Shqipëria është, le të bëjmë shqiptarët


Do të më duhet, që të ndërtoj disa plane/rrafshe/dimensione, për t’i ndërthurur më vonë – duke kujtuar gjithnjë që kjo nuk është veçse një përpjekje – për të “bërë” shqiptarët. Fatkeqësisht, nuk mund t’i shpëtoj dot dekonstruktimit të fjalës, fjalëve a grupfjalëve. Kjo për faktin e thjeshtë që gjuha në vetëvete është subjektive, e si e tillë, jo vetëm që do të më vështirësojë jetën (e jo vetëm mua), por duhet të shprehet sa më “bukur” – koncept jo estetik – për të arritur një perceptim sa më afër - duke pranuar apriori se një koncept i tillë ka kuptim – asaj që unë mendoj (se mendoj) dhe asaj që unë mendoj se dua të përçoj – ndoshta do të jetë thjesht një eksperiment i dështuar.

Shqipëria është ... por edhe jo!

Shqipëria është në krizë përfaqësimi ... ç’gabim naiv ... “Shqipëria” është në krizë përfaqësimi, sepse më lind eo ipso pyetja: Për ç’Shqipëri bëhet fjalë?

Atë gjeografike, me male, fusha, lugina e pyje të gjelbëruara? Për Shqipërinë e vlerave? Atë që përpiqet gjeneratë pas gjenerate – për të mos u ngatërruar me fjalën “gjenerator” – në mënyrë verbale dhe të dokumentuar të mbartë – “tranzicionojë” do të thoshte Kadare? – vlera, norma, parime, doke, zakone etj.? Për Shqipërinë e njerëzve – në konceptin më të thjeshtë të homo sapiens-it – si një kalim evolutivo-historik Pellazg – Ilir – Shqiptar? Apo mos është fjala për Shqipërinë e zotave, kryezotave, prijësave, perandorëve, krajlave, presidentëve e mbretërve? Ç’komoditet do të ishte – ka shumë material për këtë dimension të Shqipërisë ...

Le të përdor fjalë që tashmë kanë humbur çdo kuptim semantik si dhe çdo impakt psiko-emocional për shkak të përdhunimit sistematik verbal që u është bërë: A mos po flasim për Shqipërinë e Bashkimit Europian? Shqipërinë e integrimit? Shqipërinë Euro-Atlantike? Shqipërinë Liri-Demokraci? Grevë? Kuti? Transparencë? Ndërkombëtarët? Tranzicioni?
Me fuqitë e mbinatyrshme, qofshin këto në sferën e habitores, qofshin në sferën e të mrekullueshmes (si pjesë përbërëse e letërsisë fantastike) që muza më jep, po i bashkoj të gjitha këto, për të nxjerrë një amalgamë, që po e (ri)quaj Shqipëri. Brenda saj janë elementet e sipërpërmendura, të shtresëzuara, me hierarki, apo ndoshta të shpërndara thjesht sipas ndonjë teorie kaotike. Kjo nuk më intereson. Kalova pikën e parë. Krijova Shqipërinë!

E tani vjen pjesa më e vështirë, ajo e shqiptarëve. “Analiza” në këtë pikë domosdoshmërisht duhet të kalojë nëpër të gjitha kahet (vektorialë) të forcave dinamike që e shtyjnë një popullsi të caktuar drejt një drejtimi të caktuar (drejtimi rezultant i forcave të mësipërme vektoriale) në një moment të caktuar në kohë e në hapësirë. Ngjan si fillim i mirë për ndonjë libër limonatë të tipit: “Shqiptarët, pse nuk u bëmë asnjëherë”, apo ndonjë antologji të mundshme, që, në të dy rastet e përmendura (por jo të vetme), janë përtej mundësive dhe aftësive të mia. Për të mos u futur në këtë qorrsokak, po dal nga dredhirat e mësipërme me fjalë ... e pra, ja mendimi im: mentaliteti, komplekset, injoranca, egocentrizmi i pajustifikuar, kapadaillëku, mungesa e komunikimit dhe debatit konstruktiv, mungesa e sinergjisë ... kjo do të ishte një hyrje e mirë në listën e patologjive që mund të diagnostikohen shqiptarët. Të kuptohemi, unë nuk kam gjak blu, jam nga e njëjta rracë, soji është i njëjtë. Nuk kam kurorën e krijimit e nuk i/ju shoh (ju) shqiptarët nga lart. Kjo e bën paksa sfiduese, e pikërisht ky është lezeti i çka po shkruaj.

Të isha marksist, do fshihesha shumë mirë pas “ ... A revolution isn't a gala dinner. It cannot be created like a book, a drawing or a tapestry. It cannot unfold with such elegance, tranquility and delicacy. Or such sweetness, affability. Courtesy, restraint and generosity. A revolution is an uprising, a violent act by which one class overthrows another … ”, për ta përshtatur më pas atë revolucion me atë të mentalitetit. Pra një lëvizje që në mënyrë thelbësore do të ndryshonte mentalitetin, për të sjellë “bërjen” e shqiptarëve – kjo nuk ka asnjë lloj garancie për produktin, për më tepër, që revolucioni analog u shfaq një gangrenë vetëshkatërruese më shumë se një forcë lëvizëse progresive. Por, jo vetëm që nuk jam marksist, por besoj që edhe vetë Marksi do e kundërshtonte këtë gjë fortësisht – unë thjesht përfitoj se të vdekurit nuk mund të flasin. Pra, fatkeqësisht nuk do të kemi një “Tetor të kuq” që do sjellë “bërjen” e shqiptarëve. Mentaliteti nuk është vend, vendndodhje, institucion (në konceptin “demokratik modern” të fjalës) a shesh i cili mund të ndryshojë “drejtues” brenda një, dy apo tri netësh. Mentaliteti kocka s’ka e kocka thyen; është një forcë jo konkrete por që zotëron një fuqi të jashtëzakonshme, duke bërë “brenda vetes” së vetë – individët e popullsisë – një luftë të jashtëzakonshme vektoriale për të shkuar drejt një drejtimi të caktuar. Komponentet më të dobëta shkatërrohen, zhduken si të mos kishin ekzistuar, “avullojnë” sipas Orwell. Kemi një diktaturë shumice. Δημοκρατία është një diktaturë shumice, megjithëse nuk besoj se bëhet fjalë për të njëjtën gjë.

Duke mos ditur se ku jemi, ku po shkojmë dhe përse nuk jemi “bërë” apo nuk “bëhemi”, ne (shqiptarët) frustrohemi, e krijojmë në këtë mënyrë komplekse – Freud rri larg! – duke filluar nga komplekset e superioritetit, e inferioritetit të maskuara si të superioritetit, ndonjë kombinim tjetër i ngjashëm, komplekset e sjelljes, shprehjes, mendimit etj. Krijojmë më pas komplekset e spiunazhit e kundërspiunazhit, sabotimeve e komploteve ndërkombëtare (kjo mund të jetë një trashëgimi e kohës së kaluar, megjithatë, çdo individ në vetëvete – shqiptar ose jo – mendoj se mendon në një moment të caktuar që është viktimë e ndonjë lloj komploti; problemi është se ne shqiptarët mendojmë në çdo moment dhe për çdo gjë që jemi viktima të një sistemi të madh komploti ... ). Dan Brown ndoshta mund të flasë më shumë për këtë gjë.

Për injorancën, sidomos atë që na karakterizon ne shqiptarëve, injoranca e fajshme pra, mund të rrija duke shkruar pafund, pasi ky element prek multidimensionalitetin e Georg Friedrich Bernhard Riemann-it. Nuk lexojmë, nuk dimë, kemi kënd shumë të ngushtë gjykimi, çfarë nuk është pro mendimit tim është armiku im, nuk ekziston asgjë përtej asaj që unë di. Problemi brenda problemit, është që zgjidhja është aty. Literatura është e pafundme tashmë, burimet e informacionit janë të panumërta, analistë (shqiptarë e botërorë) për çështje të ndryshme të kontestueshme ka vazhdimisht në “tregun mediatik” dhe këndvështrimi i tyre për këto tema mund të lexohet/shihet falas (përgjithësisht) ... Zgjidhja pra është nën hundë, por pak shohin përtej hundës së vetë ... ndoshta ngaqë e kanë përpjetë?
Derivat i drejtëpërdrejtë i kësaj injorance, është egocentrizmi (i pajustifikuar), siç e kam cakitur edhe pak më lartë ... kjo shkatërron çdo formë të mundshme adezion-kohezioni, duke krijuar një masë njerëzish, brenda një territori të caktuar, por (thuajse) plotësisht në mungesë bashkëveprimi me njëri-tjetrin. E kështu i themi “mirupafshim” edhe shpresës e dëshirës për të pasur pak sinergji. “2+2=5” për ne shqiptarët jo vetëm që nuk ka kuptim, por është ndonjë çmënduri që duan të na sjellin nga jashtë ... por ne nuk jemi budallenj!

Komunikimi “punon” për ata që punojnë për të. Produkt perëndimor që tregon biunivocitetin e komunikimit. Që të mos kaloj në cliché-të e shpjegimit se si komunikimi përbëhet nga dërguesi, mesazhi, mediumi dhe marrësi, po kapërcej tek fakti se tek ne shqiptarët, nuk dihet se cilit element t’i drejtosh gishtin e fajësisë. “Dërguesi, mesazhi, mediumi dhe marrësi janë të barabartë përpara fajit” duhet të shkruhej në vend të “Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit” ... megjithëse ne të gjithë jemi të barabartë, thjesht disa janë më të barabartë se sa të tjerët. E bashkë në pusin e fajit, komunikimi mbytet me debatin (konstruktiv), të cilin, vetëm në teori e kam lexuar.
Pra, mesa duket, duhet që të ndryshojmë njëkohësisht radikalisht elementët e mësipërm ... por edhe në u bëftë një gjë e tillë, quo vadis? Pyetja më e duhur për mendimin tim, është: “Si bëhen shqiptarët?”. A jemi të sigurt që ndryshimet e mësipërme do të na sjellin një rezultat pozitiv? Dhe kush/çfarë është ky “rezultati pozitiv”? Edhe po u “bëmë”, për kë do bëhemi? Dhe kush i përcakton këta “kë” për të cilët ne do “bëhemi”? Mor po ... a duam me vërte të bëhemi ne? Bëjmë një listë kush do e kush jo? E ç’do nxjerrim në dritë?

E kam besuar që më parë që ne shqiptarët jemi shumë fleksibël, madje kaq fleksibël sa ndonjëherë të duket se nuk kemi fare shtyllë kurrizore, qoftë kjo gjë e mirë, qoftë e keqe. Në pesë dekada, diplomatikisht kurvëruam. Puthëm e idealizuam Titon dhe Jugosllavinë, për ta pështyrë më vonë, atë dhe rracën e tij. Për hir të Ligjit të Ruajtjes së Energjisë, dashuria sllave u shndërrua/etiketua me emrin Rusi. E u miqësuan popujt, i thamë “kuç andej” besimit fetar, e puthëm Rublën (madje donim edhe të konvertonim të gjitha rezervat tona ekonomike në Rubla), pinim vodka dhe faleshim pesë herë në ditë për Marks, Engels, Lenin e Stalin. Emrat në modë ishin Marenglen (Marks, Engels, Lenin) dhe Maenlest (Marks, Engels/Enver, Lenin, Stalin). Katjushka ishte ëndrra erotike e meshkujve shqiptarë dhe Instituti Gorki ishte pika më e lartë e jetës së një individi. Fryu erë në drejtim të kundërt, e për inat të Joseph Fouché-së, edhe ne ndërruam drejtim. Sepse, duke folur hapur, kush nuk e do(nte) një miqësi-dashuri me Kinën? Flirtimet (diplomatike) u kthyen në një histori të vërtetë e të mirëfilltë dashurie. Vajtje-ardhje ekspertësh kinezo-shqiptarë; Merita Jin Tao ishte një realitet “i prekshëm”, në mos, diçka e dëshirueshme. Vepra të mëdha u ndërtuan e rindërtuan. Çen Pao Y u shpall hero për montimin e një antene transmetimi të R.T.SH.-së, dhe moda donte që fëmijëve t’u vihej emri Mao ... po Shqipëria ku është gjatë gjithë kësaj kohe?
Kundërshtoni! Më thoni se ishte sistemi! Më thoni se ishte ideologjia! Më thoni se do të vritej kush nuk i bënte këto gjëra, do të isha i mirëkuptueshëm në këtë rast. Më thoni se kishte një “tru qëndror” që mendonte për trutë e të tjerëve ... po përse nuk i “bëri” shqiptarët ky truri? Apo i “bëri”, por u “çbëmë” më vonë po vetë ne? U “çbëmë” për t’u “bërë” gjë tjetër (Ligji i ruajtjes së energjisë)? Për më mirë apo më keq? Po kur u “çbëmë”, a kishim në kokë ndonjë model? Në mos ne vetë, ata që na shtynë të “çbëheshim” ...

E kështu përsëri, jemi nën qiellin e madh, pa ditur ku shkojmë, ç’bëjmë, ç’duam, ç’jemi, ç’bëhemi, ç’kemi qënë, a do të bëhemi ... Dhe gjithë pjesa tragjike, qëndron në faktin që këtu nuk po flitet për filozofi, as për metafizike ... por për një popull, që me shumë gjasa nuk është “bërë” ...

Kur heretikët (turrma e përbërë nga steriotipi i individit shqiptar që ka të gjitha elementet e përmendura më parë – mentalitetin, komplekset, injorancën, egocentrizmin e pajustifikuar, kapadaillëkun, mungesën e komunikimit dhe debatit konstruktiv, mungesën e sinergjisë) të më djegin në turrën e druve për këtë krim që kam shkruar, do të them “E’ pur si cuoce”!

Shënim përsonal: “bërje” përgjatë shkrimit ka kaluar sa nga “rritje”, tek “zhvillim”, “përmirësim” për të përfunduar tek “pjekje” - të treguarit pjekuri ... a diçka e ngjashme ...

0 komente:

Post a Comment

My Instagram