Rënia


Si gjithnjë, në etapa ciklike të shpeshta të jetës sime, unë jam vetëm, në botën time, strukur në një mbretëri të kotë. Nëpër të çarat e shumta të “oborrit mbretëror”, depërtojnë tinguj “banquet”-i. Jashtë ka festë! Por unë kam një mbretëri për të mbajtur! Kjo mbretëri ka qënë guri i çmuar i njerëzimit ... Dikur ... pikërisht ... Dikur ...
Kam kohë që kam harruar njerëzit, si ata ecin, si flasin, ç’thonë vallë? A dinë edhe ata të mendojnë? Unë jam Mbreti! Ata duhet të mendojnë si them unë! Dikur ...
Jam shndërruar në një koleksionues çastesh, një kloun, por Mbret ama! Rrotullohem nëpër oborr, skeletet e shërbyesve më bezdisnin. Ndoshta duhet të pastroj. Ku është pastruesja? Ajo ... ajo i ka të gjitha fajet për këtë rrëmujë! Unë...unë jam Mbreti. Unë e kam zgjedhur atë. Por fajin e ka ajo!
Pasqyrë e thyer ... ti nuk më gënjen. Unë jam akoma Mbret, apo jo? Unë...unë ... jam Mbret, e në mos mbret, të paktën një Princ i Vogël, e në mos as Princ ... unë ... unë kam një mbretëri. Unë ... hë ... unë nuk jam ndyer me njerëzit, me aromat e tyre të renda vdekatarësh, me mëkatet e tyre epshore, me pispillosjet e tyre të kota!
Por ata nuk e kuptojnë. Nuk kuptojnë gjë. Nuk dinë përse unë rri këtu, ku veç kutërbim kufomash ka! E përse nuk përpiqen të paktën të ngjisin disa shkallë, drejtimin e dinë, e në mos nuk e dinë, dikur ... kjo mbretëri ishte qendra e Botës. Vallë duhet të zbres unë? Jo! Unë kam fronin. Unë jam Mbreti (dikur) i lavdishëm, i të gjithë botëve madje!
Ti pasqyrë më gënjen! Me siguri ke kurvëruar në botën e tyre. Madje edhe mban era njerëz! Ç’te keqe të kam bërë...ti ishe pasqyra zyrtare e mbretërisë madje...
Mos ndoshta duhet të zbres? E ku të vete? Kam shekuj që jetoj veç me kufoma. Ku gjenden këta “njerëzit”? Do jem Mbret i botëve edhe aty vallë?

...

Dikur unë isha Mbret i Botëve të Këtushme e të Përtejshme. Tani pres, rri, strukem, ndyhem në një cep, duke dëgjuar Yann-in, duke u përzier me njerëzit, duke folur me ta, duke i prekur, duke i puthur ...
Dua mbretërinë tënde! Dua të jem aty. Në mut le të vejë kurora. S’e kam dashur ndonjëherë! Madje më bezdiste pesha e saj! Gurë të çmuar, që as sorrat nuk i pëlqenin. Gurë jo të vërtetë. Përse ... ooo ... paska edhe një Minotaur në këtë histori? E ku ta gjej një Arianë unë? Labirint? Po unë nuk dua të vras njeri. Unë nuk mundem. Unë ...
Ç’kërkon vallë nga mua? Çfare kërkoj unë nga ty? E përse ta ndyjmë me fjalë? Përse të ngremë struktura të kota çeliku?
Kohë? Çfarë është? Thua të ekzistojë vallë? Ke nevojë? Ho ho ho ... unë më shumë se ty ... mua ende nuk më është zhdukur era e vdekjes, e kalbësirës, e kurorës, e fronit ...
Kjo kupolë po më merr frymën. Më duhet të dal. Kam dëshirë për oksigjen, për ty, për fjalë, për prekje, për puthje, për lotë, për tradhëtira që nuk janë tradhëtira, për gjëra që nuk do t’i kuptoj asnjëherë, për gjëra që do të bëj sikur nuk i kuptoj, e ndoshta për të bërë si King Kongu ndonjëherë. Po deshe edhe ndryshojmë rolet, mjafton pak PhotoShop.
Rashë (apo zbrita – s’kisha dëshmitarë okularë, të gjithë u vetëvranë), por rëndësi ka që jam këtu. Të lutem, repliko ADN tënde, është i domosdoshem një hibrid, për të të/më shpëtuar. Përse shndërrohesh? Ç’është ky dyfishim? Ti nuk do të më mashtrosh, të paktën, nuk ke pse e bën. Vallë zëri i Sirenës qënka kaq magjepsës e i fortë? Nuk e paske njohur Uliksin!
Hodha themelet në kokën time, i mësuar me mbretëri të bëra “shpejt e shpejt”, e shpesh, me mure bosh. Nuk mund të zhdukesh tani. Është shumë shpejt, pavarësisht se koha nuk ekziston. Megjithatë, të dy e dimë që nuk do zhdukesh ti, por unë. Ç’do të na sjellë vallë era? A mos do të na zbrazë? Apo do të sjellë ëmbëlsinë e çokollatës? Netë të bardha? Pse jo një tapet fluturues? Dubai na pret!
Komës sime artificiale po i vjen fundi. Më duhet një rrymë, e fuqishme, shkundëse, shkatërruese me ëmbëlsi, për të mos pasur më frikë rrugën / zbritjen / ngjitjen / mbretërinë / kafkat ...
Një ditë, ndoshta do të kuptojmë, që biletat që kam për në fundin e ylberit e për të parë yjet, do të na duhen. Morfina po shteron. Nuk kam më asgjë, duke përfshirë edhe mua në këtë asgjë-si(m). Jam i lodhur nga kjo lojë, ky teatër, i kotë. Teatër skeletesh / kukullash / kurvash të trishta. Ç’Hollywood qënka ky makth? Apo është efekt anësor i morfinës sime? Unë nuk e dua më morfinën. Jam alergjik. Tani nuk e duroj dot më, se si pështirshëm pushton venat e mia. Unë nuk e kam dashur kurre morfinën. Ajo më donte mua, madje edhe Ibsen-in, dhe David Bowie-n dhe e dija shumë mirë që kurvëronte edhe me ... E quante “kënaqësi” takimin tonë, sikur të ketë qënë ndonjëherë me të vërtetë i tillë.
Kurrë më! Të kisha premtuar. Dhe do e mbaj. Dhe vazhdoj ta mbaj. Nuk e kam thyer premtimin tim. Dhe nuk do e thyej! Kurrë!
Thjesht, tani kam zbritur ... e kam nevojë për pak gjumë.

0 komente:

Post a Comment

My Instagram