Njerëzit dhe ingranazhet (Bota moderne)


“Nuk ka asgjë të re
nën këtë diell”


“Pa dyshim, çdo brezi i duket vetja si i përzgjedhuri i fatit për të rindërtuar botën. Të paktën imi e di se nuk mund ta bëjë një gjë të tillë. Po detyra e tij është ndoshta më e madhe; qëndron në ndalimin e shkatërrimit të botës. Trashëgimtar i një historie të kalbur, ku molepsen revolucione të dështuara, teknika të çmendura, perëndi të vdekura e ideologji të shteruara; ku pushtetet mediokre, që sot mund të shkatërrojnë gjithçka, nuk ia dalin të bindin; ku zgjuarsia poshtërohet deri në atë pikë sa vihet në shërbim të urrejtjes dhe shtypjes”

Veten e kemi gjetur në një udhë për të cilën nuk dimë nëse ka fund ose jo. Nga kështjella e historisë njerëzore, disa me dalta, disa me çekiçë e disa fatalistë me granata (“Nuk i dihet ç’ndodh”), shkatërruan çdo tullë. Mallkuan edhe fenë madje! Pështynë në tokë e në qiell.

Veten e kemi gjetur dëshmimtarë të shekullit të kaluar, ku bota digjej (dhe po digjet) në zjarrin e krizës së racionalitetit, krizë të cilën e krijoi ai vetë. Domethënë ajo që ndodhi në periudhën pasmesjetare në Perëndim ishte eliminimi i nivelit më të lartë të realitetit, si në rrafshin subjektiv, ashtu edhe në atë objektiv. Nuk kishte asgjë te njeriu më të lartë se mendja e tij dhe asgjë më të lartë në botën objektive se ajo që mund ta kuptonte mendja me anë të shqisave normale të njeriut. Njeriu në konceptin modern paraqitej si qenie e thjeshtë tokësore, "i lirë" nga Qielli, zot i plotë i fatit të tij individual, i kufizuar nga toka, por njëkohësisht edhe zot i saj.

Veten e kemi gjetur (që nga fillimi i kohës së iluminizmit e më tej), në një botë bashkëkohore, që duke i besuar mendjes si element i vetëmjaftueshëm, merret me ndriçimin e fenomeneve botërore, me reduktimin e nocionit "të shenjtë" e të parimeve që tejkalojnë kufijtë e intelektit, d.m.th. "lutjen" e bën eksluzivisht në "tempullin e mendjes". Kështu arritëm në kohën, kur mendja e thatë dekartiane, një kohë në konfrontim me legjendat, tani edhe vetë ajo u vesh me unifromë legjendash, ndërsa e vërteta e mendjes zuri vendin e të vërtetës së Shpalljes dhe brenda vetes filloi të kultivojë synimin për mbizotërimin e të gjitha aspekteve të ekzistencës njerëzore dhe perpunimin e tyre të mbështetur në mendje. Duke e ndjekur Niçen, mendja dekartiane mendon që Zoti, në të cilin besonin të gjithë, tani është i vdekur. Kështu intelekti dhe vullneti i njeriut u vunë përballë vullnetit të Zotit. U zhduk synimi për udhëtimin shpirtëror drejt Qiellit, dhe në kufijtë e rruzullit tokësor, filloi kërkimi i përgjigjeve për çdo pyetje. Bota dhe çfarë ka në të, u konsiderua refleksion i ndjenjave dhe i të kuptuarit njerëzor. Njeriu gjykoi që ai është vetë Zoti, kështu që robi, deri dje i përkushtuar, sot u bë Zot i fuqishëm, urdhërdhënës dhe një burim fuqie i pakrahasueshëm me asgjë.

Veten e kemi gjetur në një pikë ku teknologjia moderne e ka rritur fuqinë njerëzore në kufij deri më tani të panjohur; në kufij, të cilët më parë as që janë imagjinuar. Ajo është fuqi mbi materien, mbi jetën në tokë, mbi njeriun; ajo edhe më tej po rritet me një shpejtësi të rrufeshme. Nuk do të zbulojmë asgjë të re, në qoftë se themi se njeriu si njeri, e jo si konsumator, po përjeton krizë të rëndë. Është rrezikuar nga vetë vepra e tij. Në shkencë, në teknikë dhe në industri, në të gjitha ato në të cilat ka pasur shpresën më të madhe, ka përjetuar dëshpërimin më të madh. Nga të gjitha këto, i ka dalë tani përpara vetëm fuqia brutale, e cila e kërcënon edhe ta asgjësojë. Në qoftë se deri vonë njeriu i gëzohej përparimit të tij teknologjik, tani ai përparim e brengos atë

Filozofi modern gjerman me prejardhje çifute, Theodor Adorno, me keqardhje konstaton që është evident përparimi prej sëpatës së gurit, harkut dhe shigjetës deri te bomba atomike (d.m.th. në fushën e mjeteve të asgjësimit të njeriut dhe botës ku jeton ai), ndërsa përparimi i humanitetit është i pavërejtshëm, thjesht për arsye se nuk ka pasur fare. Përndryshe si do t'i kuptonim vdekjet masive, kampet e përqendrimit Mat’hauzen, Buhenvald etj., Hiroshimën dhe Nagasakin, diktaturën e mendjes politike, si dhe luftërat e paturpshme që u bënë në prag dhe në fillim të mijëvjeçarit të ri, në të cilat u bë e turpëruar dhe e poshtëruar çdo gjë njerëzore e hyjnore.

Dominon një qëndrim i fortë i njeriut të sotëm që ai është zoti i natyrës dhe "kurora e krijimit". Ky kompleks i superioritetit manifestohet si vetëdije globale e njerëzimit. Nga pozicioni i tillë, me ndihmën e teknikës dhe teknologjisë së arritur, nxitojmë drejt së ardhmes pa një perspektivë të qartë dhe në mënyrë të pamëshirshme shkatërrojmë bazën për realizimin e ëndrrave tona. Duke u besuar vetëm mundësive teknike kemi humbur lidhjen me njeriun, me tokën, me gjithësinë.

E sotmja jonë globale quhet koha moderne, "qytetërimi teknik (industrial)", koha, kur po kryhet "historia" etj. Kështu emruesi më i vogël i përbashkët i të gjitha këtyre formave është sundimi dhe mbizotërimi i mendjes shkencore të njeriut në Tokë. Kjo formë e mendjes ka uzurpuar jo vetëm të gjitha format e tjera të mendjes së njeriut, por edhe të gjitha format tjera të ekzistencës së njeriut.

Historia nuk përparon ama – ka thjesht ngjarje të ndodhura e të rindodhura. Oshilacione shekullore që ndikojnë në (pa)vetëdijen tonë, duke pasur në thelb, një shkak primar, sa të thjeshtë, aq edhe të pamundur për tu kuptuar, zemrën. Edhe shprehja e Ekleziastit (“Nuk ka asgjë të re nën këtë diell”) i drejtohet pikërisht zemrës së njeriut, të banuar në të gjitha epokat nga të njejtat ndjenja, të shtyrë drejt heroizmash fisnike e, njëkohësisht, të joshur nga e keqja. Teknika dhe arsyeja qenë mjetet e kërkuara me ngulm nga pozitivistët si pishtarë ndriçues të udhës sonë drejt Progresit.

Konceptimi i qënies njerëzore dhe i ekzistencës ka filluar të mbivlerësohet kur gjysëmperëndia e Rilindjes u hodh me eufori drejt pushtimit të universit, kur angështia metafizike dhe fetare u zëvendesua nga forca, saktësia dhe njohuritë teknike. Ky proçes i pafrenueshëm shpërtheu në një paradoks të tmerrshëm: çnjerëzimin e njerëzimit. Ky paradoks, është rezultat i dy forcave dinamike amorale: parasë dhe arsyes. Me to njeriu fitoi pushtetin shekullor. Historia e sundimit të universit nga njeriu ka qënë edhe historia e abstraksioneve të mëpasme. Kapitalizmi modern dhe shkenca pozitiviste janë dy fytyrat e një realiteti të zhveshur nga cilësi konkrete. Këtu bën pjesë edhe njeriu, jo më njeriu konkret dhe individual, por njeriu-masë, ajo qënie e çuditshme ende me pamje njerëzore, me sy dhe lot, zë dhe emocione, po, në të vërtetë, ingranazh i një makine anonime e vigane. Ndarja e njeriut nga kali, shkoklavitja e evolucionit të centaurit, është simboli më i dhimbshëm i modernitetit, i ndarjes finale të njeriut nga natyra.

Tragjedia e kohës sonë është se individi dhe shoqëria janë fiksuar në kohë përmes doktrinave shkencore, që kalojnë nga një gjeneratë në tjetrën dhe nuk lënë mundësi që të shkëlqejë bota e brendshme e njeriut. Fuqia e brendshme e njeriut, fleksibiliteti dhe fuqitë tjera edhe më tej, janë objekt përqeshjeje në rrethet e ndryshme shkencore. Për ne është krejtësisht normale të besojmë që bota për shkak të zhvillimit të vazhdueshëm të dijes dhe teknikës njerëzore përparon drejt gjendjes edhe më të mirë edhe më të rregulluar (optimumit). Gjithashtu e shohim si normale që tërë jeta sa zgjat të kalohet në synimin për fitimin e pronës private, që njerëzit të garojnë për prestigj me të mirë përmes grumbullimit të pasurisë materiale, që zhvillimin e qytetërimit e vlerësojmë në bazë të përparimit në planin e prosperitetit material

Fuqia që nuk mund të shkatërrojë, nuk mund as të shpëtojë; nuk ekziston e mirë që nuk ta përkujton të keqen dhe e keqe që nuk e fton të mirën. Shekulli XX na ka treguar se njeriu i cili shpëtimin e kërkoi në botën e iluzioneve, është shkatërruar nga iluzionet e veta. Premtimet e Mëdha të Progresit të Pakufishëm - parandjenja të sundimit mbi natyrën, të begatisë materiale, të një lumturie më të madhe për një numër shumë të madh njerëzish dhe lirisë së pakufizuar vetjake - kanë ushqyer shpresat e brezave që në fillim të shekullit industrial. Parakuptohej se pasuria dhe rehatia, për rrjedhojë, do t'u sillnin të gjithëve lumturinë e pakufishme. Njësia e treshes: prodhimi i pakufizuar, liri absolute dhe lumturi e pakufishme përbënin bërthamën e fesë së re - të Progresit, dhe Qytetin e ri Tokësor të Progresit duhet ta zëvendësonte Qyteti i Perëndive. S'ka asgjë për t'u habitur që kjo fe e re u jepte ndjekësve të saj forcë jetësore, energji dhe shpresë. Duhet të përfytyrosh në mënyrë konkrete të gjithë madhështinë e shpresave të Mëdha, arritjet marramendëse materiale dhe shpirtërore të shekullit industrial, për të kuptuar se ç'traumë u shkakton njerëzve të ditëve tona vetëdija se këto Shpresa të Mëdha nuk u vërtetuan. Kjo ndodh sepse shekulli industrial në të vërtetë nuk mundi të realizojë Premtimet e Mëdha dhe sepse një numër gjithnjë e më i madh njerëzish filluan të kuptojnë që:

1. Plotësimi i pakufizuar i të gjitha dëshirave nuk favorizon mirëqenien, nuk mund të jetë rruga drejt lumturisë ose, madje rruga për përfitimin e maksimumit të kënaqësisë.
2. Ëndrrës për të qenë zotër të pavarur të jetës vetjake i erdhi fundi, kur ne filluam të kuptojmë se ishim bërë ingranazhe të makinës burokratike dhe se mendimet, ndjenjat dhe shijet tona i manipulojnë qeveria, industria dhe mjetet e informacionit masiv që ndodhen nën kontrollin e tyre.
3. Progresi ekonomik ka patur të bëjë vetëm me një numër të kufizuar të kombeve të pasur
4. Hendeku midis kombeve të pasur dhe të varfër sa vjen e zgjerohet gjithnjë e më shumë.
5. Vetë progresi teknik ka krijuar rrezikun për mjedisin rrethues, si dhe kanosjen e luftës bërthamore, ku çdo njëra prej tyre në veçanti - apo të dyja së bashku - janë të afta ta zhdukin gjithë qytetërimin dhe, ndoshta edhe jetën në Tokë.

Kur motorrët e Revolucionit Industrial u vunë në lëvizje, njeriu e gjeti veten në një pozitë të papërshtatshme tragjike. Vetëm poetë e mendimtarë të shquar paralajmeruan pasojat e çshenjtërimit të kozmosit e qënies njerëzore. Shumë patën fatin e Shellit, që në disa vargje profetizonte: “Një popull vdes nga uria nëpër fushat e lëna djerrë”.

Seyyed Hussain Nasër tergon pikërisht për një problem me të cilin merret Heideger, Adorno, Horkheimer, Gadamer dhe shumë filozofë të tjerë gjermanë. Problemi konsiston në pyetjen: “A po e pëson sot njerëzimi për shkak të mungesës së dijes, apo po e pëson për shkak të tepricës së saj?” Nasër shkon edhe një hap më tej dhe thotë se mungesa e së shenjtes, dijes shpëtimtare e solli njerëzimin në një kolaps të gjithmbarshëm, buzë greminës e katastrofës së paparë ekologjike. Në të vërtetë po ndodh një dramë për të cilën shumë njerëz nuk janë të vetëdijshëm, dramë në të cilën po zhduket dinjiteti i jetës dhe vdekjes, në të cilën njeriu merr prerogativat e Absolutit, filozofia dhe poezia e tij e sotme moderne më shumë i ngjajnë klithmës kundër Qiellit se sa ndonjë lidhjeje të bukur mendimesh a harmonie fjalësh! E sot është më katastrofike se asnjëherë më parë që bipedali t'i japë vetes të drejta absolute pikërisht për arsye se përmes kryengritjeve të shumta moderne kundër Absolutit, e mohoi atë kordonin kërthizor (Shpalljen) që e lidh me Absolutin dhe krijoi armë satanike me të cilat ngadalë, por në mënyrë të sigurt shkatërron jo vetëm natyrën njerëzore.

Cilësia themelore e shkencës së sotme është mospërgjegjësia e saj planetare e madje edhe jashtëplanetare. Fizika e sotme vret, këtë e dimë nga një numër i vogël informacionesh që u shpallën për Çernobilin; kimia e sotme vret, këtë e dimë nga shpërthimi jo shumë i hershëm i fabrikës kimike në Indi, ku nga gazi u mbytën me mijëra njerëz; gjenetika e sotme merret me të madhe me punën satanike të klonimit... Që të gjitha këto janë lajme të njohura, madje këto janë, do të thosha lajme të zakonshme për opinionin në kohën e paqes. Ndërsa në anën tjetër, aplikimi i fizikës, kimisë, biologjisë, etj. në luftëra është edhe më i tmershëm: vetëm shekullin e kaluar kemi pasur dy luftëra botërore, nga të cilat një atomike, ndërsa testime të këtyre armëve (atomike) në kohë paqeje ka pasur shumë më tepër.

Pas përvojave të tmershme mbi të harruarit e Zotit dhe vdekjes së njeriut në botën bashkëkohore, fatkeqësisht nuk mund të flasim për ndonjë përparim në fushën e moralit, fesë, kulturës (përgjithësisht në fushën e vlerave më të larta shpirtërore) në krahasim me popujt e lashtë që kanë jetuar me mijëra vite përpara nesh. Është e qartë se përparimi i përket vetëm atyre rajoneve të shpirtit të njeriut që janë të parëndësishme për një ekzistencë më humane të njeriut. Vërtet jetojmë në kohën kur bota karakterizohet si asnjëherë më parë nga mendja e njeriut dhe produktet e saj.

Mendja shkencore dhe teknike është bërë gjykatës i të gjitha formave tjera të mendjes së njeriut, i të gjitha dimensioneve të qenies njerëzore dhe në përgjithësi gjykatës i botës së njeriut. Në këtë mënyrë është krijuar në botën e njeriut një vakuum shpirtëror - boshllëk ky që duket se po gjen përhapje gjithnjë e më të gjerë në pjesën më të madhe të atij që quhet qytetërim perëndimor. Është tronditës paradoksi që fitorja më e madhe e tezës se "Zoti ka vdekur" ka ndodhur jo në vendet e mbisunduara nga marksizmi që politikisht kanë përhapur ateizmin, po në shoqëritë demokratike liberale perëndimore që kulturalisht kanë ushqyer plogështinë morale. Por kjo gjendje lindi jo për shkak se ateizmi i përhapur zyrtarisht korri fitore mbi fenë, por për shkak të efekteve gërryese të indiferencës kulturore ndaj gjithçkaje tjetër përveç përmbushjes së përmasave materiale të jetës në mënyrë imediate.

Luftëra botërore, tmerre diktaturash të djathta apo të majta, vetëvrasje masive, rritje e kriminalitetit foshnjor, rilindje e neonazizmit, depresion i thellë. Gjithçka dëshmon se në brendësi të Kohëve Moderne, shoqëruar me elozhe të zjarrta, po lind një përbindësh trikrerësh: racionalizmi, materializmi, individualizimi. E kjo krijesë, për lindjen e së cilës kemi kontribuar me krenari, ka nisur të shqyejë vetëveten.

Sot nuk vuajmë thjesht krizën e sistemit kapitalist, por atë të një konceptimi të tërë të botës e të jetës, bazuar në hyjnizimin e teknikës dhe shfrytëzimin e njeriut. “Mizoria e këtij shekulli do të jetë e pakapërcyeshme” – të gjithë besoj se i japim të drejtë Hana Arendit me këto fjalë.

Pas gjithë këtyre labirintheve, s’di çfare të zgjedh ndërmjet “O Zot! Më jep forcën dhe guximin të shoh pa neveri trupin dhe zemrën time” – Bodler – dhe “Vlerat nuk vlejnë më” – Niçe.

0 komente:

Post a Comment

My Instagram