Një president konseksual - Intro


Kam disa ditë që nuk po fle gjumë. Nuk është nga vapa, as nga ëndrrat. Është çështja e presidentit të ardhshëm të Shqipërisë. Në kokë më qarkullojnë shumë emra. Xhozi, Xhufi, Tan’ Ceka, Nano ... 

Kjo çështja e presidentit është me të vërtetë çështje shumë serioze. Madje, më serioze edhe se çfarë ka bërë Klaudia brenda Big Bradhërit; a ka kapur apo jo naçu i lagjes sime një dashnore tek Petro Nini apo 100 vjetori i Pavarësisë.

Ndërkohë, Republic of AlBanania lundron e lumtur në detin e qetë të rritjes ekonomike hipergalopante pas Gjermanisë; mirëqënia e pop’llit hahet kokë-më-kokë me Norvegjinë; Anglisë po ja fusim për nga moti dhe të mos harrojmë që jemi një Zvicër e vogël (feat. Independent Self-Regulating Republic of Lazarat). Kësaj i thonë “Të dhjefsha mu n’Europë”.

Nuk kemi probleme me ekonominë. Edhe ndonjë muhabetëz tek-tuk që demek na qënkërka shtrënguar leku, nuk është veçse provokim i serbve ose grekërve, që janë xheloza dreqi ndaj mirësisë që rrezaton vendi i (shqi)Ponjave. Le që pastaj edhe lideri shpirtëror i shqiptarëve, Gena, e ka thënë shumë qartë, “Më mirë me ty dhe fukara, sesa pa ty i pasur”. Për më tepër, dihet që, një ekonomi që varet nga Apex-et, TeleBingo-t dhe EuroLlotot është plotësisht e konsoliduar.

Sigurinë e kemi maksimale. Këto vjedhjet e voçkla që janë 300 fishuar kohët e fundit, përveç se pasqyrojnë politikën zyrtare të rritjes së çfarëdo lloj gjëje me 2-3 shifra, është edhe për syrin e keq. Edhe Ministrja e Kulturës dhe Muzikës së Shqipërisë, Znj. Babeta Shahini, e ka deklaruar në një konferencë për shtyp me dyer të mbyllura se “Jari nani nani nani / i ngaterron punet shejtani / me mire syri sesa nami”. Nuk po përfshijmë në statistika ata individë që: a) testojnë shkathtësinë e tyre brenda linjave të transportit publik përsa i përket një zotërimi të përkohshëm të portofolit/celularit/sende me vlerë të një individi tjetër; b) vuajnë nga kleptomania – shoqëruar me recetën përkatëse nga mjeku, të cilit ja kanë vjedhur, për sa kohë janë kleptomanë ...; c) duan që të evidentojnë ndonjë mungesë kujdesi dhe vigjilence nga ana e individëve të tjerë. Në fund të fundit, “Lumi fle, xhepisti nuk fle”

Ka disa zëra, që kinse ne Shqiptarët paskërkemi probleme me edukimin dhe sidomos braktisjen e shkollave për të punuar që në moshë të re. Të bindur të jenë të gjithë që, është zhdukur plotësisht analfabetizmi – edhe të duash, nuk të lë Bashkim Hoxha injorant – dhe ata që punojnë, e kanë sepse kanë vesin e keq që duan vetëm të punojnë. U ka hyrë në gjak ky muhabet. Kur të jepet mundësia, përse të mos e bësh në fund të fundit?

Gjithësesi, për t’u rikthyer tek tema kryesore shqetësuese, kjo çështja e presidentit duhet të zgjidhet me urgjencë. Thonë që Nano e paska si më të thjeshtë, sidomos pas takimeve që pati me Berishën, Ramën, Sindikatën e Gjysheve Politikisht të Pavarura dhe Metën. Por as kjo nuk është e sigurt. Në mos, është ndonjë nga ato perlat që fabrikohen thjeshtë fare në media e më gjërë. Statistikisht, perla të tilla përbëjnë rreth 46% të GDP-së në Shqipëri.

Për ta mbyllur këtë intro të gjatë, ja edhe një përmbledhje:

Nano               1/1               1.3
Xhozi              1/x               2.4
Ceka               2/2               5.7


Shënim: Çdo referim përgjatë materialit është i rastësishëm. Nano, Berisha, Rama, Xhufi, Ceka, Gjyshet e Bashkuara, Gena apo Babeta nuk ekzistojnë në të vërtetë, janë thjeshtë faktorë psikologjikë.



1 komente

  1. une them se ka per te vajtur me ndeshje vajtje ardhje ska per te qene nje takim....

    ReplyDelete

My Instagram