bythen nëpërmjet streçeve dhe që është
(paksa) e bëshme, quhet lopë. Dhe lopa nuk shihet veçse si një e përdalë që i shtrydhen cicat që produktin ta shesim në ndonjë treg (të pakontrolluar) më vonë. Lopa në fakt, ka një vend të veçantë e të shenjtë,
e jo vetëm në Indi. Lopa në Bashkimin e Avropës merr 4 Euro çdo ditë në formën
e subvencioneve. 4 Evro çdo ditë është e barabartë me 120 Evro në muaj, që është
e barabartë me rreth 17 mijë lekë të reja në Shqipëri. Po të mendosh që këto
para mund t’i investosh në biznesin e shenjtë të Evrollotos, probabiliteti që
ti të bëhesh multi-miliarder është më i lartë sesa probabiliteti që të arrish të
shtysh muajin me rrogën mesatare (reale) në AlBanania
Unë zgjedh të jem një lopë. Po ti?
Zoti (Birisha) e bekoftë Shqipërinë e madhe!
0 komente:
Post a Comment