Shqipëria, një minë me sahat


Në fakt, ndoshta titulli i zgjedhur nuk është ndër më të mirët e mundshëm, veçanërisht për kohët që po kalon Shqipëria aktualisht. Megjithatë, asgjë më mirë se sa një minë me sahat, nuk mund të përshkruajë më mirë situatën ku jemi.

Që të gatitej kjo çorbë që po gjerbim, duhe(shi)n disa përbërës. Janë fjalë të thjeshta, të hiper-inflacionuara në kanalet e (keq)informimit publik dhe që rëndom përdoren në çdo diskurs politik a jo. Realisht, sa mund të eksitohesh intelektualisht duke dëgjuar fjalë si “ekonomia”, “arsimi”, “ndërtimet”, “energji elektrike”, “shoqëri”, “komunitet”, “vlerë moralo-etike” etj.? Por ja që, në thelb të të gjithë kësaj gurguleje, ato gjenden aty, “si i buk’ri i shejtonit”.

E fatkeqësisht, ato janë gjithnjë në ndërthurje të të ashtëquajturit tranzicion që po kalojmë – që nuk është veç një shpikje linguistike për një situatë që ngel e pandryshueshme gjatë ndryshimit.


-         Arsimi

As nuk kam ndërmend që t’i futem ndonjë lloj krahasimi me shkolla a universitete prestigjoze jashtë vendit, për të treguar se ç’vend majmunërish qënkërkemi ne, që nuk harxhokërkemi një përqindje më të madhe të buxhetit të shtetit (lexo: taksat e mia) për të përmirësuar arsimin publik, për një koncept abstrakt e aspak joshës për egoizmin e njerëzimit, atë të përmirësimit të brezave të ardhshëm. Por, një nga problemet më të mëdha të shoqërisë sonë, janë pikërisht të rinjtë e lindur në vitet ’85-’95. Edhe pse brenda vetes doja shumë të bëja një ndarje pak më të kufizuar për vitet e lindjes (për shkak të besimit tim natyror se brezi ’90-’95 janë brezi i budallenjve të fituar -  lindin të zgjuar, por bëhen budallenj duke u përplasur kokë më kokë rrugës se janë duke parë smart-fonin e tyre), kjo dekadë mbart të njëjtën tipologji problemesh. Po flasim për një brez që nuk e ka idenë minimale se ç’ka qënë komunizmi dhe nuk e ka idene minimale se ç’është demokracia (pa nënkuptuar se këto të dyja janë antonime të njëra-tjetrës). Për komunizmin kanë dëgjuar tek tuk ndonjë diskutim nostalgjik se ç’ka qënë asokohe - me rend, qetësi, pa krime, punësim dhe kampe përqëndrimi dhe që rrinin diku andej nga Lolipop -  dhe ndërkohë nuk kanë jetuar as në demokraci, për sa kohë ne një të tillë nuk e kemi pasur. Të rritur “as andej, as këtej”, vendi i ndërmjetëm që ngelet nuk është shumë komod. Një pjesë e madhe janë rritur nën remitancat e prindërve që punonin në Greqi – ndërkohë që grekët “vendalinj” hidhnin trëndafila e thyenin pjata nëpër buzuqe. Dhe është e thjeshtë të mos kesh interes për të lexuar “Leximi Letrar” apo “Dituri Natyre” për sa kohë ke para të falura për të plotësuar kapriciot e moshës të hiperbolizuara nga media (e njohur ndryshe si armë e shkatërrimit në masë). Më e thjeshtë është të rrisësh një Tamagotchi se sa të lexosh, impenjohesh mbi libra, e në mundsh, të lexosh edhe përtej kurrikulës mizerabël filo-sovjetike që kemi.
Kështu, të rritur nën këtë klimë kuazi-komuniste, ku një figurë madhore/paterne ishte tutori yt ekonomik, kriza financiare i gjeti të papërgatitur. Nga një lexim diagonal i shtypit të ditës, do të shohësh që të gjithë krimet për vjedhje supermarketesh lagjeje, çantash grash rrugicave (që kërkonin dritë), kabëll të energjisë elektrike (kjo e fundit shpesh e mbetur në tentativë për shkak karbonizimi të hajdutit – të mbetur në tentativë) etj., kanë për autorë të rinj të moshës 18-27 vjeç.
E në pastë ndonjë që investon për veten nëpërmjet shkollës, përbën devijim standard nga normalja, një model që duhet tallur, e në mundsh, t’i nxish jetën budallait për atë që po bën, ndërkohë që mund të fitojë para thjesht e shpejt, pa u djersitur hiç.


-         Ekonomia

Përtej ndjesisë për të vënë kujën, që më lind natyrshëm sa herë që përmendet fjala “ekonomi”, në një kontekst më makro, s’ka asgjë për tu çuditur. Ja kemi futur vetes e më kot ankohemi për ndonjë komplot sllavo-greko-turko-afrikan.
Fatmirësisht, ende nuk ka ardhur e keqja më e madhe. Fatkeqësisht, e keqja më e madhe ende nuk ka ardhur. Pas flluskës botërore të krizës financiare që u pasua me krizë reale, në Shqipëri duhet të presim edhe 2 goditje të pa-amortizueshme: Piramida financiare e ndërtimeve (vilat dy-katëshe të ndërtuara nga remitancat – nga cikli nuk kam bukë të ha, por Benzin nuk e ndaj nga vetja) si dhe konsumerizmi i induktuar masiv, që përmbushet nëpërmjet disa shërbimeve të çudtishme e të vështira financiare. Me pak fjalë, lekë nuk kemi, edhe ato pak që kemi i hedhim për soletë e karabina; ndërsa për të ngrënë, marrim kredi lartë e poshtë. Le të themi që nuk është një plan shumë gjenial. Dhe vazhdoj të jem i bindur që injoranca/padija nuk është argument, siç 85-87% e njerëzve pretendojnë*.
Kur kriza botërore nisi (nga Islanda, siç besoj e dimë të gjithë), një ekonomist vendas shprehej: “Kuptohej që diçka jo e mirë do të ndodhte, sepse ne kaluam nga modelet tradicionale të ekonomisë (peshkimi), në prodhimin e Björk.”
Duke marrë në kosnideratë se rreth 54% e GDP së vendit prodhohet nga matrapazët (lexo: tregtia import-eksport), mënyra e vetme që mund të “shpëtojmë sa të mundemi” është mënyra e vjetër (old but gold): “Gërmo arrën biri im, se kam fshehur një qyp me flori”. Shpëtimi ynë i vetëm është prodhimi, fokus tek ai bujqësor.

--------------------------------------------
*sipas një studimi të bërë nga koka ime.



-         Quo Vadis?

Të përcaktosh një drejtim, veçanërisht për një komb, jo vetëm që nuk është e thjeshtë, por është më shumë një proces historik që laton për një kohë shumë të gjatë një masë amorfe, gjerësisht të konsideruar si “demos”, “kulturë”, “qytetari” etj.
Çka shoh unë, është një deformim strukturor i tillë, që nuk mund të përmirësohet, rregullohet apo riparohet, pavarësisht vullnetit të mirë. Të çbësh për të bërë të çbërën, është pak si pa lidhje, ndaj, duhet një elisir bon-sensi dhe vizioni, kombinuar me durimin e lloGoreve të padurueshme politike. Problemi më i madh që unë mendoj se kemi në Shqipëri, është se merremi kaq shumë me thashetheme alla-otomane, saqë harrojmë të evidentojmë të mirën. Kështu, Konica e Noli i përmbledhin më së miri se ç’soj jemi.
Nuk mund të lë pa përfshirë perlën e Konicës: “Këshilla një gazetari” (1901)

“I dashur mik - në e bëfsh gazetën me fleta të mëdha; shqiptarët do të thonë që s'fshihet dot lehtë; në e bëfsh me fleta të vogëla, do të thonë se s'është gazetë, por libër. Në e shtypsh me letra të holla, do të thonë se s'këndohen edhe prishin sytë; në e shtypësh me letra të trasha do të thonë se je "hamall" e kërkon të mbushësh vend. Në shkrofsh toskërisht, do të thonë se s'është gazetë për gjithë shqiptarët; në shkrofsh gegnisht prap ashtu, në shkrofsh në gjuhë të përzier me të dyja, gjysëm gegnisht, gjysëm toskërisht, do të thonë se është "çervish".
Në mos shkrofsh për politikë, do të thonë se s'është koha të punojmë për letratyrë, kur vendi ndodhet në rrezik; në shkrofsh për politikë do të thonë se prishë punë duke egërsuar qeverinë. Në folsh butë për Turqinë, je i paguar prej Stambollit; në shkrofsh rreptë kundër Turqisë, kërkon të të jap Sulltani të holla që t'a pushosh gazetën. Në mos gjefsh të holla që ta mbash gazetën, do të thonë se s'je i zoti, me qenë aq njerëz duan zgjimin e kombit shqiptar; në gjefsh të holla je intrigant a i shitur. Në folsh për plot çlirimin e Shqipërisë, do të thotë je djall e kërkon gjëra që duheshin gatitur në qind vjet më parë; në folç për nevojën të përpiqemi t'a shpëtojmë gjuhën dhe kombësinë, duke vënë vendin nën hijen e një Fuqisë së Madhe, s'qënke shqiptarë i vërtetë.
Në folsh mirë për shqiptarët e krishterë, hidhërohen shqiptarët muhamedanë; në folsh mirë për muhamedanët, hidhërohen të krishterët; në folsh mirë për të krishterët e për muhamedanët që janë shqiptarë të mirë, e ligsht për të ligjt, aherë do të hidhërohen të gjithë. Aq për sot, se kam frikë mos të zërë gjumi.”



-         Ardit Gjebrea

Unë nuk kam asnjë problem me Ardit Gjebrenë. As personalisht, as familjarisht, as profesionalisht ... hiç fare me pak fjalë. Por, sinqerisht, më bezdis që del në çdo vënd. Shih protestat e Berishës në ’97, është Gjebrea që këndon me shall në kokë “Berisha hero”; shih 2001 kur ishte në të hyrë të Tironës (vendi gjeo-strategjik që u përdor nga Edi Rama tek “Tirona”) – ishte po ai; shih reklamat e birra Stelës, është po ai; shih promocionet e TEG-ut, është po ai; shih bonuset që të ofron Kastrati – është po ai. Realizoi videoklipin e parë shqiptar? Është Gjebrea! Është te Zonë e Lirë? Është Gjebrea! Njëherë theu brinjët, njëherë krisi këmbën, javën e kaluar pati një ulje tensioni dhe e la emisionin në gjysmë – është po ai. Popullorçe, po bëhet eksperti i midhjes dhe i peshkut për çdo gjë. Dhe të mendosh se Arditi, sillet mirë përgjithësisht. Në mënyrë analoge, sa figura mund të gjesh që janë (Ardit)10000?


-         Edhe unë jam një hipster

Hipsterat janë ca tipa avantgardë, që bëjnë gjëra që ne të vdekshmit nuk dimë të bëjmë. Përgjithësisht ose i kanë dhi’ m’dru kur kanë qënë të vegjël, ose kanë qënë prototipat “boli”, “qorri”, “çerri” që çdo lagjje e nderuar ka pasur. Eventualisht, dikush nga fisi i tyre i afërt është begatuar pa kusht – o ka pasur ndonjë shkëmbim të vogël favoresh, ose ndonjë post i voçkël politik, ose ndonjë (le të themi) marrje borxh e pasurisë publike ... dhe “boli”, “qorri” apo “çerri” në një moment, shndërrohen nga rosaku i shëmtuar në mjelmën e bukur. E i gjen gjithnjë në “Zona VIP” e lokaleve, duke bërë gjëra hipsterash. Janë gjithnjë duke ngrënë gjëra hipsterash. Madje edhe kakën e kanë prej hipsterash. Sepse ata nuk janë si ne të vdekshmit e gjorë që kalojmë jetën duke ndërtuar gradualisht një të ardhme të qëndrueshme, moralisht dhe etikisht të qetë.


-         “ ... for dummies”

Nuk di të vlerësoj nëse ka qënë më mirë, apo më keq, por di që nuk më pëlqen. Çdo gjë tani është bërë “... for dummies”. Njerëzit nuk e vënë më logjikën në punë. Janë të parimit “Po e kuptova, mirë. Po nuk e kuptova, s’ka gjë, le të kalojë – nuk kam pse ta mësoj/kuptoj”. Jeanne Hersch iluminon pikërisht mbi këtë pjesë. Fillimi i njerëzimit është pikërisht habia, që pasohet nga kërkimi për të shpjeguar fenomene të reja. Gjë që mungon totalisht në ditët e sotme. Sot për çdo gjë që nuk di/njeh, mjafton të gugëllosh. Thjesht fare kërkon në Google “Photoshop for dummies” -  dhe ti shumë shpejt do të bëhesh një ekspert në manipulimin e fotove që do të nxjerrësh në Fejsbuk apo Instagram, nën diçiturën “Crazy night out” apo “Një foto pa mendje” – ku tipikisht je duke parë objektivin e kamerës “në kokërdhok të syrit”.

Çfarë rëndësie ka në fund të fundit. Po bëhemi një shoqeri masive konsumeriste, shoqëri titraxhinjsh, e shtypur nga pesha e shumë informacioni dhe pak dijeje, ku kërkojmë të jemi medeomos nën reflektorët e famës për atë 15 minutëshin e famshëm të Eko-s.


Gad bles dhë junajtid stejts ... for dummies ama!






0 komente:

Post a Comment

My Instagram