Reading
Add Comment
Si gjithnjë, më duhet të përhumbem brenda
vetes, për të gjetur një oaz të qetë për të medituar; për të kuptuar (me ç’mundem
të paktën); për të analizuar e për të ëndërruar. E është një përhumbje e ëmbël,
në kujtime, fjalë, diskutime, prekje, puthje, inate e ngërçe; është diçka përtej
të zymtit realitet. Edhe pse për realitet po flas. Por alternativ.
Përpiqesha sot me mend, teksa udhëtoja me
transportin publik, të bëja hierarkinë e kefshërve në Shqipëri ( një kafshë, dy
kefshë). Në krye të hierarkisë (së paku për atë grimcë realiteti) ishte
Skiptaro-shoferus Buxhetoris. Me rradhë vinin Homos Pasagjero-deles dhe Homo Fatorino Erectus (bashke me
nja ca 70 vjeçarë të përvëluar për ca shalë të zbuluara (pa)hijshëm). Të paktën,
koha fluturoi me këto budallallëqe, në qofshin me të vërtetë të tilla. Dhe në
qoftë se e vërteta ekziston në vetëvete.
Nuk them më kot që përhumbem në vetëvete. Është
e vetmja ime hapësirë që të përhumbem. Sepse realiteti, ai prej vërteti, që
rrah çdo ditë, nuk është i bukur. Nuk të ofron kënde përhumbjeje. Të ofron
vrasje (majfton të hapësh çdo 30 minuta lajmet e do të zbulosh që një kufomë është
gjetur aty/këtu); të ofron shumë politikë (Sala ia futi Ramës që po ja fuste
Metës, që ndër të tjerash ishte duke bërë një orgji futjesh me trimoshat e
LSI-së dhe u përfshinë në skenën e krimit edhe luenërit e FRPD-së dhe FRESSH-së
e kështu me rradhë, deri sa arrihet një orgji politike, por intelektuhalè ama!); të ofron ca gossip të kategorisë “Mos o Zot” (“Luana
kafshon Ermalin” – kush janë Luana dhe Ermali meqë ra fjala?!?; apo se si
tatuazhi i Mikelës te pjesa e majtë e byçës së djathtë në fakt është bërë për të
treguar dashurinë për ish të dashurin që ka ikur ushtar në Kashmirin e largët
...) dhe kjo është e gjitha. E tu thaftë dora në kërkofsh nëpër median prej
jashtë shtetit. Se ata qelbësirat vetëm të liga thonë për ne. Se s’na duan.
E kështu nuk ke hapësira për veten tënde. (Për)Dhunohesh
përditë me pikërisht atë gjë që nuk do të dëgjosh, e harron të jetosh, të
shijosh, të ëndërrosh, të kërkosh, të pretendosh, të mos jesh apatik ... Shqipëritë (këto)
shpërhapen përpara teje, e s’të ngel veç të negociosh, që të shtysh ca më tutje
atë kohën tende. Tashmë boshe. Tashmë të mërzitshme. Tashmë pa ëndrra.
Kaq.
0 komente:
Post a Comment