Reading
Add Comment
Nëpër filma e ç’kemi dëgjuar lartë e poshtë nëpër
haberet e botës, kemi parë skema të komplikuara, programe kompjuterike të
sofistikuara apo plane të mirëpërcaktuara me të qindtën e sekondit, por me thënë
të drejtën, që të vidheshin paratë duke i futur në brekë, vetëm këtu tek ne kam
dëgjuar. Për herë të parë, dhe kam një parandjenjë edhe për herë të fundit, nuk
besoj se bota përtej Zululandit do dëgjojë nga këto gjëra. Apo që të vidhet ari
(nuk ka parashtesa) i shtetit me mushka ... Se ç’dreq e shejtan ka pas kësaj,
unë nuk kam nga ta di (dhe e zëmë se ka ndonjë gjë pas dmth) ... gjithësesi të
shohim se ç’do na thotë Llalla & co.
Problemi më i madh në gjithë këtë mesele, nuk është
shumë te fakti që lekët tona po ikin për një jetë më të mirë ... të hajdutit/hajdutëve
(më duket se juristët kanë shpikur termin “Begati pa kusht” për këto raste). Problemi
është që ti ndjehesh budalla. Jo se je me vërte (ose të paktën ashtu mendon),
por në fakt je budalla që nuk di të vjedhësh, që nuk di të “bësh ndere”, që nuk
i jep “shefit” një “drekë” apo edhe thjesht një “kafe”, që nuk i ke krahët e
ngrohta ... budalla që prindërit e tu nuk ditën të vidhnin, nuk janë prokurorë,
gjykatës, deputetë, politikë-bërës (të kuptohemi, jo nga soji i Keko-s me shokë),
apo thjesht shokë të “shtetit” (në fund të fundit “Ç’është e Shtetit, është
edhe e jona”).
Im atë diti që për 35 vjetë t’i japë njerëzve emocione,
buzëqeshje, trishtim, lotë, fjalë, mendime, ide dhe perla të mençurisë botërore
nga një skene teatri. Ime më vazhdon t’i japë shpresë, ndihmë dhe jetë njerëzve
ashtu siç vetëm një neonatologe di. E megjithatë, ora ime ka një vlerë
qesharake (për më tepër e blerë me ankand në ebay), në terma popullorë makina
ime është X2 (sinqerisht mos më bëni të flas për transportin publik të
Institutit apo të Laprakës ... ), pushimet përgjithësisht nuk e kalojnë pragun
e Shqipërisë (edhe pse i kam parë të gjitha këto vëndet ç’janë Montekarlo, Nicë,
Antalya, Mykonos, Zakintos, Lesbos, Leshonos etj. ... në Google Maps dmth) ...
E për këtë, nuk ma ka fajin Fullani, Berisha,
Zeni (për shokët, Shkëlzen), Luli, Meta apo Nano ... aboslutisht jo. Fajin e
kam unë, që jam budalla që nuk di “me kap noi lekë lale, se kshu o bo gjith’anej
... ça të të thotë vllai jot ty”. Fajin e kam unë që ende naivisht besoj dhe shpresoj
se një ditë, disa ideale, vlera dhe standarde do të drejtojnë jetën në këtë
vend.
Më e ulëta (që është ai momenti që ti mendon
se nuk ka ku shkon më poshtë inteligjenca njerëzore, por zbulon që ka një debil
që vazhdon të gërryejë gjithnjë e më poshtë), është kur arrin pika “Ore, a ja
doli ai t’ja u fuste të tjerëve? A ja hudhi sumës? A po i bën pushimet jashtë
me jahte dhe shampanjë? Epo i lumtë, qënka më i mënçur nga ne. Hallall ja boft’
Zoti!”
Si përfundim, nuk është koha e maskarenjve. Maskarenj
jemi ne, që harrojmë, falim, tolerojmë dhe vazhdojmë të heshtim me kokën ulur.
Deri atëherë, të njëjtin avaz do të kemi,
gjithnjë!
0 komente:
Post a Comment